Komunikata nr.59: Projekti i dështuar i Hashim Thaçit për zhdukjen e famijes Geci
Si shpëtuam nga atentatet dhe përpjekjet për eliminim nga strukturat e errëta të luftës dhe pasluftës, të udhëhequra nga Hashim Thaçi
Një periudhë e errët e luftës dhe pas luftës, e mbushur me tradhti, eliminime dhe spastrime politike, u shndërrua në një betejë për mbijetesë për familjen tonë. Projekti i “Polarit”, alias Hashim Thaçi, për të na zhdukur si familje nga faqja e dheut, ishte i qartë dhe me qëllime të mirëorganizuara. Megjithatë, ky projekt kriminal nuk u realizua. Ajo që na shpëtoi ishte vullneti i Zotit të Madh, që na dha forcë dhe durim për të përballuar errësirën, ndërsa atyre u dha dobësi, frikë dhe ligësi.
Arsyeja pse Hashim Thaçi, i njohur në ato rrethana si “Polari”, ndërmori veprime të tilla fashiste ndaj nesh, ishte e thjeshtë: ne ishim përkrahës të institucioneve të Kosovës, të udhëhequra nga Presidenti Ibrahim Rugova, dhe mbështetës të Kushtetutës së Kaçanikut. Ne nuk kishim bërë asnjë të keqe – as atij personalisht, e as rrethit të tij – që do të arsyetonte një hakmarrje të tillë çnjerëzore.
Komunikata nr. 59 – një urdhër për vrasje
Hashim Thaçi e shkroi Komunikatën nr. 59 me një qëllim të vetëm: të na shpallte tradhtarë, për të justifikuar eliminimin tonë fizik në emër të UÇK-së dhe të shtabit të tij. Ndërkohë që vetë fshihej pas tre germave dhe pozicionit të tij të dyfishtë, urdhrat që morën vrasësit nga “Polari” kishin si synim zhdukjen e të gjithë atyre që kishin kontribuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Urdhrat ishin të frymëzuar dhe të ushqyer nga shërbime të huaja antikombëtare, të cilat kishin vepruar kundër ekzistencës së Republikës së Kosovës që në fillesat e saj. Në prapaskenë të këtyre zhvillimeve qëndronte vetë Hashim Thaçi.
Një nga dëshmitë më të dhimbshme të kësaj agjende u pa me tragjedinë e familjes Jashari, ndaj të cilës ushtria dhe policia serbe ndërmorën një ofensivë të përgjakshme, e cila u lehtësua edhe nga spiunë shqiptarë në shërbim të armikut.
Në përcjellje të familjes Jashari drejt shfarosjes, ishte përfshirë edhe vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi, i cili më parë ishte rekrutuar nga shërbimi sekret serb (UDB-ja). Ai ishte mbajtur për disa ditë nga UDB-ja, dhe pas lirimit ishte marrë në pyetje nga disa djem të UÇK-së. Më pas, ai u soll në kullën tonë, ku ndodhej edhe vëllai ynë, Gani Geci.
Lidhjet e dyshimta dhe projektet e errëta kundër familjes Geci
Në atë takim, Gani Thaçi pranoi se ishte mbajtur nga UDB-ja për disa ditë. Ai tregoi se gjatë ndalimit, njerëzit e UDB-së e kishin pyetur për ne, duke pretenduar se “policin në Skënderaj, më 6 korrik 1992, e kishit vrarë ju.” Këtë rrëfim Gani Thaçi e bëri para disa djemve të UÇK-së dhe para vëllait tonë, Gani Geci, i cili ishte i pranishëm në kullën tonë. Me këtë deklaratë, ai la të kuptohej qartë se përpjekja për të na etiketuar si fajtorë po vinte drejtpërdrejt nga strukturat e shërbimeve sekrete.
Faktin se Gani Thaçi ishte një bashkëpunëtor i besuar i UDB-së e konfirmon edhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili publikisht ka dëshmuar për lidhjet e tij me shërbimet sekrete serbe.
Lidhjet e Hashim Thaçit me shërbime të huaja
Një tjetër aspekt i errët i veprimtarisë së Hashim Thaçit lidhet me dyshimet për rekrutimin e tij nga shërbimi sekret francez, DGSE. Sipas burimeve të ndryshme të besueshme, thuhet se ai është rekrutuar nga agjenti francez Arnaud Danjean. Ky i fundit, i martuar me një shtetase serbe, ishte i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Serbinë dhe dyshohet se ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me UDB-në — shërbimin sekret të asaj kohe.
