OPINIONTË FUNDIT

Analisti jep parashikim: Ja kush do të forcohej dhe kush do të dobësohej në rast të zgjedhjeve në maj apo qershor

Nesër do të mbahet seanca e shtatë me radhë përpjekje kjo për formimin e kuvendit të legjislaturës së nëntë.

Seanca do të mbahet nga ora 10:00 dhe Lëvzija Vetëvendosje vazhdon të propozojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

Haxhiu të premten ka dështuar për herë të gjashtë të sigurojë vota të bëhet kryetare e kuvendit dhe për këtë nga opozita fajësojnë partinë fituese.

PDK, LDK, AAK e Nisma thonë se Lëvizja Vetëvendosje me qëllim bllokon seancën konstituive, gjersa shprehin gatishmëri edhe për zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e reja nuk po i refuzon as Lëvizja Vetëvendosje, madje thonë se për të kaluar nga ky ngërç ato janë të domosdoshme.

Analisti politik Zejnullah Jakupi, thotë se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, atëherë PDK mund të ketë humbje në përqindje për shkak të bllokadës.

Sipas tij, nëse shkohet në zgjedhje opozita PDK dhe LDK vetëm me një koalicion parazgjedhor mund të arrijnë nivelin e votimit që e kanë tani.

ImageAnalisti politik Zejnullah JakupiFoto galeri
“Zgjedhjet e reja do ta forconin LVV, GUXO dhe Alternativën dhe do i dobësonin partitë opozitare, mes tyre më së shumti do të dobësohet AAK dhe LDK. PDK ka marrë këtë herë më shumë vota se LDK sepse e ka fituar diskursin publik edhe duke përdorur krerët e UÇK-së në Hagë dhe natyrisht me këtë narrativë ka elektrizuar elektoratin. Por një humbje në përqindje mund të pritet tek PDK sepse me këtë bllokadë po shihet se PDK dhe LDK janë në të njëjtën vijë dhe ani pse nuk kanë dalë të parat në votime nuk kanë vullnet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve. Nëse shkohet në zgjedhje opozita PDK dhe LDK vetëm me një koalicion parazgjedhor mund ta arrijnë këtë nivel të votimit siç e kanë tani, përndryshe do të pësojnë dukshëm rënie në votim”, deklaron Jakupi.

Ai parashikon një përqindje më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjersa shton se nëse nuk mbahen zgjedhjet një bashkëpunim me AAK-në do të fitoheshin votat për të bërë organet e kuvendit.

“Ndërsa po në qoftë se shkohet në zgjedhje të reja LVV-së do t’ia mundësonin përqindjen më të lartë, sepse nga kjo bllokadë u pa se LVV ka vullnet që të bashkëqeverisë duke i ofruar NISM-së dhe LDK-së bashkëpunim dhe kjo tregoi se LVV nuk është më partia e vjetër që garonte e vetme dhe përjashtonte bashkëpunimin pas rënies së qeverisë Kurti I.

Nëse nuk dëshirohet të shkohet në zgjedhje të cilat mund të jenë sfiduese për opozitën, atëherë duhet të kalkultohet në një bashkëpunim me AAK dhe përfshirjen e saj në koalicionin e madh e me këtë do të fitoheshin votat për të bërë organet e kuvendit dhe të qeverisë e me këtë do të kishim tutje një opozitë të fortë PDK-LDK”, shton analisti.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *