Sveçla pas aksionit në Kaçanik: Muhamed Lika dhe familja e tij meritojnë drejtësi – 0 tolerancë për kriminelët
Pas aksionit të zhvilluar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, ku pesë persona u arrestuan nën dyshimin se janë pjesë e një grupi ekstremist dhe të përfshirë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Përmes një deklarate publike, Sveçla ka theksuar vendosmërinë e institucioneve për të çuar drejtësinë në vend.
“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi. 0 tolerancë!”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se aksioni është pjesë e përpjekjeve për të ndriçuar këtë rast të rëndë.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria janë duke vazhduar hetimet, ndërsa pritet që pas intervistimit të jepen informacione shtesë.