OPINIONTË FUNDIT

Dështim pas dështimi/ Profesori: Kjo është “patatja e nxehtë” që askush s’e përmend

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas tentimit të tetë me radhë. Deputetët nuk i dhanë votat e nevojshme kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke shtyrë sërish procesin e zgjedhjes së kryesisë dhe bllokuar funksionalizimin e legjislativit.

Ky ngërç politik po zgjat tashmë disa javë, duke shtuar presionin publik mbi subjektet parlamentare për të gjetur një zgjidhje që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja.

Profesori Fadil Maloku ka thënë se saga e bllokadës në Kuvendin e Kosovës po shndërrohet në një strategji të qëllimshme politike, ku partitë, përmes kryeneçësisë dhe refuzimit, synojnë presion ndaj rivalëve dhe shmangie të “patates së nxehtë” si Asociacioni, Gjykata Speciale dhe temat integruese.

Sipas tij, bllokada nuk është vetëm taktike – është pasqyrë e mungesës së guximit për t’u përballur me temat reale.

“Odisejada e bllokadës në formimin e institucioneve në Parlamentin e Kosovës duket që do zgjasë edhe për një kohë…Bllokada si strategji politike, në rastin tonë përveç që është një sadomazohizëm i llojit të vetë (se bazohet ende në kryeneçësi fisnore!) në etnopsikologjinë dhe mentalitetin tonë, është shndërruar e ndërtuar edhe në një mjet mjaft të sofistikuar për të ushtruar presion sistematik mbi rivalët ideologjik dhe për të fituar sa më shumë pushtet në procesin e formimit të qeverisë së ardhshme kosovare.

Tipi i bllokadës “made in Kosova” që u “kultivua” gjatë këtyre tetë seancave të dështuara me përplot nuanca sadomazohiste për ta “lënduar” kundërshtarin politik sidomos në pikat që rivalët ideologjik i kishin identifikuar si më të dobëtat, me seancën e tetë në fakt, ka filluar të marrë edhe ca doza të një vetëkënaqësie e vetëlëndimi (lexo; masturbimi!) të ri socio politik që (as)pak është parë në të kaluarën e afërt. Kjo “dozë” sa po mund të hetohet përveç qëllimit final që e ka ndërtimin e narracionit të shfajësimit dhe “viktimizimit” që ndodhi gjatë gjithë seancave bllokuese, e ka edhe një porosi tjetër sociale: atë të shpërndarjes se kësaj “doze” me aplikativitet sa më masiv te elektorati dilematik dhe militantët agresiv, nevojën e një “kujdestarie online”, nëpër rrjetet sociale dhe jetën publike.

Fitohet përshtypja se e gjithë saga e bllokadës, si mjet politik në prapavijë e ka ” pataten e nxehtë”, të cilën asnjë subjekt nuk po guxon as ta përmend në këtë fazë. Arsyet janë të ndryshme. Por, që të gjithë e dinë, ama askush s’po e merr guximin ta “promovoj” e artikuloj te qytetaria ate. Pra, “Patatja e nxehtë” (Asociacioni, Gjykata Speciale, proceset integruese, anëtarësimi në institucione ndërkombëtare, sanksionet, etj.), është ajo “vija e kuqe” apo ajo pengesa kryesore që faktikisht është duke e bërë “afirmimin “e bllokadës së Parlamentit”.

Tutje, Maloku thekson se partitë përdorin pretekste të jashtme për të maskuar refuzimin e përgjegjësisë dhe, përmes bllokadës së zgjatur, po ushtrojnë një “makiavelizëm politik” për të rritur ndikimin dhe pozicionet në negociata. Por sipas autorit, në një sistem demokratik, bllokada gjithmonë ka një fund – ose për mirë, ose për keq – dhe asnjë manovër politike nuk mund të zgjasë pafundësisht.

“Një koalicion potencial që në agjendat e veta partiake e ka të përfshirë temën e “patates së nxehtë” gjithsesi për t’i ikur përgjegjësisë do e refuzoj pjesëmarrjen në formimin e qeverisë së ardhshme. Dhe gjithnjë do gjejë pretekste periferike, për ta “ambalazhua” e kamuflua argumentin e refuzimit. Të gjitha subjektet parlamentare, shpresojnë se; Bllokada si mjet e metodë e lejuar politike që përdoret për të bërë presion mbi rivalët politik në mënyrë që të përfitohet sa më shumë pushtet e ndikim publik, ani pse është në lloj “makiavelizmi” i vrazhdë, në vendet me traditë të gjatë demokratike gjithnjë e ka pasur një epilog përfundimtar qoftë në favor të “bojkotuesëve” qoftë të “kërcënuesëve” të rendit Kushtetues…”, përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *