Ish-diplomati “godet” Ramën për preferencën ndaj Vuçiçit dhe “injorimin” e Kosovës në Samit
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, i zhvilluar më 16 maj 2025 në Tiranë, ishte një ngjarje që u organizua me synimin për të forcuar lidhjet politike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Me pjesëmarrjen e 47 liderëve shtetërorë, samiti ka ofruar një mundësi për diskutime mbi çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit europian.
Megjithatë, ish diplomati, Xhevat Mustafa ka kritikuar Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë më 16 maj 2025, duke e quajtur të tepruar dhe të politizuar, për arsye se kryeministri Edi Rama e përdori ngjarjen për të promovuar veten dhe për të mbledhur pikë politike.
ImageXhevat MustafaFoto galeri
Mustafa deklaron se kjo ngjarje nuk mund të konsiderohet një fitore për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi më shumë ishte një mundësi për kryeministrin Rama dhe ministrin Igli Hasani për të përfituar nga interesat politike, duke mbuluar me “gjethe fiku” dështimin e zgjedhjeve të 11 majit.
“Më 16 maj 2025, nënkuptohet me lutjet përgjëruese të kryeministrit Edi Rama, për të fituar edhe ca pikë e vota të tjera si individ, institucion, ekip, parti, në Tiranë u mblodh Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, me 47 liderë shtetesh. Meqenëse është samiti i parë i këtij komiteti në Ballkanin Perendimor, nuk u humb rasti nga mikpritësi kryesor, domethënë kryeministri Edi Rama, që të vlerësohet shumë më tepër se sa është në të vërtetë, si “ngjarje historike për Shqipërinë dhe gjithë rajonin”! Thjeshtë për informacion apo arkiv, Samiti i Parë i Komunitetit Politik Evropian (KPE) u organizua në Pragë, më 6 tetor 2022. Samiti i dytë i Komunitetit Politik Europian u mbajt në Moldavi në 1 qershor 2023! Samiti i tretë i komunitetit politik evropian u mblodh më 5 tetor 2023 në qytetin spanjoll të Granadës, duke mbledhur liderët e 47 vendeve evropiane. Samiti i Katërt i Komitetit Politik, me pjesëmarrjen e 47 liderëve europianë u zhvillua në Oksford të Britanisë së Madhe më 18 korrik 2024. Ndërsa samiti i pestë është mbledhur në Budapest, më 7 nëntor 2024. Por, ndryshe nga në Tiranë, në kryeqytetet dhe qytetet e tjerë ku janë organizuar, samitet janë pritur e mbyllur si ngjarje të rëndësishme për BE-në dhe për qeveritë e tyre, sidomos ministritë e punëve të jashtme, por jo si historike për vendet dhe popujt e tyre. Nuk janë bllokuar për 12 orë qendrat e qyteteve nga forca të shumta policore e civile, nuk janë mbyllur ditët e samitit zyrat dhe shkollat, si në ditë festash zyrtare, shtetërore e kombëtare. Po të vepronin kështu si në Tiranën e Edi Ramës, Brukseli me samite të shpeshta nga BE e NATO, New York-u me mbledhje të shumta në kullën e OKB-së…, do të paralizoheshin shpesh herë, sa të ngriheshin qytetarët në protesta masive. Por, në këto vende samitet janë ngjarje të gëzueshme apo të rëndësishme e jo festa kombëtare brenda për brenda ambienteve të kufizuar. Sepse, sipas traditës së moçme të samiteve, liderët marrin dieta të majme, mblidhen, mbajnë fjalime dhe rrahin mendime, jo rrallë si ujët në havan, shtrojnë detyra të reja e të moçme dhe caktojnë afate pa afate…! Natyrisht, hanë edhe dreka e darka të rënda e me pije të shtrenjta…! Pas mbylljes së samitit largohen me kujtime dhe fotografi të bukura! Edhe me dhurata për gratë e fëmijët, pse jo edhe për ndonjë sekretare e këshilltare, nga qytetet dhe salla e organizimit të samitit. Të fituarit më të mëdhenj nga Samiti i 16 e 17 maj 2025, vetëm pse u zhvillua në kryeqytetin e Shqipërisë apo vetëm për nga interesi politik, sidomos për të mbuluar me gjethe fiku lakuriqësinë e zgjedhjeve shumë larg të standardit evropiano-perendimor të 11 majit, janë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani! Prandaj, logjikshëm, nuk meriton të festohet dhe reklamohet si “historik” apo si “fitore e madhe politike” për Shqipërinë dhe mbarë shqiptarët!”, ka thënë ai.
Mustafa krahasohet samitët e fundit me “simite” ose “samunet” që kanë një shtresë të hollë dhe mashtruese, si pemë të thara që nuk japin fryte. Me këtë, ai po nënkupton se samitët nuk kanë sjellë përparim të dukshëm, përkundrazi janë bërë ngjarje të zbrazëta pa ndikim konkret në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Sepse, përveç disa frazave lavdëruese me “sinqeritet diplomatik” as nuk u fol me siguri të padiskutueshme dhe as nuk do të ketë në të vërtetë përshpejtim apo përafrim të ndjeshëm të afatit të anëtarësimit të plotë të vendit tonë në BE, ndoshta aty nga viti 2035 apo fund dekada 2030, domethënë më 2035, 2038, 2040…!? Sepse samitet, sidomos këto vitet e fundit, janë bërë si simitet! Apo si samunet me një shtresës të hollë dhe rrenëse gjize! Edhe më popullorçe, si pemë të thara nga rrënjët e pa kokrra…!”, ka vlerësuar ai.
Tutje, Mustafa e përshkruan situatën politike në Shqipëri si të ngjashme me kongreset e Enver Hoxhës, ku punohej shumë me fjalë të bukura, por veprat ishin të varfra dhe të padukshme.
Ai e konsideron këtë si një pengesë të madhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Analizuar edhe më konkretisht e pa dozë humori, në grotesk: edhe Samiti i Tiranës i 16 majit 2025, ishte si të tjerët më herët. Apo, për nga veprat, të mirat e shpejta, të dukshme, të prekshme, të përjetueshme ishte ngjashëm si kongreset e Enverit. Shumë fjalë të bukura e gurë apo rërë në trastë apo thasë. Shqipëria e sotme është shumë larg anëtarësimit të plotë në BE, për kërkesat, kushtet dhe standardet kryesore apo të vendosura nga Brukseli. Për bindje më të fortë ndihmojnë edhe disa fakte fare të freskët. Si mund të mendohet dhe pretendohet nga Edi Rama anëtarësimi në BE më 2027 apo më 2030, kur ai dhe qeveritë e tij i kanë shndërruar zgjedhjet në masakra apo maskarada elektorale. Gjatë ditëve të votimit e të numërimit, por edhe më parë janë vjedhur vota në Shqipëri edhe me mikrobuzë e kamionë si dhe me avionë, zarfat me vota nga Diaspora, duke i lënë shumicën e shqiptarëve me gishta në gojë e të ndërkombëtarëve, si p.sh kancelarin e Gjermanisë Friedrich Merz, pa mend e gojë!”? Le të marrim një fakt tjetër po lidhur me këto gjase zgjedhje e me Samitin e Tiranës apo të Edi Ramës. Numërimi i votave në Shqipëri, me rreth 2.4 milionë banorë zgjati më shumë se një javë e 10 ditë???!!! Po në AMERIKËN me afro 334 milionë banorë dhe me rreth 70% të votueve snë zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, në Gjermaninë me rreth 84 milionë banorë dhe me 83% votues, rezultatet dolën për 4 orë! Edhe në Rumani, me rreth 19 milionë banorë, për turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 18 maj 2025 të fituara nga Nikusor Dan, morën pjesë rreth 65% e shifrës së përgjithshme të votuesve”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, ai e kritikon përshëndetjen e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vučić, gjatë Samitit të Tiranës, duke thënë se ky përkrahje ishte më e theksuar dhe më e dukshme se sa përkrahja për Kosovën dhe lideren e saj, Vjosa Osmanin, e cila është shumë më e dashur për shqiptarët