Këto lidhje hedhin hije serioze dyshimi mbi qëllimet dhe orientimin strategjik të bashkëpunimeve të tilla, veçanërisht në kontekstin historik kur Franca ka pasur marrëdhënie të afërta me Serbinë.
Kjo tregon se Hashim Thaçi ishte i përfshirë thellë në rrjetin e agjenturës franceze dhe, sipas praktikave të njohura të shërbimeve sekrete, edhe nëse do të tentonte të largohej nga kjo marrëdhënie, nuk do të guxonte. Sepse, për tradhtinë, shërbimet e tilla zakonisht kanë një mënyrë ndëshkimi: një plumb në kokë.
Gjithashtu, edhe vëllai i tij i madh, Gani Thaçi, gjatë periudhës së maskave në Drenicë, ishte marrë me dhunë dhe ishte rekrutuar nga UDB-ja. Ai ishte mbajtur për disa ditë dhe ishte përpunuar intensivisht nga ky shërbim, gjë që tregon se veprimet e tyre ishin të koordinuara dhe të sinkronizuara për qëllime të përbashkëta.
Këto të dhëna tregojnë qartë se Presidenti Ibrahim Rugova dhe rrethi i tij proamerikan ishin vënë në shënjestër të shërbimeve të huaja — pikërisht atyre që kishin rekrutuar Hashim Thaçin dhe vëllain e tij, Gani Thaçin.
Formimi i grupit vrastar
Në këtë klimë represioni e pasigurie, ishte formuar tashmë grupi vrastar i Hashim Thaçit, i përbërë nga një ekip individësh me të kaluar kriminale dhe lidhje të dyshimta, që vepronte në terren duke vrarë, rrahur dhe kërcënuar kë të donte. Nën lupën e këtij grupi për eliminim ishim edhe ne — vëllezërit Geci — për shkak të mbështetjes sonë të hapur ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidentit Ibrahim Rugova.
Dëshmi për një kohë të errët – përpjekjet për eliminimin e mbështetësve të linjës proamerikane në Kosovë
Grupi kriminal që vepronte nën ndikimin e Hashim Thaçit kishte krijuar tashmë një regjistër me emrat e të gjithë atyre që konsideroheshin si proamerikanë dhe mbështetës të Presidentit Ibrahim Rugova. Sipas tyre, këta persona duhej eliminuar. Veprimet e tyre filluan me kërcënime, rrahje dhe vrasje ndaj qytetarëve të pafajshëm, vetëm pse shprehnin publikisht mbështetjen për vizionin e Rugovës. Ka raste kur njerëz u vranë vetëm pse kishin të varur në odat e tyre fotografinë e Presidentit. Edhe sot, pasardhësit e tyre nuk guxojnë të flasin hapur për këto ngjarje.
Gjatë luftës, në Qirez dhe Likoshan të Drenicës, një ekip nga institucionet e përkohshme, i udhëhequr nga Gjergj Deda, kishte ardhur për të parë nga afër gjendjen e popullsisë. Hashim Thaçi dhe Sabit Geci i ndaluan, i rrahën dhe i maltretuan rëndë. Fati i tyre ishte që ndërkohë filloi një ofensivë serbe, e cila bëri që të liroheshin me shpejtësi. Por për ta maskuar aktin kriminal, u urdhëruan të largoheshin drejt forcave serbe, me shpresën se do të vriteshin. Falë qytetarëve, ata shpëtuan.
Maltretimet, rrahjet dhe vrasjet ndaj mbështetësve të LDK-së vazhduan. Me vrasjen e Enver Malokut, shefit të ÇIKU-t, u vendos një terr informativ në Kosovë. ÇIKU ishte i vetmi institucion që e informonte botën për zhvillimet në terren. Me këtë atentat, zëri i së vërtetës u hesht.
Hashim Thaçi dhe rrethi i tij krijuan një klimë frike dhe përndjekjeje për këdo që nuk pajtohej me linjën e tyre politike. Duke u mbështetur në struktura të errëta dhe në shërbime të huaja, ata tentuan të eliminojnë të gjithë ata që besonin në vlerat e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Armët e tyre u kthyen fillimisht kundër familjes Jashari, që u eliminua përmes spiunimit dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me UDB-në, në të cilin ishte përfshirë Gani Thaçi. Pas kësaj, tytat u kthyen kundër Presidentit Ibrahim Rugova dhe rrethit të tij institucional.
Pas vrasjes së familjes Jashari, ne — vëllezërit Geci — u bëmë objektiv për eliminim, vetëm sepse ishim mbështetës të palëkundur të institucioneve të Kosovës, të udhëhequra nga Presidenti Rugova dhe të Kushtetutës së Kaçanikut.
