OPINIONTË FUNDIT

Ngërçi politik, eksperti austriak bën thirrje: Gjermania tani duhet të ndërhyjë në Kosovë!

Kosova ende po vazhdon në ngërç politik duke mos arritur të formoj institucionet e reja. Fillimisht po bllokohet zgjedhja e kryeparlamentarit te ri, pasi ka dështuar seanca e Kuvendit per nëntë herë më radhë.

Vetëvendosja ka propozuar ish ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por që po refuzohet nga opozita, duke e pamundësuar për të vazhduar tutje me formimin e institucioneve.

Kryeministri Albin Kurti ka ftyar sërish në takim përfaqësuesit e partive opozitare, nga LDK-ja kanë refuzuar t’i përgjigjen kësaj ftese, ndërsa takimi me Memli Krasniqin e PDK-së ka përfunduar pa rezultat.

Duke qenë se pozita dhe opozita nuk po bien dakord rreth zgjidhjes se kësaj çështje, a duhet ndërhyrje nga jashtë për t’i ndihmuar? Cili shtet mik i Kosovës mundet ta ndihmojë në këtë rast?

Lidhje me këtë çështje, ka folur eksperti austriak Gunther Fehlinger. Ai ka përshkruar gjendjen aktuale në Evropë, duke përfshirë Kosovën, Gjermaninë e Ukrainën.

ImageGunther Fehlinger.Foto galeri
“Të martën e ardhshme do të votohet qeveria e re gjermane në pushtet dhe të gjitha problemet e Evropës, nga Ukraina në Ballkan, do t’i lihen kancelarit të ri Friedrich Merz për t’i zgjidhur. Prioriteti i tij do të jetë fitimi i luftës në Ukrainë dhe shpërqendrimet nuk janë të mirëseardhura. Mjerisht, Ballkani është kthyer si fuçi baruti dhe Serbia duhet të përballet dhe të përmbahet si burim i të gjitha problemeve të Ballkanit. Gjermania ka nevojë për të gjithë aleatët e Gjermanisë në Ballkan, si Kosova dhe Bosnja, që të luajnë mirë dhe të ushtrojnë presion maksimal kundër Serbisë. Bosnja po e bën këtë dhe Dodik e ka shumë të vështirë tani, duke u ndjekur nga policia boshnjake”, vlerëson eksperti austriak.

Sa i përket gjendjes në Kosovë, ai thotë se, mjerisht, në Kosovë, të dy palët kundërshtare janë në një bllokim të hidhur në Parlament dhe nuk duket se ka asnjë shans për të gjetur një kompromis.

“Gjermania tani duhet të ndërhyjë dhe të marrë kontrollin e situatës dhe në thelb të imponojë një zgjidhje për Kosovën. Formula është e qartë që nga fillimi i kësaj krize dhe ndryshimi sizmik në politikën e SHBA-së dhe BE-së në të djathtë. Kosova nuk mund të drejtohet më si një Ishull Socialist në Ballkan. Kosova ka nevojë për një qeveri të re me miq në Bruksel, Berlin, Romë dhe Uashington. Albin Kurti ka një mandat të fortë për t’u bërë President i Parlamentit dhe më vonë President i Republikës, por koha e tij si Kryeministër ka mbaruar”, thekson ai.

Tutje ai thotë se, Kosova ka nevojë për një Kryeministër që mund të punojë me Trump, Merz dhe Melonin, Kallas dhe Ursula van der Leyen.

“Dhe Albin Kurti nuk është njeriu i duhur për këtë. Është e vështirë t’i lësh pushtetin atij pas 5 vitesh, por është koha të shkojë në poste më të larta. E drejtë apo jo, nuk ka asnjë mënyrë që Kurti të gjejë shumicën për qeverisje, pasi ai nuk mund të zgjedhë as Kryetarin e Kuvendit. Dhe Kosova ka nevojë për lidership të ri. Kryqëzata e Albin Kurtit kundër korrupsionit ka ngrirë shumë investime të mëdha të cilat mund dhe do ta transformojnë Kosovën në nivelin tjetër të prosperitetit. Kosova ka nevojë për shumë më tepër investime tani për të rritur standardet e jetesës për ta bërë të realizueshëm anëtarësimin në BE, më së miri në vitin 2029. Gjermania do ta shohë logjikën e një qeverie të koalicionit të gjerë të lidhur nga qeveria gjermane dhe një qeverie të Kosovës bazuar në modelet gjermane, që tingëllon vërtet mirë”, nënvizoi Fehlinger për Bota sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *