OPINIONTË FUNDIT

Fetoshi: Patriarku Porfirije si emisar politik i Vuçiqit në Moskë

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj vizitës së patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas Fetoshit, kjo vizitë nuk ishte aspak fetare, por një akt i qartë politik, që përforcon aksin hegjemonist ruso-serb në Ballkan.

“Një vizitë politike e kreut fetar, që rikonfirmon qëllimet hegjemoniste të Serbisë dhe Rusisë”, shkruan Fetoshi. Ai thekson se Porfirije, gjatë takimit me Putinin iu ankua shefit të Kremlinit se ‘Perëndimi po synon ta shkatërrojë identitetin dhe kulturën serbe’, ndërsa shpreson se do ta tejkalojnë ‘revolucionin kolor’ të orkestruar nga Perëndimi.

“Si një emisar politik i Vuçiqit, ai e njofton Putinin se presidenti serb do të shkojë më 9 maj në Moskë “pavarësisht situatës në Europë” (Nedjelnik, 23 prill 2025). Takimi Porfirije-Putin demonstron frontin e koordinuar të politikës pansllaviste, që e përdor kishën si instrument të luftës hibride për ta legjitimuar pushtimin, jo vetëm në Ukrainë. Sipas modelit të njëjtë antifetar të kishës ruse – një zgjatim i makinerisë së vrasjes duke bekuar putinizmin, Porfirije e përforcon boshtin ruso-serb si “shpëtimtar” për vlerat e krishterimit dhe garanci për interesat serbe në raport me Kosovën në OKB”, shkruan tutje Fetoshi.

Ai tërheq vëmendjen se “ndërsa Vuçiq manovron edhe më tutje me ‘dy karrige’, duke manipuluar agjendën euro-atlantike”, përmes paralajmërimeve për takime me Donald Trump, vizitave në Bruksel dhe pjesëmarrjes në samitin e Unionit Politik Evropian më 16 maj në Tiranë, “Porfirije shpërfaq fytyrën e vërtetë të Serbisë që vazhdon të kujdeset për interesat ruse në Ballkan”.

Në analizën e tij, Fetoshi thekson se kjo është një “superstrukturë hegjemoniste e ngjizur shtet-kishë që sinkronizohet me Rusinë në ‘botën serbe’ kundër Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi” dhe që “e minon demokracinë me narrativat kundër NATO-s e Perëndimit si ‘pushtues’”.

“Pra, kombinimi Vuçiq-Porfirije tregon simbolikisht se Serbia: – Vazhdon të shërbejë si shtet-proxy për interesat ruse në Ballkan; – Nuk e ka ndërmend të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së; – Tenton ta mashtrojë Perëndimin për interesa politike dhe ekonomike; – Përhap dezinformim dhe propagandë që nxisin destabilizim të rajonit. Kështu, vizita e tij në Moskë dhe takimi me Putinin, ndërsa shefi i tij në Beograd shtiret se vazhdon agjendën perëndimore, nënkupton maskim, balancim dhe orientim strategjik për projektin e “botës serbe” dhe për ndikimin gjeopolitik të Rusisë”, nënvizon Fetoshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *