POLITIKATË FUNDIT

Hashani: Rritja ekonomike në Kosovë s’është përkthyer në zhvillim transformues, nevojitet model i ri zhvillimi

Rritja ekonomike që Kosova ka përjetuar, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, nuk ka qenë e mjaftueshme për të trajtuar sfidat më të mëdha të vendit si papunësia dhe deficiti tregtar.

Kështu vlerësoi drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, në një konferencë të mbajtur të mërkurën në kuadër të aktiviteteve për 30-vjetorin e themelimit të këtij instituti, raporton Ekonomia Online.

“Pozicioni i Institutit Riinvest që është artikuluar përmes këtij raporti evidenton që Kosova ka pasur një trajektore të rritjes viteve të fundit, veçanërisht pas pavarësisë. Megjithatë, norma e kësaj rritjeje nuk ka qenë transformuese, nuk ka qenë e mjaftueshme për të adresuar problemet e rëndësishme që Kosova ka, veçanërisht punësimi dhe disbalanci tregtar. Kjo e rrit nevojën për një model të ri të rritjes ekonomike, i cili model bazohet në ofertë, në përmirësimin e ofertës, rritjes së bazës industriale që do të krijojë vende të punës, por edhe të adresojë çështjen e disbalancit”, tha drejtori Hashani.

Ai foli edhe për ndikimin e ngritjes së çmimeve dhe të energjisë në ekonominë vendore, duke theksuar nevojën për politika të synuara për mbështetjen e kategorive më të prekura.

Sipas tij, sektori privat nuk ka qenë i përgatitur për kalimin në tregun e lirë energjetik për shkak të sinjaleve të vazhdueshme për shtyrje të vendimit dhe mungesës së komunikimit të qartë nga institucionet përgjegjëse.

“Ngritja e çmimeve sigurisht se krijoi presion inflacionar për gjithë ekonominë e vendit. Rritja e fundit do të ketë një refleksion të tillë, i cili pritet. Çmimi i energjisë ka qenë subjekt diskutimi qe një kohë të gjatë. Prej perspektivës së tregut sigurisht se ka pasur argumente për t’u rregulluar çmimi, për t’u harmonizuar çmimi. Megjithatë, duhet dizajnuar politika të targetuara për ato kategori, të cilat kanë vështirësi në pagesë. Sa i përket sektorit privat, sipas legjislacionit të Kosovës, kjo është dashur që të ndodh edhe më herët. Ka pasur shtyrje, e cila ka krijuar bindje te sektori privat që do të ketë shtyrje edhe më tutje dhe sektori privat është i papërgatitur. Një komunikim më i qartë edhe në mes ZRRE-së është i domosdoshëm, në mënyrë që kur të dalim në treg të lirë të kemi sa më pak pasoja dhe informim më të mirë se çfarë na pret në tregun e hapur”, tha ai.

Drejtori i Riinvestit shtoi se perspektiva globale dhe rajonale e rritjes ekonomike po zbehet dhe se kjo do të reflektohet edhe në Kosovë.

“Perspektiva e rritjes ekonomike, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe global, pritet që do të ketë ngadalësim për shkak të ndryshimeve gjeopolitike në botë. Vlerësimet aktuale janë më pesimiste sesa kanë qenë. Që do të thotë se do të ketë një ngadalësim të trendit të rritjes ekonomike të Kosovës”, tha Hashani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *