POLITIKATË FUNDIT

Vjen kërkesa urgjente: Lista Serbe të shpallet antikushtetuese – kjo është veprimtaria e saj kriminale në veri!

Situata në veri të vendit me sulme më bomba, armë zjarri, me bllokim rrugësh, me barrikada, tensione, e gjitha është rezultat i udhëheqjes së një politike antikushtetuese nga Lista serbe.

Serbët duket se nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen, ata veçse po shtojnë pothuajse çdo ditë barrikada të reja dhe mënyra të kundërshtimit të shtetit ligjor, me shpresë për ta shkatërruar shtetin tonë.

Krahas kësaj, ata tani kanë mbajtur dy protesta, si shenjë revolte ndaj institucioneve të Kosovës.

E natyrisht, që shtysë të madhe këtyre tensioneve po u jep Lista Serbe, e cila njihet edhe si ‘dora e djathtë’ e Serbisë.

Kjo parti politike serbe ndër vite ka shpërfaqur kundërshtinë e saj për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ndonëse ka zënë vend në Kuvendin e Republikës sonë.

Nuk janë të pakta, rastet kur Lista Serbe hapur ka pranuar bashkëpunimin me Qeverinë e Beogradit dhe ka mbështetur kërcënimet që udhëheqësit serbë i kanë bërë në vazhdimësi ndaj shtetit tonë.

Duke marrë parasysh, gjitha këto qëndrime të LS-së dhe mbështetjen dhe inkurajimin e shfaqjes së dhunës dhe sulmeve në veri, ka pas kërkesë që kjo të shpallet antikushtetuese.

Se sa ka gjasa që të merret një vendim i tillë, treguan për gazetën “Bota sot”, juristët Muhamet Kelmendi dhe Blerim Burjani.

Kelmendi: Lista Serbe është organizatë kriminale

Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” foli për mundësinë e shpalljes së Listës Serbe si antikushtetuese.

Së pari, ai tha se LS-ja ka kohë që i ka përmbushur ‘kriteret’ për marrjen e vendimit për shpalljen e saj si antiligjore.

Sipas tij, kjo listë ka kryer veprimtari kriminale dhe kohë më parë KQZ-ja është dashtë të veprojë juridikisht.

“Ka kohë që Lista Serbe i ka përmbushur faktet ligjore që të shpallet antiligjore dhe t’i ndalohet veprimtaria në tërësi. Jo vetëm tash, që kemi bllokim antiligjor të rrugëve dhe akte kriminale kundër jetesës dhe rendit ligjor, të organizuar nga Lista Serbe, por edhe më herët, që nga themelimi, kjo listë ka kryer veprimtari kriminale dhe KQZ është dashur të veprojë juridikisht, duke ndalur veprimtarinë e tillë. Kështu nuk u veprua.

Qeveritë dhe organet kompetente në Kosovë e lejuan këtë Listë të veprojë dhe të organizojë grupet banditeske dhe kriminale në veri të vendit.

Në fakt, kjo Listë është e qeverisë së Serbisë, e organizuar, e armatosur dhe që vepron nën urdhrat e kriminelëve të luftës, Vuçiq, Daçiq, Vulin etj”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Kelmendi radhiti disa fakte që tregojnë hapur veprimtarinë kriminale të Listës Serbe, ku ndër të tjera theksoi lidhjet e saj me qeverinë e Serbisë dhe zbatimin e urdhrave të sajë.

“Cilat janë faktet e veprimtarisë kriminale:

1. Organizimi ilegal, jashtë kontrollit të organeve kompetente në Kosovë, si dhe armatosja me armë e kriminelëve.

2. Mospranimi i shtetit të Kosovës.

3. Lidhjet me krimin dhe organizimin e bandave.

4. Kontrolli i punës së Listës Serbe nga Beogradi, duke e komanduar punën dhe rezistencën kriminale në veri të Republikës.

5. Bllokimet e rrugëve dhe kundërshtimi i organeve kompetente të shtetit, deri edhe me luftë.

6. Sulmet e armatosura kundër organeve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

7. Sulmet me mjete shpërthyese nëpër qendrat e Kosovës në veri.

8. Dëmet materiale të shkaktuara nga veprimet banditeske.

9. Urrejtja e thellë nacionale dhe veprimet e armatosura kundër shtetit të Kosovës”, nënvizoi juristi.

Po ashtu, potencoi se në veprimtarinë e Listës Serbe ka vepra penale që janë në kundërshtim me rendin kushtetues.

“Elementet e tilla janë të theksuara në nenet 115 -125 të KP të Kosovës. Sipas këtyre neneve dënimet shkojnë deri me burg të përjetshëm. Faktet flasin se në këtë veprimtari të Listës Serbe dhe grupeve banditeske ka vepër penale kundër rendit kushtetues, jetës së qytetarëve dhe sistemit politik, duke sulmuar dhe bërë krime. Këtej, ndiqen, dënohen dhe ndalohen këto veprimtari kriminale”, nënvizoi Kelmendi.

Ndër të tjera, shtoi se synimi kryesor i LS-së është ndarja e veriut dhe bashkimi i komunave me shumicë serbe me Serbinë.

“Thjesht: Është vepër penale kundër jetesës dhe rendit kushtetues të Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutë dhe me Kodin Penal të Kosovës. Synimi përfundimtar: ndarjen e veriut nga Kosova dhe bashkimit të katër komunave me Serbinë”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Nëse vazhdon kjo gjendje dhe ky involvim i Listës Serbe, kjo çështje duhet të trajtohet politikisht në radhë të parë

Kurse, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se vendimi për shpalljen e Listës Serbe si antikushtetuese duhet të shikohet në disa aspekte dhe në fund të vendos Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas tij, deri te ky vendim duhet të arrihet përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe të trajtohet edhe në aspektin politik.

“Kjo çështje duhet të trajtohet në disa aspekte deri te një vendim, i cili duhet të vijë nga MPB-ja, nëse vlerësohet nga shumë kënde mund të nxirret vendim. Mendoj se kjo duhet të ndodhë në harmoni të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, nëse vazhdon kjo gjendje dhe ky involvim edhe më i thellë i Listës Serbe, kjo çështje duhet të trajtohet edhe politikisht në radhë të parë”, deklaroi juristi.

Ndër të tjera, shtoi se duhet të përdoren edhe mjetet demokratike, ku përfshihet dialogu, e në rast se as kjo nuk e zgjidh problemin duhet të mendohet edhe ndryshe.

“Pra, duhet të shpenzohen mjetet demokratike dhe politike, përpjekjet për dialog me këtë Listë duhet të ndodhin. Nëse veç asnjë mekanizëm politik nuk e zgjedh problemin, atëherë mund të mendohet ndryshe”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

ARTIKUJ TË NGJASHËMMË SHUMË NGA AUTORI


Kosovë-Shqipëri

Armend Muja publikon një listë me emrat e organizatave kriminale serbe dhe udhëheqësit e tyre: Rekomandoj arrestime


Kosovë-Shqipëri

Sveçla: Nëse KFOR-i nuk vepron, ne do t’i heqim barrikadat


Kosovë-Shqipëri

Serbët kushtëzojnë largimin e barrikadave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *