OPINIONTË FUNDIT

“Këta politikanë nuk lëshojnë ‘pe’ pa marrë leje nga Grenell!”, vjen deklarata e fortë pas takimit të Osmanit me liderët politikë

Takimi i krerëve politik me presidenten Osmani, mirë, por jo bash mirë
As pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive parlamentare, nuk është shënuar ndonjë përparim për zhbllokimin e ngërçit politik.

Osmani tha se ky ishte vetëm takimi i parë dhe paralajmëroi se takimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër me secilin lider veç e veç, nëse është e nevojshme.

E në lidhje me këtë takim, për “Bota sot” foli Agim Aliçkaj drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Së pari, ai potencoi faktin se Presidenca është i vetmi institucion i plotë i funksionimit ekzekutiv dhe legjislativ të Kosovës.

Krahas kësaj, Aliçkaj mirëpriti ftesën e presidentes për takim, megjithatë kritikoi mosgatishmërinë e liderëve për të gjetur një marrëveshje politike, me qëllim të kalimit të kësaj bllokade.

“Presidenca e Kosovës, e kryesuar nga presidentja Vjosa Osmani, aktualisht është i vetmi institucion i plotë i funksionimit ekzekutiv dhe legjislativ të shtetit. Ftesa e saj drejtuar liderëve politikë paraqet një përpjekje të sinqertë për tejkalimin e krizës së formimit të organeve të kuvendit dhe institucioneve shtetërore. Pjesëmarrja e tyre në nivelin më të lartë në këtë takim është për t’u vlerësuar si respektim i presidentes dhe shtetit. Megjithatë, mosgatishmëria e tyre për të gjetur një zgjidhje paraqet një veprim që nuk është hiq më pak se jodemokratik.

Presidentja në këtë situatë nuk ka mundësi të bën më shumë sepse arësyet e bllokadës institucionale janë shumë më të thella se sa që shihen dhe tregohen publikisht. Natyrisht që ajo, nga pozita e vet e paanëshme, është mirë ti vazhdojë përpjekjet për dalje nga kjo situatë e keqe për shtetin e Kosovës”, nënvizoi drejtori i LQSHA-së.

ImageAgim Aliçkaj drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.Foto galeri
Po ashtu, Aliçkaj tha se qytetarët e kanë dhënë verdiktin e tyre, që dëshirojnë të udhëhiqen nga Kurti, por që opozita duket se nuk po e pranon këtë.

Në këtë rast, përmendi disa nga shkaqet që po e bllokojnë situatën dhe nuk po i ‘lejojnë’ partitë politike të bëjnë koalicion me LVV-në, apo ndonjë marrëveshje politike.

“Populli i Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka dhënë verdiktin e vet dhe e tregoi me shumicë të konsiderueshme se dëshiron të qeveriset nga KM Kurti me partitë në koalicion edhe për katër vjet, por të jetë më i kufizuar se përpara. Problemi është se krerët e opozitës dhe grupet e caktuara rreth tyre, nuk dëshirojnë ta pranojnë këtë gjë, për shumë arësye.

Arsyeja kryesore e brendshme është dëshira e tepruar për pushtet, frika nga përgjegjësia për korrupsion gjatë qeverisjes së tyre të gjatë në të kaluarën dhe humbja e mundëshme e pasurive të paligjëshme. Inatet personale, zilia, ofendimet dhe urrejtja për njëri tjetrin e kanë rëndësinë e vet, por ato zakonisht tejkalohen me koalicione.

Janë ndikimet nga jashtë ato që po e fuqizojnë qëndresën e krerëve opozitarë deri në atë pikë sa që të bllokojnë me çdo kusht krijimin e institucioneve”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, drejtori i LQSHA-së theksoi edhe ndikimin e shtetit serb në Kosovë dhe politikat që i zbaton përmes “dorës së zgjatur”, siç është Lista Serbe.

Kësisoj, përmendi edhe disa miliona dollar që Serbia po shpërndan në trojet shqiptare, me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kurtit dhe Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Çdo gjë, fund e krye lidhet me armikun e përbetuar të kombit shqiptar, qeverinë kriminale, shoviniste dhe hegjemoniste të zëdhëndësit dhe pasardhësit të kriminelit Milosheviq, kryekriminelit Vuçiq dhe organizatës armiqësore “Lista srpska” të krijuar nga ai, me qëllim të shkatërrimit të Kosovës.

Regjimi serb dhe Lista Serbe e kanë shpallë KM Albin Kurti rrezikun numër një për interesat serbe dhe janë duke bërë çmos në të hapur dhe të fshehur për ta eliminuar ate nga jeta politike. Kjo është mënyra më efektive e veprimit të tyre, të gjitha forcat në një qëllim deri sa të realizohet, pastaj dalin të tjerat.

Serbia po shpërndan miliona dollarë nëpër Kosovë, Shqipëri dhe trojet tona duke i influencuar mediat dhe individë të caktuar, sidomos në organizatat joqeveritare por duke e përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili ka kaluar plotësisht në anën e tyre. Po bëjnë investime marramendëse për lobim në SHBA kundër KM Kurti dhe shtetit të Kosovës. Edhe ish ambasadori Grenell, për interesa të veta, ka kohë që është vënë në shërbim të regjimit serb.

Të gjithë këta, shto këtu edhe disa oligarkë të Kosovës dhe të Amerikës, i kanë bindur krerët e opozitës (jo anëtarësinë e gjerë) që të mos e lejojnë KM Kurti kurrësesi të krijojë institucionet. Ju kanë premtuar pozita dhe “bashkim-vëllazërim” me listen serbe si gjë “përparimtare” që mund të përkrahet edhe nga ndërkomëtarët”, shpjegoi ai.

Tutje, Aliçkaj ironizoi duke thënë se krerët e tri partive më të mëdha opozitare nuk lëshojnë pe në këtë çështje, pa marrë leje nga Grenell dhe disa oligarkë të tjerë.

“Shkurt e trup, nuk ka gjasa që krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të lëshojnë pe në krijimin e institucioneve, pa marrë leje nga oligarkët-sponsor të tyre dhe nga ish emisari amerikan pa pozitë në administratën Trump, Richard Grenell i cili serbëve ju premton kot se do të jua kthejë Kosovën, ndërsa disa shqiptarëve të opozitës qeverisjen dhe Thaqin.

Tash për tash, e vetmja shpresë e vogël është që një pjesë e anëtarëve të LDK-së, pas ofertës bujare për koalicion nga Kurti, si dhe Nisma-së, të shohin qartë situatën, të ndryshojnë mendjen dhe t’i bashkohen opozitës duhet pozitës në interes të shtetit dhe kombit”.

Në fund, shqiptaro-amerikani shtoi se duke parë gjithë zhvillimet, duket se zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten opsioni më real.

“Krijimi i një qeverie kukull nga partitë opozitare me shumë pak vota individualisht, së bashku me listën serbe, është e padrejtë, e pamundur dhe armiqësore. Populli i Kosovës nuk do ta pranojë kurrë këtë.

Një gjë është e sigurt se, KM Kurti dhe koalicioni i tij e kanë me vete popullin shumicë të Kosovës, mërgatën amerikane dhe kudo tjetër, veçanërisht votuesit intelektualë dhe të pavarur nga e gjithë bota. Ata e kanë detyrë të shenjtë historike që në asnjë mënyrë të mos e lejojnë marrjen e pushtetit nga krerët e kompremetuar të opozitës, sepse ekziston rreziku që pas 2-3 muajsh ta kthejnë pushtimin serb në veri të Kosovës.

Sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbetet opsioni më realist, ndoshta i vetmi, për daljen nga kjo situatë e dëmshme për Kosovën dhe demokracinë perëndimore. Fitorja e sigurt i takon popullit të Kosovës dhe askujt tjetër”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *