“Putini i vogël” dhe qasja e rrezikshme e BE-së, alarmi: Rreziku i një konflikti të ri në Ballkan – Kosova të përgatitet që…
Ndërkohë që Bashkimi Evropian mban Kosovën nën masa ndëshkuese, nuk po vepron njësoj edhe ndaj Serbisë. Përkundrazi, Serbia vazhdon të “ledhatohet” nga BE-ja, gjë që u dëshmua edhe në Samitin e mbajtur në Tiranë.
Edhe pse presidenti serb Aleksandër Vuçiq vizitoi së fundmi Rusinë dhe u takua me Vladimir Putinin, BE nuk ndërmori asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, përkundrazi e ftoi që të marrë pjesë në Samitin e Tiranës.
Lidhur me këtë, Dr. Gurakuç Kuçi – hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, shprehet se Serbia ka ndjekur vazhdimisht një politikë të qartë pro-ruse.
“Që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia është rreshtuar qartësisht me interesat gjeostrategjike të Kremlinit në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, në kundërshtim me qëndrimin unitar të vendeve të BE-së dhe aleatëve të saj. Po ashtu, ka thelluar bashkëpunimin energjetik me kompanitë shtetërore ruse, ka pranuar mbështetje ushtarake nga Moska dhe së fundmi Vuçiq vizitoi vetë Moskën, përkundër paralajmërimeve të qarta nga Brukseli se një veprim i tillë është i papranueshëm”, deklaron Kuçi.
Sipas tij, objektivi kryesor i Serbisë ka qenë dhe mbetet destabilizimi i rajonit.
“Paralelisht me këtë politikë, Serbia është pozicionuar si një portë operacionale për ndikimin rus në Ballkan, përfshirë edhe aktivitete spiunazhi kundër institucioneve të Bashkimit Evropian. Ajo ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ka nxitur tensione në Bosnjë e Hercegovinë përmes Republikës Serbe, dhe mbi të gjitha, ka ndërmarrë akte dhune dhe sulme të armatosura ndaj Republikës së Kosovës – përfshirë dy sulme të natyrës terroriste në veri të vendit”, shton Kuçi.
Ai e konsideron të rrezikshme qasjen që po ndjek Bashkimi Evropian ndaj Serbisë.
“Përballë këtij realiteti, qëndrimi i BE-së ndaj Kosovës – ku sanksionet ende mbesin në fuqi dhe kritikat shtohen ndaj veprimeve legjitime të autoriteteve kosovare në veri – është jo vetëm i padrejtë, por përbën një devijim të rrezikshëm nga parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar vetë Unioni Evropian.”
“Duke e trajtuar Vuçiqin si partner të besueshëm, ndërkohë që ai sillet si një ‘Putin i vogël’ në Ballkan, BE-ja rrezikon të kultivojë një autoritarizëm të qëndrueshëm në rajon, që përqafon retorikën neo-imperialiste të ‘Botës Serbe’ – një projekt i rrezikshëm që pret ndryshime të favorshme gjeopolitike për të vepruar”, thekson Kuçi.
Më tej, ai paralajmëron se Evropa rrezikon të bëhet bashkëpunëtore në shpërthimin e një konflikti të ri në Ballkan.
“Nëse interesat ekonomike dhe litiumi e bëjnë Evropën të mbyllë njërin sy para këtyre zhvillimeve, atëherë ajo në mënyrë të heshtur bëhet bashkëautore në krijimin e një konflikti të ri në Ballkan. Dhe nëse BE-ja vazhdon të dërgojë mesazhe se stabiliteti ka më shumë rëndësi sesa drejtësia, atëherë mesazhi për Kosovën është i qartë: Kosova duhet të përgatitet vetë për garantimin e mbrojtjes dhe sigurisë së saj”, nënvizon Kuçi.
Sipas tij, kjo nuk është thirrje për militarizim, por një domosdoshmëri strategjike.
“Kjo nuk është thirrje për militarizim apo përshkallëzim, por një analizë e ftohtë strategjike. Në një ambient ku Serbia ka deklaruar qartë se ‘do të veprojë kur të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare’, Kosova nuk mund të mbetet pasive. Ndërtimi i kapaciteteve reale të vetëmbrojtjes – si mbështetje për paqen dhe sigurinë – nuk është luks, por një nevojë ekzistenciale.”
Në fund, Kuçi kritikon edhe mungesën e unitetit të brendshëm politik në Kosovë.
“Kjo situatë nuk vjen vetëm si pasojë e cinizmit ndërkombëtar, por edhe për shkak të mungesës së unitetit të brendshëm. Përfaqësuesit politikë të Kosovës nuk po flasin me një zë të vetëm në raport me sfidat strategjike – gjë që e dobëson pozitën e vendit dhe e lehtëson ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm që shtrembërojnë realitetin.”
“Kosova ka nevojë për një diplomaci të fuqishme, për një diskurs të matur por të vendosur, dhe për një arkitekturë të sigurisë që buron nga vetëdija se pa drejtësi nuk ka as paqe dhe as garanci për të ardhmen”, përfundon për “Bota sot” Dr. Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”.