Kulti i liderit të vetëm – një rrugë drejt shpërbërjes politike?
Në një analizë të fundit, opinionisti Lirim Gashi vë në dukje rrezikun që paraqet varësia politike nga një lider i vetëm, duke marrë si shembull situatën aktuale në Kosovë me Albin Kurtin. Gashi thekson se një parti që mbështetet vetëm në një figurë, pa ndërtuar një strukturë të fortë dhe të pavarur, rrezikon të shembet si një shtëpi prej kartoni. Ai bën thirrje për reflektim më të thellë dhe ndërtim të institucioneve të vërteta demokratike, duke tejkaluar retorikën e zbukuruar politike. Më poshtë, shkrimi i plotë:
Shkrimi i plotë:
Ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani, thotë se javën e ardhshme do të gjendet një zgjidhje për formimin e Kuvendit dhe pas kësaj partitë e opozitës do të formojnë qeverinë!
Pa koment…
A e dinë partitë në pushtet se çfarë kurthi i pret?
Një gjë duhet ta dinë partitë në pushtet:
Ato janë po aq të varura nga Albin Kurti sa mushkëritë nga ajri, por historia ka treguar se edhe shtetet që varen nga një person i vetëm shpërbëhen dhe shemben si figura domino ose si shtëpi prej kartoni dhe polistireni.
Albin Kurti duhet ta zvogëlojë egoizmin e tij personal dhe ta forcojë partinë e tij me individë të fuqishëm atdhetarisht, ideologjikisht, moralisht, mendërisht, strategjikisht dhe profesionalisht, sepse edhe në socializëm nuk ka funksionuar motoja “Edhe pas Titos, Tito”, e aq më pak në demokraci.
Kosovarët duhet të jenë të vetëdijshëm që oratoria e mirë e liderëve politikë është e rëndësishme, por nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar jetën e tyre realisht. Politikën nuk duhet ta shohim si një telenovelë turke, ku çdo episod përfundon me një zgjidhje të shpejtë dhe dramatike. Po, liderët mund të flasin bukur, të emocionojnë, dhe të krijojnë entuziazëm përmes fjalëve të tyre, por politika nuk është vetëm fjalë – është punë, përgjegjësi dhe vendime që kanë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve.
Në një sistem politik modern, partitë duhet të kenë struktura të forta, strategji afatgjata dhe të jenë të orientuara drejt zgjidhjeve konkrete për problemet e qytetarëve. Ato duhet të funksionojnë si institucione që punojnë për të siguruar mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë shoqërinë, duke u bazuar në parime të shëndosha dhe duke ofruar mundësi për pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin vendimmarrës.
Një parti moderne politikë është ajo që ka një program të qartë dhe të mirëpërgatitur për të adresuar sfidat e vendit, e jo vetëm të përqendrohet në marketing politik dhe premtime që nuk janë të realizueshme.
Për dallim nga partitë moderne evropiane, partitë tona politike shpesh janë të ngarkuara me liderë që përdorin fjalime pompoze për të shpërqendruar vëmendjen nga mungesa e veprave konkrete.