Ambasada Amerikane flet për bllokadën institucionale të Kuvendit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar lidhur me pamundësinë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, duke bërë thirrje për respektim të Kushtetutës dhe përgjegjësi politike.
Në një deklaratë për media, një zëdhënës i kësaj ambasade tha se është obligim i lidershipit politik që të formojë institucionet e reja në përputhje me rendin kushtetues të vendit.
“Varet nga populli i Kosovës të përcaktojë se kush duhet ta përfaqësojë atë. Kosova është një vend sovran, demokratik dhe i pavarur,”
“Është përgjegjësi e lidershipit politik të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në deklaratë.
Deklarata vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar tetë herë radhazi të konstituohet.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti të marrë shumicën e votave për herë të gjashtë, as në seancën e mbajtur më 29 prill.
Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kandidaturën e saj, ndërkohë që partitë opozitare refuzojnë ta mbështesin dhe kërkojnë një emër konsensual – një qëndrim i ngjashëm me atë që dikur kishte mbajtur edhe Albin Kurti në kohën kur bllokonte kandidaturat e koalicionit PAN.
Ndërkaq, me 30 prill kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes së cilës e fton në një takim konsultativ me qëllim të konstituimit të Kuvendit të ri.
Në letër, Kurti thekson nevojën për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, përfshirë edhe kryetarin e tij, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe rregulloren përkatëse.
Ai e fton Abdixhikun që të marrë pjesë në një takim me përfaqësuesit e tre partive kryesore, ku do të marrë pjesë edhe Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Takimi është caktuar të mbahet të enjten, më 1 maj 2025, nga ora 08:30, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.