Kurti: Kosova, shembull i fuqisë transformuese të rinisë
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova është shembull i fuqisë transformuese të rinisë për një shoqëri të drejtë.
Ai kështu është shprehur në punimet e Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), që po mbahet në Kosovë.
“Kosova, si vend pritës i këtij Këshilli, është shembull i fuqisë transformuese të rinisë dhe i vendosmërisë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë. Historia jonë është një histori e luftës për çlirim, e rezistencës kundër shtypjes dhe shfrytëzimit dhe e përpjekjeve të pandalshme për të krijuar një shtet të bazuar në sundimin e ligjit, në drejtësi e barazi, e në një shoqëri gjithëpërfshirëse e cila nuk e lë askënd mbrapa. Nga vuajtjet e së kaluarës, kemi mësuar se liria dhe drejtësia nuk dhurohen, ato fitohen dhe duhet të mbrohen. Nga sfidat e së kaluarës dhe të tashmes, ne kuptojmë se përgjegjësia për të mbrojtur demokracinë bie mbi supet tona. Dhe nga ëndrrat për të ardhmen, ne gjejmë guximin për të vepruar, për të bashkëvepruar dhe për të ndërtuar një vend më të mirë me të ardhme të ndritshme”, ka thënë Kurti.
Në këtë ngjarje i pranishëm ka qenë edhe ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, Presidentja e Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), Hend Mgaieth dhe deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza.
Kurti duke folur para të pranishmëve tha se roli i të rinjve në këtë kohë është më i rëndësishëm se kurrë.
“Në këtë kontekst, roli i të rinjve si ju, të mbledhur këtu nga të gjitha kontinentet, nga Afrika, Amerika, Azia, Paqësori, Deti i Zi, Mesdheu, Evropa, etj., është më i rëndësishëm se kurrë. Ju jeni arkitektët e një të ardhmeje ku solidariteti triumfon mbi përçarjet dhe ku guximi ynë kolektiv i përgjigjet frikës me vullnet, guxim dhe shpresë”, u shpreh kryeministri në detyrë.
Ai ka bërë të ditur se Rinia për Vetëvendosje, sot zyrtarisht u votua si anëtare vëzhguese e këtij Unioni dhe pjesë e familjes botërore të të rinjve socialistë!