“Ishte e gabuar…”/ Qasja e Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi duhet të ndryshojë – ja si?
Mes Kosovës dhe Serbisë, ende vazhdon procesi i bisedimeve, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Qëllimi kryesor i këtyre negociatave është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por përparimi ka qenë shpesh i bllokuar për shkak të mospajtimeve të thella rreth sovranitetit të Kosovës dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët.
Ndër sfidat kryesore mbetet themeli i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohja e ndërsjellë, si dhe respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe Ohër. BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë të bëjnë thirrje për angazhim të sinqertë dhe konstruktiv nga të dyja palët.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit në Berlin, ka kërkuar që qeveria e re gjermane, e udhëhequr nga Friedrich Merz, të marrë një rol udhëheqës në qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ai ka kritikuar ashpër qasjen e Gjermanisë ndaj dialogut Kosovë–Serbi, duke thënë se Berlini, në vend që të rifillonte procesin nga themeli, zgjodhi të imponojë propozimin franko-gjerman – i cili, sipas tij, çoi në shkatërrimin e plotë të dialogut politik.
Ai ka thënë se është koha për një kthesë strategjike nga ana e Berlinit, veçanërisht në raport me Serbinë dhe regjimin e Aleksandar Vuçiqit.
Arifi: Politika lajkatare e Gjermanisë ndaj Serbisë ka dështuar
Ish-ambasadori, Avni Arifi, ka kritikuar ashpër qasjen e Gjermanisë ndaj Serbisë, duke e cilësuar si të gabuar dhe të dëmshme për rajonin.
Ai tha se përpjekjet gjermane për ta transformuar Serbinë nëpërmjet integrimeve dhe investimeve kanë dështuar, duke krijuar në vend të kësaj një aleat të fuqishëm të Rusisë në Ballkan.
“Mbase njëra nga arsyet e mungesës së progresit në procesin e dialogut ka qenë pikërisht politika “lajkatare” e Gjermanisë ndaj Serbisë. Politika gjermane ka besuar se duke e integruar Vuçiqin dhe Serbinë në proceset integruese dhe investime, kjo do të përkthehej në një transformim të Serbisë në një shtet me vlera evropiane. Fatkeqësisht, koha dëshmoi që kjo ishte krejtësisht e gabuar. Ata ndihmuan Serbinë në atë nivel, sa që krijuan një aleat të fuqishëm të Rusisë në mes të Ballkanit.
Po dua që të besoj që kjo “kthesë strategjike” të jetë pikërisht e kundërta e asaj çfarë ka bërë Gjermania dekadën e kaluar. Serbia duhet të zgjedhë Evropën apo Rusinë”, thotë ai për “Bota sot”.
Rugova: BE dhe Gjermania duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj dialogut Kosovë–Serbi
Ish-deputeti Naser Rugova, vlerëson se qeveria e re gjermane pritet të ketë një qasje më aktive ndaj sigurisë në Ballkan.
Ai kritikoi dështimin e qeverisë së kaluar dhe të BE-së në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, ndërsa theksoi se ndryshimet globale dhe administrata e re amerikane po e shtyjnë BE-në, sidomos Gjermaninë, drejt një strategjie më konkrete e në interes të stabilitetit rajonal dhe të zgjerimit të vetë BE-së.
“Qeveria e re e Gjermanisë sigurisht që ka qasje të re dhe më proaktive ndaj paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si parakusht i sigurisë dhe stabilitetit në BE dhe më gjerë. Qeveria e kaluar e Gjermanisë dhe BE kanë dështuar në procesin e dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë–Serbi.
Ndryshimet politike globale, ardhja e një administrate të re në SHBA, që është shumë e vendosur në përfundimin e çështjeve të hapura që prodhojnë jostabilitet, do ta obligojë BE-në, e në veçanti Gjermaninë si vendin kryesor të BE-së, që të hartojë një strategji më konkrete, pragmatike dhe në interes të rajonit ballkanik, por edhe të sigurisë dhe stabilitetit në përgjithësi. Në këtë kontekst e shoh edhe deklaratën e Weber. Është momenti i fundit që vërtet të bëhen kthesa strategjike për këtë proces të rëndësishëm edhe për vetë politikat e zgjerimit të BE-së” – përmbylli ai për “Bota sot”.