POLITIKATË FUNDIT

Shpejtim Bulliqi komenton ngërçin politik – mesazh LDK-së: Është koha për përgjegjësi, jo për inate politike

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur për aktualitetin në Kosovë.

Bulliqi ka thënë se edhe pas tre muajve nga zgjedhjet opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, duke shtuar se ky refuzim për ta pranuar rezultatin shihet si përpjekje për të penguar vullnetin e qytetarëve dhe për të ruajtur pushtetin e një elite të ndëshkuar nga vota.

Ai e konsideron si hap të nevojshëm ftesën e presidentes për liderët e partive politike, ndonëse thekson se bllokuesit e procesit dihen.

Kurse, sa i përket refuzimit të LDK për koalicion me LVV-në, Bulliqi thotë se është koha të mendojmë se interesat e qytetarëve duhet të jenë mbi kalkulimet e ngushta politike dhe se kjo është koha për përgjegjësi, jo për inate politike.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale duke theksuar se nuk do t’i ikë përgjegjësisë nëse LVV vendosë që ta kandidojë sërish për postin e kryetarit të Komunës së Podujevës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Bulliqi, si e komentoni situatën politike në vend?

Shpejtim Bulliqi: Situata politike në vend është e qartë: qytetarët kanë folur përmes votës, por disa parti politike po refuzojnë të pranojnë realitetin politik. Kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, ndërsa deputetët e opozitës po e bllokojnë procesin e konstituimit të Kuvendit, për interesa të ngushta partiake. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse tentativë për ta mbajtur peng vullnetin e qytetarëve dhe për ta zgjatur jetën politike të një elite që është ndëshkuar në zgjedhje.

“Bota sot”: Presidentja Osmani ka ftuar krerët e partive në takim, a mendoni se mund të tejkalohet ky bllokim, realisht kush duhet të lëshojë pe?

Shpejtim Bulliqi: Ftesa e Presidentes Osmani për krerët e partive është një hap i nevojshëm dhe i qëlluar, mirëpo të gjithë e dimë se kush po e bllokon këtë proces. Subjektet opozitare duhet të tregohen të përgjegjshme dhe të mos luajnë me durimin e qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje e ka fituar besimin për të udhëhequr institucionet dhe kjo duhet të respektohet. Nuk është çështje kush lëshon pe, por kush respekton rendin demokratik dhe vullnetin e shumicës.

“Bota sot”: LDK nuk pranoi të bëjë koalicion me LVV, çfarë mendoni ju për këtë?

Shpejtim Bulliqi: Lidhur me qëndrimin e LDK-së për të mos bërë koalicion me LVV, ne e respektojmë të drejtën e secilës parti për të marrë vendime politike, por në të njëjtën kohë mendojmë se interesat e qytetarëve duhet të jenë mbi kalkulimet e ngushta politike. Kjo është koha për përgjegjësi, jo për inate politike.

“Bota sot”: Kalojmë te Podujeva, si po ecën puna në komunën tuaj?

Shpejtim Bulliqi: Sa i përket Komunës së Podujevës, puna po ecën shumë mirë. Jemi duke realizuar projekt pas projekti, sipas planit tonë qeverisës dhe premtimeve që i kemi dhënë qytetarëve. Ndryshimet për të cilat kemi folur nuk janë vetëm në letër, ato tashmë janë të dukshme në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, kulturë, në përkrahjen për bujqit dhe në zhvillimin ekonomik.

“Bota sot”: A ka ndonjë punë/projekt që ka has në vështirësi për realizim?

Shpejtim Bulliqi: Sigurisht që gjatë këtij mandati kemi hasur edhe në sfida, sidomos në projekte të mëdha, si dhe në procedura burokratike që ngadalësojnë realizimin e investimeve. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk na ka ndalur dhe nuk do të na ndalë në përmbushjen e zotimeve tona.

“Bota sot”: A do të jeni sërish kandidat i Lëvizjes për Podujevë?

Shpejtim Bulliqi: Për sa i përket angazhimit tim të ardhshëm, unë do të jem gjithmonë në shërbim të qytetarëve të Podujevës. Nëse subjekti im politik përmes organeve të saj e vlerëson se unë duhet të jem Kandidati për Kryetar Komune nuk i iku përgjegjësisë dhe do të jem sërish kandidat për të vazhduar punën e mirë që kemi nisur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *