Kosova në INTERPOL – Njohësit: Serbia shantazhon me tre teori propaganduese
Tash e sa kohë Serbia vazhdon me lobimin kundër Kosovës.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për të ndalur fushatat obstruktive dhe për të kontribuar në stabilitetin e rajonit, Serbia – nën drejtimin e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç – vazhdon një lobim të ashpër dhe të organizuar kundër shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në qendër të këtij lobimi qëndron përpjekja e pandërprerë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata kyçe ndërkombëtare, si INTERPOL, UNESCO apo Këshilli i Evropës.
Kjo qasje obstruktive nuk është vetëm politike, por ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe dëmton përpjekjet për paqe të qëndrueshme dhe integrim ndërkombëtar.
Në vend që të respektojë frymën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe angazhimet që burojnë nga proceset ndërkombëtare, Serbia vazhdon ta përdorë diplomacinë si mjet për të penguar afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Ky lobim sistematik minon jo vetëm integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, por edhe vetë standardet ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.
Në këtë kontekst, përpjekjet për të bllokuar Kosovën në INTERPOL janë veçanërisht të dëmshme, pasi përfshijnë edhe çështje të ndjeshme të sigurisë.
Racaj: Mos-anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka pasoja të drejtpërdrejta në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar
Gjeneral major Muhamet Racaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se lobimi i Serbisë kundër Kosovës, po dëmton integritetin ndërkombëtar të Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për të ndalur fushatat obstruktive dhe për të kontribuar në stabilitetin rajonal, Serbia – nën drejtimin e ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç – vazhdon një lobim të ashpër dhe të koordinuar kundër shtetësisë së Kosovës. Në qendër të këtij lobimi është përpjekja sistematike për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të rëndësishme, siç është INTERPOL-i. Kjo qasje jo vetëm që dëmton integritetin ndërkombëtar të Kosovës, por gjithashtu minon përpjekjet për stabilitet dhe bashkëpunim në rajon.
Bashkësia ndërkombëtare shpesh ka vepruar me kujdes ndaj Serbisë për shkak të balancave gjeopolitike në Ballkan dhe interesave afatshkurtra të disa shteteve anëtare të BE-së apo aktorëve të tjerë. Megjithatë, kjo qasje e zbutur ka inkurajuar Serbinë që të vazhdojë fushatat obstruktive pa pasoja. Serbia ka përdorur diplomacinë e saj agresive për të penguar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, duke ndikuar në vendime të organizatave ndërkombëtare dhe duke vepruar në kundërshtim me frymën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Mungesa e një qasjeje të vendosur nga faktori ndërkombëtar e ka rritur arrogancën politike të Serbisë në raport me Kosovën dhe rajonin”, thotë ai.
Racaj vlerëson se për shkak të balancave gjeopolitike dhe interesave afatshkurtra, bashkësia ndërkombëtare ka treguar një qëndrim të zbutur ndaj Serbisë, gjë që e ka inkurajuar këtë të fundit të vazhdojë pa pasoja fushatat obstruktive kundër Kosovës.