“Duhet të ishin në protestë” Qori pranë puntorëve që dalin në punë për 1 Maj
Arlind Qori ka denoncuar këtë 1 Maj faktin që në Shqipëri, edhe pse është një ditë pushimi, puntorët janë detyruar të dalin në punë, për shkak të faktit që të drejtat e tyre nëpërkëmben rregullisht. Qori thotë se kjo nuk është rastësi, se në Shqipëri, sipas të gjitha statistikave shqiptarët punojnë më shumë orë në javë se në çdo vend tjetër të Evropës, pasi qeverisen nga një kryeministër që përfaqëson interesat e oligarkisë dhe që i tall puntorët shqiptarë duke i quajtur “dembelë”.
“Kudo në botë protestohet. Edhe në Shqipëri, sipas Kodit të Punës, kjo është një ditë zyrtare e pushimit. Në radhë të parë për puntorët, mirëpo në Shqipëri, anembanë Shqipërisë, sot puntorët punojnë, sidomos puntorët e ndërtimit. Punojnë për oligarkët, punojnë pë rata që pastrojnë paratë e krimit të organizuar. Ne jemi një vend i sunduar nga një qeveri kleptokratësh, me në krye Edi Ramën që nuk do t’ia dijë për njerëzit e punës, i përçmon ata, nuk ua mundëson të organizohen në sindikata, madje kryeministri i vendit edhe i tall ata dhe u bën thirrje puntorëve të vendeve të tjera, të vijnë dhe të zëvëndësojnë ata që ai i quan “dembelët shqiptarë”. Ky është skandal, sot puntorët duhet të ishin në protesta, sot puntorët duhet të ngrinin zërin e tyre për faktin se në Shqipëri, sipas të gjitha të dhënave dhe studimeve punohet më shumë orë pune në javë se kudo në Evropë dhe pagat janë nga më të ultat. Lëvizja Bashkë rreshtohet me krenari në krah të puntorëve dhe ne zotohemi që me të hyrë në parlament do të bëjmë naming në mënyrë që të drejtat e puntorëve të respektohen. Sot duhet të ishte një ditë proteste dhe ditë pushimi, por fatkeqësisht puntorët këtu në Malin e Robit, në Tiranë dhe kudo tjetër janë detyruar të dalin në punë, pavarësisht se është në të drejtën e tyre që të protestojnë dhe të pushojnë” ka thënë Arlind Qori, që në videon e këtij 1 Maji shfaqet në Malin e Robit, ndërsa pas krahëve të tij vazhdohet të punohet për ngritjen e pallateve në bregdet.
“Aty ku sundon një keqbërës që krenohet se nuk ka sindikata, punëtorët shfrytëzohen e robtohen më keq se kafshët” është diçitura që shoqëron videon e Qorit në rrjetet sociale.