POLITIKATË FUNDIT

Alarm për sigurinë: Të miturit po bëhen ekzekutorë në duart e krimit të organizuar

Në vitet e fundit, Kosova është përballur me raste shqetësuese të përfshirjes së të miturve në krime të rënda. Dy raste të veçanta që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik janë vrasja e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik dhe vrasja e Valmir Breznicës, i njohur me nofkën “Dhia”, në Podujevë.

Vrasja e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik

Mbrëmjen e 1 prillit 2025, rreshteri Muhamed Lika u qëllua për vdekje në hyrje të banesës së tij në Kaçanik. Sipas informacioneve të para, ai ishte duke hyrë në ndërtesën ku banon, kur ndodhi sulmi me armë. Viktima u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por për shkak të plagëve të marra, ai ndërron jetë.

Vrasja e Valmir Breznicës në Podujevë

Në vitin 2023, në Podujevë, ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë, ku Valmir Breznica, i njohur me nofkën “Dhia”, u vra në hapësirat e “Interex”-it. Ky rast ka tërhequr vëmendjen për shkak të moshës së dyshuarit kryesor, i cili ishte vetëm 15 vjeç në kohën e ngjarjes.

Vrasjet e kryera nga të miturit janë shqetësuese, shprehen njohës të çështjeve të sigurisë. Ata u bëjnë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar rritjen e krimeve të rënda.

Morina: Ekziston një rritje e rrezikshme e radikalizmit

Ish-nënkoloneli Policor, Refki Morina, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur i shqëtësuar me rritjen e vrasjeve nga të miturit.

ImageRefik MorinaFoto galeri
“Rritja e numrit të vrasjeve të kryera nga të miturit në Kosovë shkakton shumë shqetësime serioze, si p.sh. siguria publike, ku rritet ndjenja e pasigurisë në komunitet, shkolla dhe lagje. Sinjalizohet se familja, shkolla, shërbimet sociale apo sistemi i drejtësisë për të mitur nuk funksionon si duhet në parandalim. Gjithashtu, kemi të mitur që kryejnë vrasje dhe shpesh përballen me trauma, depresion ose çrregullime të tjera të patrajtuara. Prania e lehtë e armëve dhe kultura që normalizon dhunën mund të nxisë çrregullime të tjera të patrajtuara, kushtet e vështira socio-ekonomike, përhapja e dhunës përmes internetit”, ka thënë ai.

Morina i ka përmendur disa nga fatorët që mund të dërgojnë deri të kryeja e krimeve, si vrasja.

“Një brez që rritet mes dhunës mund të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin e shoqërisë dhe stabilitetin e saj gjithëpërfshirës.

Faktorët kryesorë që mund të çojnë një të mitur drejt akteve ekstreme si vrasje janë disa dhe shpesh janë një kombinim i faktorëve si: personal, familjar, social dhe kulturor. Si p.sh. ambienti familjar problematik – dhuna në familje, neglizhenca prindërore ose mungesa e kontrollit apo mbështetjes, prindër të përfshirë në krim, alkoolizëm, drogë – ose fëmijë që përjetojnë abuzim. Çrregullimet mendore, shokë që promovojnë dhunën ose grupe kriminale, ndjenja e pashpresës, mungesa e mundësive për një jetë më të mirë mund të çojnë drejt akteve ekstreme. Shikimi i dhunës në media, filma, lehtësia e gjetjes së armës, mungesa e edukimit moral-emocional, hakmarrja ose ndjenja e padrejtësisë, kriminalizimi i hershëm, mosndërhyrja adekuate, etj”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ish-nënkoloneli Policor ka përmendur arsyjen se pse të miturit mund të shfrytezohen për të kryer krime të rënda.

“Shumë herë, persona të rritur ose rrjete kriminale preferojnë të përdorin të miturin për të kryer vepra penale të rënda si vrasje, trafik droge, grabitje. Arsyeja për këtë është: sepse ligji në Kosovë e trajton më butë të miturin sesa të rriturin, duke parashikuar masa edukative ose refuzim të dënimit. Të miturit shpesh janë më të ndikuar nga të miturit e tjerë dhe mashtrohen lehtë nga ata. Të miturit që vijnë nga varfëria ose mund të bien viktima e premtimeve boshe për para, lavdi apo mbrojtje, janë më mendjelehtë dhe shpesh nuk i kuptojnë veprimet e tyre vrastare. Po ashtu, të rriturit mund t’i mbajnë të miturit nën kontroll ose kërcënim ndaj tyre”, ka potencuar ai.

Sipas tij, ka disa tipare që vihen re përfshirjes së të miturve në krim të organizuar, si vrasje me pagesë dhe vrasje me elementë të terrorizmit.

“Tendenca e rritjes ose përfshirjes së të miturve në krim të organizuar, si vrasje me pagesë apo vrasje me elementë të terrorizmit, ka disa tipare që vihen re jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë botën. Disa prej këtyre tipareve janë: rekrutimi i hershëm nga grupet kriminale, normalizimi i dhunës në moshë të re, si p.sh. përmes mediave, muzikës, videolojërave të dhunshme, etj. Përdorimi i të miturve si “killerë” me pagesë – të miturit shpesh pranojnë të kryejnë vrasje për pagesa të vogla krahasuar me çfarëdo që kërkonte një kriminel profesional. Ekziston një rritje e rrezikshme e radikalizmit në internet, ku të miturit ekspozohen ndaj ideologjive ekstremiste politike, fetare, etnike, etj. Mosndëshkimi efektiv – dënimet më të buta për të miturit, tensionet sociale, ekonomike si varfëria, papunësia e të rinjve, mosperspektiva, etj., si dhe mbeturinat ideologjike nga ekstremizmi i dhunshëm”, ka deklaruar Morina për “Bota sot”.

Elezi: Alarm serioz për shoqërinë në Kosovë

Ndërkaq, në anën tjetër, për rrjitjen e vrasjeve, eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka drejtuar gishtin nga institucionet e drejtësisë dhe të atyre të sigurisë.

“Jemi dëshmitarë të asaj se në Kosovë, vitet e fundit, dhuna është në rritje. Kemi shumë raste ku qytetarët e Republikës së Kosovës kanë vendosur t’i përdorin armët për të bërë vetëgjyqësi, dhe kjo është për shkak të një performance të dobët të institucioneve të drejtësisë dhe të atyre të sigurisë.

Po ashtu, nga fakti që çdo vit kemi një rritje të numrit të rasteve, vetëgjyqësia po bëhet një çështje mjaft interesante për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për personat me potencial kriminal. Atëherë, kujtoj se institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë bërë matjen e duhur dhe nuk kanë menduar realisht se si të organizohet një platformë e re që i përket organizimit të sigurisë në përgjithësi”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai është pyetur se cilat arsyet kryesore që çojnë të miturit drejt akteve ekstreme si vrasja. Elezi është përgjigjur kështu:

“Ndërsa në pyetjen tuaj konkrete, si ishte rasti i fundit në Kaçanik, ku një i mitur ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë kundër një pjesëtari të Policisë së Kosovës, dhe rasti tjetër që keni përmendur në vitin 2023 në Intereks, ku përfshihen kryesisht të miturit, vërtet është një sinjal serioz i shoqërisë kosovare në lidhje me dhunën, e cila po merr mbështetje dhe po zbatohet pikërisht tek të miturit, të cilët, në vend që të jenë të angazhuar në aktivitete që lidhen me edukimin dhe zhvillimin e tyre në shkollë, vendosin të kërkojnë posedimin e armëve, veçanërisht armëve të zjarrit, dhe më pas i përdorin ato për të rrezikuar apo për të provuar jetën e të tjerëve. Ky rast dhe raste të tjera ku të miturit janë përfshirë në raste dhune, përfshirë vrasjet, duhet të trajtohen me kujdes të shtuar.

Në radhë të parë, nëse këta persona të mitur kanë guximin dhe kapacitetin për të kryer veprime të dhunshme, siç është vrasja, ata janë të rekrutuar nga mekanizma që janë caktuar të përdoren pikërisht për shkak se janë të mitur. Ligji në Kosovë për të miturit ka paraparë dënime maksimale për vrasje të tilla deri në 10 vjet, dhe personat që eventualisht do të kërkonin shërbim nga të miturit, do të kërkonin pikërisht këtë kategori, duke u bazuar në lehtësimet që ka Kodi Penal i Republikës së Kosovës sa i përket personave nën moshën 18 vjeçare.

Në rastin konkret të vrasjes së rreshterit të Policisë Muhamet Lika, dyshohet se vëllau i tij ishte personi që kishte planifikuar dhe realizuar vrasjen. Sipas informacionit minimal që është përmendur nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, Rehen Bela dyshohet se kishte kryer veprën e vrasjes, duke ndjekur një kërkesë ose urdhëresë nga vëllai dhe i mbështetur nga grupi që tani është arrestuar dhe ndaj të cilëve janë ngritur dyshime”, ka sqaruar Elezi.

Po ashtu, ai ka treguar se çfarë duhet të bëjnë institucionet që të parandalohen krimet e rënda nga të miturit.

“Prandaj, Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatën e Kosovës, duhet t’i shqyrtojnë këto raste me kujdes të shtuar dhe të vendosin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar që në të ardhmen të kemi të rinj që do të vendosin të marrin armë në duar dhe të kryejnë veprime që bien ndesh me ligjin apo me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Elezi.

Më tutje, eksperti i sigurisë ka përmendur edhe ndikimin e rrjeteve sociale.

“Ne gjithashtu kujtojmë se rrjetet sociale, sidomos TikTok, kanë luajtur një rol në nxitjen e krimit për moshat e reja. Kemi parë shpesh herë në TikTok shfaqje të personave të mitur me diskutime të ndryshme rreth mënyrës se si ushtrohet dhuna. Madje, kemi pasur raste ku të rinjtë në këto rrjete sociale, posaçërisht në TikTok, janë krenuar me veprime të dhunshme, gjë që ka bërë që të ndikohen drejtpërdrejt edhe qytetarët e tjerë të rinj, të cilët potencialisht mund të ndikoheshin lehtësisht, bazuar në moshën e tyre dhe mundësitë për të ndikuar”, ka shtuar ai.

Elezi ka përmendur edhe shkaqet që kanë mundur të ndikojnë në rastin e të miturëve, të cilët dyshohen që kanë kryer vrasjen e rreshterit Lika dhe atë të Breznicës.

“Prandaj, këto raste dhe rastet e tjera janë një alarm serioz për shoqërinë në Kosovë, duke u nisur nga mënyra e organizimit të edukimit dhe krijimi i kushteve për mbrojtjen e të rinjve.

ImageBedri EleziFoto galeri
Krijimi i kushteve për të zhvilluar mekanizma të rinj për të mbrojtur të rinjtë nga veprime të tilla është i domosdoshëm. Krijimi i kushteve gjithashtu duhet të parandalojë që të rinjtë të kenë mundësi të arrijnë tek posedimi i armëve, t’i përdorin ato dhe, në këtë mënyrë, të kenë dëshirë për t’i poseduar. E para që ndodh është se adoleshentët shpesh janë të ekspozuar ndaj situatave të dhunshme dhe janë të interesuar të paraqiten siç njihen nga populli si gangsterë, duke u inspiruar nga veprimet e filmave të ndryshëm ose aktiviteteve të ndryshme në media, të cilat shpesh kanë të bëjnë me një jetë të pa-realizueshme.

Këto rrethana, padyshim, kanë ndikuar edhe tek dy të rinjtë e përmendur, duke i bërë ata të ushtrojnë energjitë e tyre në veprime të dhunshme. Kur bëhet fjalë për dhunën, ajo që është më interesante për ta është posedimi i armëve të zjarrit dhe përdorimi i tyre, veçanërisht kundër përfaqësuesve të institucioneve të rendit dhe sigurisë, sepse ata janë gjithmonë në fokus për adoleshentët me potencial kriminal”, ka vlërësuar ai.

Në fund, Elezi ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin masat e duhura.

“Unë kujtoj gjithashtu që institucionet e Kosovës duhet ta konsiderojnë këtë si alarmi i fundit dhe të marrin të gjitha masat e duhura për të vendosur një platformë serioze që garanton zbatimin e saj. Kjo duhet të jetë në përputhje me strategjinë e sigurisë, për të marrë masa eventuale, por fillimisht, duhet të largohen të rinjtë nga ndikimi që mund të kenë nga mediat, posaçërisht nga TikTok-u. Më pas, duhet të hulumtohen të gjitha grupet apo individët që mund të rekrutohen të mitur për kryerjen e veprimeve penale të rënda, duke u bazuar në lehtësimet që ofron ligji në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Elezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *