OPINIONTË FUNDIT

Shqiptaro-amerikani flet për refuzimin e LDK-së: Vendimi varej më shumë nga forca jashtë partisë se sa brenda

Lidhja Demokratike refuzoi ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion së bashku për të dalë nga kriza për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku propozoi nisjeb e një procesi të ri konsultativ me përfshirjen e partive parlamentare shqiptare për formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit.

Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se ftesa e Albin Kurtit për koalicion me LDK-në u pa si përpjekje për zhbllokimin e situatës politike, por refuzimi i saj solli rikthimin e fajësimeve mes partive.

Ai e sheh këtë lëvizje si të qëllimshme – për të funksionalizuar shtetin ose për të bartur përgjegjësinë te pala tjetër.

“Ftesa e z. Albin Kurti, KM në detyrë dhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, dërguar Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Lumir Abdixhiku për koalicion qeveritar me qëllim të formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës na dha pak shpresë të gjithëve se ngërçi i krijuar institucional do të tejkalohet.

Mendoj se një ftesë e tillë ishte me vend dhe besoj se kishte dy qëllime, njëra në interes të funksionimit të shtetit nëse LDK do të pranonte dhe tjetra për interesa partiake të hudhjes së fajit palës tjetër në rast refuzimi, gjë që edhe ndodhi. Meqë çdo gjë është duke shkuar në drejtim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, si mundësi e fundit, populli medoemos se do ta ndëshkon me votë atë parti të cilën e konsideron fajtore”, thotë ai.

Tutje, Aliçkaj deklaron se refuzimi i menjëhershëm i ftesës së Kurtit nga Lumir Abdixhiku, pa konsultim të gjerë në parti, ngre dyshime se vendimi është ndikuar nga forca të jashtme me interesa klanore e biznesore, mbi interesin shtetëror.

Ai shton, se kundërpropozimi për një qeveri tranzicioni shihet si ide e zbrazët, e papranueshme për VV-në, dhe më shumë si tentativë për ta zhvendosur fajin nga vetja.

“Refuzimi i shpejtë, i pa menduar mirë i z. Abdixhiku, pa u konsultuar mirë me partinë e vet, tregon se ky vendim varej më shumë nga forca jashtë partisë se sa brenda, të cilat nuk ja dhanë pëlqimin. Ato forca, interesat klanore dhe të biznesit i kanë para interesave të shtetit. Është mjaft e qartë se arësyet për këtë refuzim, janë shumë më të thella se sa tregohen dhe i shohim ne.

Kundërpropozimi i menjëhershëm me njëfarë Qeverie të tranzicionit nga ana e z. Abdixhiku, përveç titullit bombastik “nacionale dhe unifikuese”, nuk ka asnjë vlerë tjetër. Këto qeveri krijohen vetëm në kriza të jashtëzakonshme dhe efekti i tyre është minimal, ku punohet keq ose nuk punohet fare dhe fajtorë janë gjithëmonë të tjerët. Pra janë qeveri iluzore të krijuara prej zorit.

Nuk ka dilema, se ky është më shumë një mashtrim, sepse z. Abdixhiku e din fare mirë se një gjë e tillë do të ishte e papranueshme për VV-në, me vota dyfish më shumë se LDK-Ja. Ftesa e tij të gjitha partive parlamentare është tentim i kotë që nga një humbës i zgjedhjeve të shëndrrohet në lider të “unifikimit”. Por, qëllimi i tij kryesor është për t’a çvendosë fajin nga vetja te z. Kurti duke ju friguar dënimit nga elektorati.

Kur gjërat nuk ecin, fajtorë mund të ketë nga të gjitha anët, por fajtorë kryesorë për ngërçin institucional të Kosovës në këtë moment janë ata që duke i shfrytëzuar hapsirat ligjore dhe mungesat në Kushtetutë votojnë kundër ose abstenojnë, pra e bllokojnë krijimin e institucioneve. Mospranimi i votimit të fshehtë, si vlera më e lartë e demokracisë, është edhe një fakt tjetër që e tregon fajtorin e vërtetë”, shpejgon ai.

Më tej, ai thotë se njollosja pa fakte e Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit është cilësuar si sjellje e papranueshme nga deputetë që pritet të jenë të përgjegjshëm.

Arsyetimi për ofendimet gjatë fushatës shihet si i pabazë, pasi në politikën kosovare ato janë tejkaluar vazhdimisht në emër të bashkëpunimit.

Aliçkaj sugjeron që Kurti të marrë hapin e parë për një pajtim simbolik përmes një kërkim-faljeje, për të ndalur retorikën përçarëse. Në fund, fajtorët e vërtetë për krizën shihen tek opozita, e cila, ndryshe nga Kurti që mbështetet te populli, kërkon pushtet përmes ndikimit ndërkombëtar dhe lidhjeve me interesat serbe.

“Mospranimi dhe njollosja e kandidates për Kryetare të Parlamentit, znj. Albulena Haxhiu, pa kurrëfarë faktesh kundër saj, është një sjellje shumë e ulët që nuk duhet të bëhët nga deputetë të aftë e të edukuar. Megjithëate, realiteti është se edhe nëse VV-ja e ndryshon kandidatin, që do të ishte e padrejtë, opozita me gjasa të mëdha nuk do ta votonte.

Arësyetimi tjetër i opozitës për mos votim, i bazuar në disa ofendime të egzagjeruara gjatë kampanjës zgjedhore nga KM Kurti, nuk është asgjë tjetër veçse një farsë. Ofendimet dhe nënçmimet nuk janë asgjë e re dhe janë tejkaluar gjithëmonë me rastin e krijimit të koalicioneve në interes të qeverisjes. Pastaj, ofendimet e opozitës dhe mediave të kontrolluara nga ata ndaj Kurtit dhe VV-së janë njëqind herë më të ulëta, nënçmuese, perçmuese dhe më perçarëse.

Në këtë drejtim, me qëllim të ngritjes së diskursit politik dhe eliminimit të ofendimeve si arësye për mosbashkëpunim, do të ishte mirë që KM Kurti të shënojë një këthesë e cila do ta nderonte atë dhe do ta ndihmonte zhvillimin normal të jetës politike. Të ofrojë kërkim falje i pari për të vetat me kusht që tjerët ta bëjnë të njëjten gjë dhe të ndërpritet ky trend negativ i panevojshëm. Ose, sëpaku tash e tutje të përmbahet nga fjalori i papërshtatshëm. Ky është vetëm një mendim i dëshiruar nga shumë prej nesh.

Mjerisht, arësyeja e vërtetë për situatën e krijuar është krejtësisht tjetër. Përderisa KM Kurti qeverisjen e vendit e bazon te mbështetja nga populli, krerët e opozitës përpjekjet e veta për pushtet i bazojnë te serviliteti ndaj ndërkombëtarëve dhe për më keq bashkëpunojnë me përkrahës të interesave serbe”.

Në fund, shqiptaro-amerikani thotë se përpjekjet e disa eksponentëve të opozitës për ta rehabilituar Listën Serbe përbëjnë rrezik serioz për sovranitetin e vendit dhe konsiderohen si tentativë për rikthimin e ndikimit serb në Kosovë duke shtuar, se opozita, e ndikuar nga oligarkë dhe faktorë ndërkombëtarë pro-serbë, po bllokon formimin e institucioneve dhe në këtë situatë, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbeten e vetmja rrugë për të ruajtur integritetin e shtetit.

“Kohët e fundit shumë eksponent të opozitës janë duke bërë përpjekje ta rehabilitojnë organizatën armiqësore “Lista srpska”. Ata nuk e kanë të qartë se koalicioni me listen serbe do të thotë këthim të Serbisë në Kosovë dhe kjo për popullin e Kosovës është vija e kuqe, e cila nuk mund të kalohet.

Për këtë arsye populli i Kosovës, me votë të lirë e ka shprehë vullnetin që edhe kësaj radhe të udhëheqë me Kosovën z. Albin Kurti, në koalicion të lehtë me ndonjë subjekt tjetër. Z, Kurti e ka detyrë patriotike historike mos ta lejojë opozitën në asnjë mënyrë ta merr pushtetin kësaj radhe.

Ai, me presidenten Vjosa Osmani, me aftësitë e tyre të pakontestueshme, na kanë bërë krenarë në ballafaqim me Serbinë hegjemoniste gjenocidale. Çlirimi i Veriut nga bandat serbe nga ana e Qeverisë Kurti është një arritje historike. Vazhdimi i pushtetit të tyre bashkë me liderë tjerë si Konjufca, Gërvalla, Peci, Maqedonci, Sveçla etj., është esencial për përparimin e shtetit të Dardanisë.

Nëse opozita, e shtyer nga oligarkët, ndërkombëtarët pro-serb dhe mediat e kontrolluara nga ta, nuk e mundëson kurrsesi krijimin e institucioneve në nji marrëveshje normale, bazuar në vota, me fituesin e zgjedhjeve VV-Guxo-Alternativa në krye, atëherë nuk ka rrugë tjetër pos zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Besoj, se pas të gjitha këtyre pështjellimeve dhe vuajtjeve, populli Kosovës me një shumicë më të madhe do të votojë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit dhe se nuk do ta lejojë këthimin e kontrollit serb mbi Kosovën në “bashkim-vëllazërim” me “Lista srpska”, për interesa të padrejta gjeo-politike evropiane”, – përfundon ai për “Bota sot”.

Vlen, të përmendet se për të 12-tën herë radhazi, institucionet përballen me dështimin për të kapërcyer ngërçin politik që ka paralizuar punën e Kuvendit.

Përpjekjet për konsensus mes forcave politike duket se kanë hyrë në një qorrsokak, ndërsa tensionet dhe mosmarrëveshjet vazhdojnë të thellohen.

Seanca pas seance, debati mbetet i stërzgjatur dhe rezultatet mungojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *