“Takimi i Kurtit me QUINT-in nuk ishte ceremonial” – Voca komenton mesazhin e ndërkombëtarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë – si dhe me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Takimi u zhvillua në një moment kyç për vendin.
Pas përfundimit të takimit, ambasadori gjerman, Jorn Rohde theksoi rëndësinë e një qeverie funksionale dhe vendimmarrëse në Kosovë.
“Mesazhi ynë është i qartë: Kosovës i nevojitet një qeveri stabile që është e aftë të marrë vendime. Më mirë dje se sa nesër,” deklaroi ai, duke shtuar se një sërë detyrash vendore dhe ndërkombëtare janë në pritje, ndërsa përparimi në çështje jetike është urgjent dhe i domosdoshëm.
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka vleresuar se takimi i Kryeministrit Kurti me përfaqësuesit e QUINT-it dhe BE-së nuk ishte ceremonial, por një mesazh i qartë për nevojën e një qeverie stabile dhe funksionale në Kosovë.
ImageMirsad VocaFoto galeri
Ai ka paralajmëruar se kjo thirrje reflekton shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë për bllokimin politik dhe institucional në vend.
“Takimi i fundit i Kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian nuk ishte një takim ceremonial. Ai mbarti një mesazh të fortë dhe urgjent: Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, funksionale dhe të aftë për të marrë vendime. Është një thirrje që nuk duhet relativizuar, sepse pasqyron frustrimin dhe shqetësimin e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës për ngecjen institucionale dhe politike që po e dëmton vendin në shumë rrafshe.
Siç kam theksuar edhe më parë, Kosova duhet të heqë dorë nga pritja e përhershme ndaj ndërhyrjeve nga jashtë. Nuk është normale që çdo krizë politike të mbetet pezull deri sa të flasin ambasadorët. Është koha që vetë klasa politike të mësojë të zgjidhë krizat me maturi dhe përgjegjësi të brendshme. Nuk ka sens që Kosova të sillet sikur është vazhdimisht një rast me nevoja speciale. Ne duhet të ndërtojmë një kulturë të re politike, ku partitë veprojnë me shpejtësi dhe përgjegjësi për të dalë nga krizat dhe jo të mbesin peng i inateve apo i kalkulimeve për pushtet”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Voca ka theksuar se përgjegjësia kryesore për tejkalimin e krizës bie mbi Kryeministrin Kurti, si lideri kryesor politik, nga i cili qytetarët presin reflektim dhe veprim.
“Përgjegjësia më e madhe në këtë moment bie mbi Kryeministrin Kurti, si fitues i zgjedhjeve dhe lideri që mban peshën më të madhe politike. Qytetari pret nga ai veprim, reflektim dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje, sepse zvarritja e mëtejshme i kushton shumë vendit si në politikën e jashtme, në marrëdhëniet me partnerët, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve që ndihen të papërfaqësuar.
Por njëkohësisht, edhe opozita mban përgjegjësi. Ajo duhet të jetë më bashkëpunuese dhe më konstruktive, jo përjashtuese. Në sytë e qytetarëve, çdo tentativë për ta mbajtur vendin në krizë për qëllime politike apo për inate personale, shihet si e qëllimshme dhe dënimi politik për këtë sjellje mund të jetë shumë i ashpër. Çdo veprim që vihet mbi interesin personal ose të partisë, mbi interesin shtetëror, është një veprim antishtetëror”, ka potencuar ai.
Tutje, Voca ka deklaruar se Kosova nuk mund të ecë përpara me inate, ndërsa ka shtuar se se vendi ka nevojë për institucione funksionale.
“Kosova nuk mund të përparojë me inate. Këtë tashmë çdo qytetar e ka kuptuar. Republika ka nevojë për institucione që funksionojnë, për dialog të brendshëm politik dhe për një klasë politike që vepron me përgjegjësi, jo me mllefe. Koha e krizave të zgjatura dhe e përfitimeve politike mbi gjendjen e paqëndrueshme duhet të marrë fund. Vendi ka nevojë për stabilitet, përfaqësim dhe drejtim të qartë, dhe këtë nuk mund ta japë askush tjetër përveç vet lidershipit të Kosovës”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.