Në atë kohë, unë, Halil Geci, ndodhesha në Tiranë, i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes, nën drejtimin e kolonel Ahmet Krasniqit, një institucion legjitim me komandant suprem Presidentin Ibrahim Rugova.
Komploti për likuidimin tim
Personat që kishin marrë përsipër vrasjen time ishin në shërbim të Komunikatës nr. 59, të lëshuar nga komandanti “Polari”, alias Hashim Thaçi. Ata që organizonin atentatin qëndronin në kafenenë “Drenica” në Durrës, pronë e Gani Kapitit.
Një ditë, vetë Gani Kapiti më tha pa e ditur se po fliste me objektivin e atentatit:
“Bacë Lilë, është një njeri që punon në Ministrinë e Ahmet Krasniqit dhe ka shtyrë vëllain e vet të vrasë komandant Sandokanin. Ky njeri duhet të eliminohet dhe për këtë do të marrim para sa të duam.”
Unë u shtira se isha i interesuar dhe iu përgjigja:
“Nëse ka para, unë do ta sjell atë njeri nesër të lidhur në kafenenë tënde.”
Më pas kërkova mish të pjekur dhe raki, dhe e lamë takimin për nesër, në lokalin e vëllait të tij, Naimit.
Të nesërmen, bashkë me Sadik Ramën nga Gjurxheviku, u ktheva. Pasi nuk u paraqit “viktima e planifikuar”, unë iu drejtova Kapitit dhe i thashë:
“Ndëgjo, ai që po kërkoni, jam unë!”
Ai u shtang, u trondit dhe nisi të shajë, i thashë:
“Mos shaj, vetëm më thuaj emrat.”Kapiti më tha:
“Hajde nesër në orën 12:00 në kafenenë ‘Drenica’. Dhe më gjen ulur me ta në tarracë, dije se ata janë.”
Të nesërmen, kur u paraqita, i pashë tre persona. U afrova dhe i thashë:
“Kam dëgjuar se dikush po më kërkon për kafe – ja ku jam, Halil Geci.”
Të tre u ngritën dhe ikën me shpejtësi drejt plazhit. Njëri ishte Çerim Kelmendi, një tjetër nga Açareva e Drenicës, ndërsa të tretit ia kam harruar emrin.
Përpjekjet e tjera për atentat
Tentativa e dytë për eliminimin tim erdhi sërish nga Drenica. Këtë herë ishte Skënder Misiri nga Runiku, që ishte strehuar në Shkozet të Durrësit. Ai deklaronte hapur se donte të më vriste. Këtë e mësuan Sadik Rama dhe Met Berisha (i biri i Ali Metit), të cilët e paralajmëruan:
“Po t’i ndodhë Halil Gecit diçka, do t’ju djegim të gjithëve.”Tentativa e tretë u iniciua nga kushëriri im Sabit Geci, i cili kishte ndaluar një të afërm të Sandokanit në Kukës dhe e kishte detyruar me armë që të vinte në Durrës për të më vrarë.
Por ky person, për të cilin nuk dua ta përmend emrin, u pendua dhe tregoi të vërtetën te Ferik Fazliu dhe Bellan Mecini, të cilët e bindën të hiqte dorë. Ai u largua drejt Kroacisë për të shpëtuar jetën.
Kur e njoftova vëllain Fadil, ai nuk e besoi menjëherë, por kur dëgjoi dëshmitarët, u bind. Më vonë, vrasësit e dështuar u kthyen drejt një objektivi tjetër – vëllait tim, Fadilit.
Atentati ndaj Fadil Gecit dhe tragjedia e Llaushës
Sipas informatave tona, atentati ndaj Fadilit u pengua nga Gjeladin Geci (Batalli), që deklaroi:
“Me Fadilin kemi qenë në një klasë, jemi rritur bashkë dhe nuk guxoj të lejoj diçka të tillë.”Gjeladini, tashmë i ndjerë, e ndali këtë atentat dhe i shpëtoi jetën Fadilit.
Komunikata Nr. 59 kërkonte vrasës me pagesë, të cilët, fatkeqësisht, u gjetën. Më 19 tetor 2001, në hyrje të fshatit Llaushë, ndodhi një atentat i rëndë. U vranë:
-Bekim Kastrati, gazetar i “Bota Sot”
-Besim Dajaku, truproja e Presidentit Rugova
-Gani Geci, ish-deputet dhe vëllai ynë, u plagos rëndë
-Shani Geci, shpëtoi pa lëndime
Në vitin 2021, Presidentja Vjosa Osmani i dekoroi post mortem Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun me urdhrin “Hasan Prishtina”, duke theksuar nevojën urgjente për zbardhjen e këtij atentati.