Ish-ambasadori holandez mbështet kritikat e Osmanit për sanksionet e BE-së – ja çka thotë për Vuçiqin!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë samitit të fundit të mbajtur në Tiranë, në prani të liderëve europianë kërkoi që të largohen masat e vendosura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.
“Unë përfaqësoj shtetin i cili është i vetmi në këtë tavolinë që ka masa nga Bashkimi Europian, dhe asnjëri nuk mund të na tregojë arsyen se pse kjo është ende kështu”- tha presidentja Osmani.
Ndër të tjera, presidentja përmendi vizitën e Vuçiqit në Moskë.
Ajo u shpreh se ndonëse Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian, sërish po përkrahen vende të cilat “shkojnë në Moskë”.
E në lidhje me qasjen e BE-së ndaj presidentit serb dhe kritikat e Osmanit, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.
Së pari, ai tha se është bërë vështirë e kuptueshme kjo qasje ndaj Serbisë, derisa dihet se ky shtet me në krye Vuçiqin është jodemokratik, ata vazhdojnë të bashkëpunojnë me regjime autokratike.
“Është e qartë se BE-ja është bërë më e vështirë në kuptimin që interesi vetjak merr një pozicion edhe më qendror. Këtu Serbia është një shembull i mirë. Edhe pse vendi nën Vuçiçin është gjithnjë e më jodemokratik, shikoni çfarë ndodh me protestat e studentëve, BE-ja intensifikon bashkëpunimin e saj ekonomik pasi të bërit biznes me regjimet autokratike është relativisht e lehtë pasi priten më pak protesta kundër, për shembull, projekteve ekologjike (rasti i litiumit)”, deklaroi diplomati holandez.
Krahas kësaj, përmendi faktin se qeveria e Holadnës duke parë qasjen e qeverisë serbe, ka bllokuar hapjen e më shumë kapitujve, ku të njëjtën kërkoi ta bëjnë edhe shtetet e tjera të BE-së.
“Meqenëse Serbia ka shumë për të ofruar, ajo duhet të bëjë më shumë. Theksoj se, qeveria holandeze ka bllokuar hapjen e më shumë kapitujve për sa kohë që nuk ka reforma dhe më shumë përputhje me politikat e jashtme të BE-së. Por kështu, duhet të jenë edhe qëndrimet e vendeve përkatëse, pasi Komisioni luan më së shumti rolin e parë të interesit të sipërpërmendur”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, diplomati holandez mbështeti kritikat e Osmanit në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, derisa tha se këtu po përdoret standard i dyfishtë.
Në këtë pikë, për largimin e këtyre masave, shtoi se duhet të vendos Këshilli dhe jo Komisioni.
“Pra, Osmani kishte të drejtë kur kritikonte. Sanksionet ndaj Kosovës për moszbatimin e ASMM-së, ndërkohë që Serbia gjithashtu nuk i zbaton shumicën e marrëveshjeve (shih Ohër), sigurisht që kjo nuk është e drejtë. Ose asnjëra ose të dyja: tani ka “moral të dyfishtë”.
Pra, përpiquni të bindni sa më shumë vende anëtare të BE-së që vendos Këshilli dhe jo Komisioni”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.