“Le të kalojmë tek një kërkesë, kusht apo standard tjetër, nga i cili Shqipëria është larg BE-së, sa gjeografikisht e për nga nivelet e zhvillimit, demokratizimit, shtetit ligjor e social funksional, të pagave, pensioneve, mirëqenies…, Surreli apo Burreli nga Brukseli. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, publikuar edhe në mediat e Tiranës më 18 dhe 19 maj 2023, pra dy ditë më parë, Shqipëria kryesoi Europën për nivelin e lartë të popullsisë rreth 42 për qind që është në rrezik për të qenë e varfër, pasi vuan nga një formë e rëndë e përjashtimit social me 2024! Të dhënat referojnë se më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë, shtuar sidomos edhe nga rritja e pafre apo e çmendur e çmimeve, në këto vitet e fundit shumica rreth 25-100% më të lartë jo vetëm se sa në Kosovë e MV, por edhe në Itali, Gjermani, SHBA… Boshësinë, kotësinë, formalitetin… e këtij Samiti e shprehu edhe evidentimi dhe reklamimi më i ndjeshëm përkrah Edi Ramës i Aleksandar Vuçiçit dhe Serbisë së tij se sa i Vjosa Osmanit dhe i Kosovës së saj dhe tonë, i Kosovës së zemrave të shumicës së SHQIPTARËVE! Lista e detyrave apo kushteve të papërmbushura e që do të jenë për një kohë shumë të gjatë e të papërcaktuar objektiva të paarritshëm nga Rama-qeveria apo Shqipëria për anëtarësim të plotë në BE si dhe të kujtuara Edi Ramës edhe në Samitin e 16 majit 2025, është e gjatë. Po e mbyll me nivelin e lartë të korrupsionit, ngjitur në këta 12 vjet të Rama-qeverisjes mbi majën e Dajtit apo deri në majën e Korabit. Për këtë dëshmon edhe fakti se një qeveri tjetër e Edi Ramës është nëpër qeli burgjesh, me akuza të faktuara dhe dënime mëshiruese pikërisht për korrupsion me dhjetëra e qindra miliona euro e dollarë dhe në miliarda lekë. Një tufë tjetër ministrash, politikanësh, deputetësh, që “fituan” edhe në zgjedhjet alla edramjane apo alla alibabiane të 11 majit, janë me dosje hetimesh në SPAK e GJKKO…!?”, ka potencuar ai.
Në përfundim, Xhevat Mustafa e konsideron si një mundësi që iu shërbeu vetëm Edi Ramës dhe aleatëve të tij për të forcuar pozitat e tij politike dhe për të siguruar një mandat të katërt, kryesisht për autoreklamë dhe tërheqje të votave të mbështetësve “të majtë”.
“Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, i duhej dhe i shërbeu vetëm Edi Ramës me shoqe e shokë për të “fituar” apo vjedhur mandatin e katërt, për autoreklamë qesharake dhe marramendje të shumicës së votuesve “të majtë”, sa për t’u marrë votat. Pas 11 majit 2025 e deri në fund të mandatit të katërt, nëse shtyhet vërtetë deri në ditën e fundit, shumica e shqiptarëve do të fitojnë, si nga samitet e mëparshëm apo si nga kongreset e Enverit, fare pak në kuleta, frigoriferë, tavolinat e ngrënies, për jetë më të mirë apo më normale njeriu, kuptohet të standardit allashqiptar, në Shqipëri!”, ka përfunduar Mustafa.