Gjeneral major Racaj flet për sigurinë në Kosovë dhe luftën hibride: Ka rrezik nga ndërhyrjet e jashtme të Serbisë!
Në një intervistë për “Bota sot”, Gjeneral major Muhamet Racaj ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
Ai gjendjen e sigurisë, e sheh të qetë por të brishtë, derisa për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri thotë se mbyllja e tyre është e domosdoshme, sepse ato janë ilegale dhe jashtë kontrollit institucional te Kosovës dhe në shërbim të interesave të Serbisë.
Derisa, për kërcënimet e Serbisë dhe takimin e Patriarkut Porfirije me Putinin, thotë se përfshirja e kishës ortodokse tregon edhe përpjekje për të instrumentalizuar fenë në funksion të interesave gjeopolitike serbe.
Sa i përket FSK-së, thotë se kjo e fundit ka shënuar progres, derisa tha se, mos prezenca e saj në veri “mund të rishqyrtohet nëse ka kërkesë nga Qeveria e Kosovës dhe vlerësim pozitiv i situatës nga ana e NATO-s”.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e komentoni sigurinë aktuale në Kosovë?
Muhamet Racaj: Siguria në Kosovë konsiderohet përgjithësisht stabile, por e brishtë në veri të vendit, për shkak të tensioneve të herëpashershme që vijnë nga strukturat ilegale dhe ndikimi i Serbisë. Sipas institucioneve të sigurisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, ka rrezik permanent nga ndërhyrjet e jashtme të Serbisë me të gjitha metodat e luftës hibride duke i përdorë edhe veprimet terroriste siç ishte rasti në Banjska dhe në kanalin për furnizimin me ujë.
Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës duhët gjithmonë ta analizojnë dhe parandalojnë elementin e befasisë. Por, kapacitetet vendore dhe bashkëpunimi me KFOR-in dhe EULEX-in ndihmojnë në ruajtjen e rendit.
“Bota sot”: Si i vlerësoni vendimet për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri?
Muhamet Racaj: Vendimet për mbylljen e strukturave paralele janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe janë të domosdoshme për vendosjen e sundimit të ligjit. Këto struktura janë ilegale dhe jashtë kontrollit institucional te Kosovës dhe në shërbim të interesave të Serbisë, shpesh të infiltruar nga shërbimet e inteligjencës serbe. Mbyllja e tyre është domosdoshme dhe drejt integrimit të plotë të veriut në sistemin institucional të Kosovës.
“Bota sot”: Serbia vazhdimisht kërcënon Kosovën, dhe së fundi prijësit e kishave serbe janë takuar me Putinin, e që temë ishte edhe Kosova. Çfarë mendoni se fshihet pas këtij takimi?
Muhamet Racaj: Takimi ka karakter të qartë politik dhe sinjalizon përpjekje të Serbisë për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në aleancë me Rusinë, e cila e kundërshton pavarësinë e saj. Nga ana tjetër, përfshirja e kishës ortodokse tregon edhe përpjekje për të instrumentalizuar fenë në funksion të interesave gjeopolitike serbe. Institucionet e Kosovës e kanë dënuar çdo përfshirje të palëve të treta që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.