Nga Big Brother te kolapsi i vetëdijes kolektive
Big Brother nuk është më një emision. Është një pasqyrë groteske e asaj që po bëhemi ,një shoqëri që i kthehet vetes jo për ta njohur, por për ta mohuar. Një komb që më shumë interesohet për grindjet e pavlera në një shtëpi plastike sesa për fatin e tij historik. Një brez që ndjek dramën e inskenuar, ndërsa e lë pas dore dramën reale të shpirtit të tij në shuarje.Kjo nuk është më argëtim ,është një autopsi morale e një shoqërie që po qelbet e gjallë.
Nëse dikur panem-et romake mbanin turmat të qeta, sot spektakli mediatik bën më shumë: e bën turmën të verbër. Në vend të vetëdijes, kemi vojerizëm; në vend të pjesëmarrjes, pasivitet; në vend të lirisë, një ekran ku e zgjedhim robërinë me sms.
Big Brother është laborator i shpërqendrimit të madh, ku njeriu mësohet të dojë çka është banale, të urrejë çka është fisnike, dhe të adhurojë çka është bosh.
Të ashtuquajturit “banorë” nuk janë as personazhe, as përfaqësues. Janë karikatura të shpirtit njerëzor, të përzgjedhur jo për karakterin, por për konfliktin. Ata nuk debatojnë, por ulërijnë; nuk përfaqësojnë mendime, por impulse. Nuk ndërtojnë urë, por gropa – në emër të ‘kontentit’.
Brenda mureve të asaj shtëpie të mbikëqyrur, ndodh degjenerimi ritual i çdo vlere: seksualiteti shndërrohet në mall, shprehja në ulërimë, identiteti në maskë. Të rinj që duhet të ishin ndërmarrës të së ardhmes, shndërrohen në gladiatorë të zbrazëtisë.
Në vend të bashkimit të shqiptarëve përtej dallimeve, Big Brother i kthen ata në spektakël ndarjeje. Feja nuk është më lidhje shpirtërore, por flamur i urrejtjes. Kombësia nuk është më identitet, por instrument ndarjeje për ‘trende’.
Ndër shqiptarë shfaqen urrejtje fetare, raciste, krahinore; të gjitha të stimuluara qëllimisht. Jo për të shëruar plagët e së kaluarës, por për t’i bërë më të infektuara, për klikime.
Ky është projekti i inxhinierisë së njeriut të pavetëdijshëm, një njeri që e urren vëllanë e vet, por adhuron opinionistët që e manipulojnë.
Shoqëria e Big Brother është shoqëria e njeriut të rrudhur në formën më të ulët të ekzistencës, një trup që kërkon kënaqësi, një mendje që nuk pyet, dhe një shpirt që nuk beson në asgjë më të madhe se vetja.
Tani, kur historia po na thërret për ndërgjegje kombëtare, ne u përgjigjemi me votime për banorë.
Kur rinia ka nevojë për shembuj idealistë, ne u japim idole të zbrazët që thyejnë rekorde në kotësi.
Ky është teatri absurd i një kombi në krizë shpirtërore,ku identiteti nuk mëtohet përmes thellësisë, por përmes simbolikës së shtrembëruar dhe konflikteve artificiale, të dizajnuara për të përçarë, jo për të bashkuar. Ky nuk është vetëm degjenerim kulturor, është një Operacion i Pastër Psikologjik, që synon shthurjen e çdo elementi që mund ta bashkojë kombin shqiptar!
Njeri i gjuan tjetrit kryqin në ujë ,e shndërron të shenjtën e tjetrit në performancë primitive.