POLITIKATË FUNDIT

“Prapaskenat janë në zhvillim” – Publicisti shqiptaro-amerikan: Po përgatiten gjëra shumë të rrezikshme lidhur me veriun

Kosova tash e disa muaj vazhdon të jetë pre e një ngërçi politik për shkak të mos-konstituimit të Kuvendit.

Partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët, pasi Vetëvendosja nuk po heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Të hënën ishte hera e 18-të që dështoi konstituimi i legjislaturës së nëntë, derisa kjo situatë po ngjallë dyshime se shkaku i vërtetë mund të jetë frika nga marrja e përgjegjësisë për vendimet dhe proceset e së ardhmes.

Debati për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka rifilluar me intensitet, derisa zërat kundër këtij projekti po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm.

Krijimi i një entiteti mbi baza etnike në veri të Kosovës, vlerësohet se bie ndesh me rendin kushtetues të vendit, por edhe përbën një rrezik real për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në këtë kontekst, intelektuali dhe aktivisti shqiptar në SHBA, Hafiz Shala, ngre alarmin për pasojat që mund të ketë kjo lëvizje politike, duke e cilësuar atë si një hap drejt ndarjes së pjesës veriore të Mitrovicës. Ai i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht Francës dhe Gjermanisë, të tërhiqen nga presioni për themelimin e një asociacioni që, sipas tij, është i rrezikshëm dhe i papranueshëm për të ardhmen e shtetit dhe paqen në Ballkan.

ImageHafiz ShalaFoto galeri
Shala ka bërë thirrje që të mos ketë asociacion e as ndarje të veriut.

Sipas tij, Franca dhe Gjermania duhet të heqin dorë nga themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Themelimi i çfarëdolloj asociacioni mbi baza etnike në një republikë multietnike është një akt i ndarjes së veriut dhe bie ndesh thellësisht me Kushtetutën e Republikës së Dardanisë. Ky është njëkohësisht edhe qëllimi i Serbisë – të themelojë një ndërtesë artificiale që përgatit ndarjen e pjesës veriore të Mitrovicës, duke përfshirë Bashkësinë Ndërkombëtare si “garanci” për paqe dhe marrëdhënie ndërmjet shteteve.

Franca dhe Gjermania, si iniciatore të kësaj “zgjidhjeje”, nëse vërtet duan paqe, qetësi dhe marrëdhënie të sinqerta, të qëndrueshme dhe normale ndërmjet Dardanisë dhe Serbisë, nuk mund të arrijnë këtë duke mbështetur ngrehina artificiale politike, të cilat përbëjnë rrezik për paqen në Ballkan, Evropë dhe më gjerë.

Dikush mund të thotë se këto janë marrëveshje të nënshkruara ndërkombëtarisht, por a mund dhe a duhet të pranohet një narrativë e tillë? Nëse ato janë antikushtetuese – siç edhe janë – nuk janë të qëndrueshme dhe për këtë arsye duhet të hiqet dorë nga kjo kërkesë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në faktin se një marrëveshje e dëmshme, e imponuar dhe e paqëndrueshme, e cila tentohet të zbatohet me dhunë e presion, ka prodhuar pasoja që Kosova po i vuan përmes masave ekonomike, politike dhe diplomatike që po i vendosen nga Evropa.

“Evropa po ia mbyll Dardanisë dyert e familjes evropiane për hatër të Serbisë – një shtet që, duke anashkaluar, injoruar dhe poshtëruar Dardaninë për hatër të Rusisë, sërish tolerohet nga perëndimi. Prandaj, u bëj thirrje institucioneve, kurdo që ato të formohen – dhe mendoj se një nga arsyet pse ato ende nuk janë formuar është pikërisht themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ish-partitë që për 20 vjet ishin në pushtet, edhe pse e kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë, nuk e zbatuan atë dhe tani janë midis dy zjarreve”, ka nënvizuar publicisti.

Shala ka rikujtuar se Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese dhe Kryeministri në detyrë janë deklaruar se nuk do të ketë Asociacion njëetnik – qëndrim të cilit duhet t’i përmbahet.

“Të njëjtën gjë duhet ta bëjnë publike edhe partitë e tjera parlamentare, nëse nuk i përmbahen më qëndrimeve të tyre të mëparshme dhe nëse vërtet mendojnë seriozisht për të mos lejuar ndarjen e veriut.

“Kam frikë se partitë janë të shantazhuara dhe të kushtëzuara” që, për të marrë pushtetin, duhet ta pranojnë këtë marrëveshje. Sipas deklaratës së Marko Gjuriqit në emër të Serbisë, pa largimin e Kurtit nuk do të ketë marrëveshje. Kjo nënkupton se, nëse partitë opozitare e pranojnë këtë kusht, do të mbajnë përgjegjësinë historike për një tradhti ndaj atdheut.

Frika ime nga qëndrimi i Francës lidhur me Asociacionin qëndron te kushtëzimi i saj me Marrëveshjen e Kumanovës të vitit 1999, e cila e kushtëzonte pjesëmarrjen në forcat e përbashkëta të KFOR-it vetëm nëse u lejohej vendosja në pjesën veriore të Mitrovicës. Rezultati ishte ndarja e veriut, shpërngulja me dhunë e popullatës shqiptare, maltretimet dhe vrasjet”, ka theksuar ai.

Publicisti Shala ka pyetur në fund se pse ura mbi lumin Ibër ende qëndron e mbyllur?

“Prapaskenat janë në zhvillim. Mendoj se po përgatiten gjëra shumë të rrezikshme në lidhje me veriun. Po nuk u ndal ky koncept, rreziku i një konflikti të armatosur është i paevitueshëm.

Së fundi, nëse udhëheqësit partiakë dhe ata shtetërorë të ardhshëm nuk janë në gjendje të marrin vendime të guximshme, atëherë le të organizohet një referendum gjithëpopullor për Asociacionin, respektivisht për ndarjen e pjesës veriore – vendim që pushteti duhet ta zbatojë dhe Bashkësia Ndërkombëtare ta respektojë”, ka përfunduar Shala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *