OPINIONTË FUNDIT

Alarmi më serioz për sigurinë e Ballkanit/ Ekspertët komentojnë deklaratën e Kallas

Shefja e diplomacisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ditë më parë ka thënë se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

“Kemi shumë pika në agjendë. Do të fillojmë me situatën në Ukrainë. Pastaj kemi Ballkanin Perëndimor. Ne patëm një darkë shumë të mirë dje duke biseduar dhe diskutuar me miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne shohim se tensionet po rriten dhe ne patjetër duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, deklaroi Kaja Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme u mbajt në Luksemburg.

Edhe pse Kallas nuk përmendi shtetet në të cilat sipas saj po rriten tensionet, javët e fundit Bosnje e Hercegovina ka qenë në krizë dhe në prag të një shpërthimi të madh të konfliktit, pasi Bosnje Hercegovina lëshoi fletarrest për Millorad Dodikun, president i Republikës Sërpska.

E krahas kësaj, Kallas tha se BE-ja nuk do të tolerojë kërcënime ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Bosnjës e Hercegovinës.

Poashtu, edhe shteti i Kosovës vazhdimisht është nën kërcënimin e grupeve terroriste serbe, të cilat financohen nga Serbia për ta destabilizuar shtetin e Kosovës, ku në vazhdimësi Policia e Kosovës po kap sasi armatimesh të grupeve serbe.

Sipas analistëve dhe ekspertëve të sigurisë, deklarata e Kallas padyshim është një alarm për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe se rajoni po hyn në një fazë delikate.

Alarm për Ballkanin

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Bota sot” thotë se ajo çfarë tha Kallas, është një nga paralajmërimet më serioze për Ballkanin.

“Deklarata e Kaja Kallas, shefes së diplomacisë së BE-së, duhet të lexohet si një *paralajmërim serioz politik dhe strategjik* për Ballkanin Perëndimor, dhe mund të interpretohet në disa nivele: Alarm për rritjen e tensioneve: Kallas po sinjalizon se Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për përshkallëzimin e tensioneve në rajon, qoftë përmes ndërhyrjes së aktorëve të jashtëm si Rusia dhe Kina, mosmarrëveshjeve të brendshme (Kosovë-Serbi, situata në Bosnje e Hercegovinë, Maqedonia e Veriut, etj.), kërcënimeve hibride si dezinformimi, ndërhyrjet kibernetike apo ndikimi i grupeve të ekstremit”, deklaron Shala.

Ai thotë se kjo deklaratë është, në thelb, një sinjal alarmi për nevojën që BE të mos mbetet spektator në një rajon ku vakumi strategjik shfrytëzohet nga forca jo-perëndimore.

“Paralajmërim për dinamikat gjeopolitike – Me fjalët “na duhen histori suksesi”, Kallas sugjeron se procesi i zgjerimit i BE-së është kthyer në një instrument gjeopolitik, jo vetëm burokratik. Kjo do të thotë se: BE-ja po kupton se hezitimi i saj për zgjerim ka krijuar pakënaqësi, frustrim dhe ka shtyrë vendet e Ballkanit drejt alternativave strategjike. Zgjerimi nuk është më thjesht reformë – është parandalim krize”, nënvizon Shala.

Më tej, ai thotë se kjo është mesazh për vendet e rajonit dhe për Brukselin.

“Për Ballkanin Perëndimor: Kjo është një mundësi, por edhe një sfidë – reformat duhet të përshpejtohen, por edhe veprimet e destabilizuese duhet të ndalen. Për Brukselin dhe shtetet anëtare: Kallas i nxit të kenë vullnet politik më të qartë dhe të bashkërenduar për ta çuar përpara procesin e zgjerimit, përtej premtimeve të pafundme”, shprehet Shala.

“Po, është një alarm. Dhe në gjuhën diplomatike evropiane, kjo është një nga deklaratat më të qarta që sinjalizon se Ballkani Perëndimor po hyn në një fazë delikate, ku çdo pasivitet i BE-së mund të kushtojë me destabilizim dhe humbje të ndikimit perëndimor në rajon”, përfundon eksperti Drizan Shala.

Zgjerimi i bllokut

Kurse, analisti Zejnullah Jakupi thekson se është një sinjalizim dhe apel i hapur për shtetet e Bashkimit Evropian për zgjerimin sa më të shpejtë të bllokut evropian.

“Deklarimi i shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, lidhur me mundësinë që tensionet në Ballkanin Perëndimor do mund të rriten mund të jenë të mundshme, por ky deklarim është bërë për të sensibilizuar opinionin dhe krerët e këtyre shteteve që të kenë kujdes por edhe në një mënyrë i bëhet apel shteteve të BE-së që të përgatitet ta pranojë dhe përshpejtojë procesin e zgjerimit të bllokut”, thotë Jakupi.

Sipas tij, pavarësisht situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, BE nuk është e gatshme që ta përshpejtojë procesin e zgjerimit për vendet e rajonit.

“Kundër rritjes së tensioneve natyrisht mund të jenë këto paralajmërime që të shpejtohen proceset integruese të shteteve të Ballkanit, siç është Bosnja Hercegovina, Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi. Por BE akoma nuk është e gatshme të përshpejtojë këtë proces dhe z. Kallas me siguri e di sepse ta marrim shembullin e Kosovës që akoma nuk munden t´ja heqin „sanksionet“ e vendosur lidhur me veprimin e qeverisë Kurti II në lidhje me veriun e Kosovës. Pra BE, pa trysnin amerikane nuk është në gjendje të aprovoj zgjerimin e Ballkanit Perëndimore në BE. Dhe natyrisht edhe BE dhe SHBA deri tani nuk kanë ushtruar ndikimin e duhur ndaj Serbisë që të ndahet nga ndikimi rus por e kanë sanksionuar Kosovën duke i lënë hapësirë Serbisë që të ulen në dy Karrige, edhe me Rusinë edhe më BE-në”, shpjegon Jakupi.

“BE i ka problemet e veta dhe po shihet se nuk kanë arritur për t´i detyruar Kosovën dhe Serbinë, sidomos këtë të fundit, që te pranon marrëveshjet e arritura pavarësisht se a janë nënshkruar apo jo, sikur ajo e OHRIT. Se BE i ka frikën e shpërthimit të ndonjë konflikti ne Ballkan kjo kuptohet edhe për faktin se Rusia është trimëruar pasiqë presidenti i SH BA-ve D. Trumpo po synon që të ndajë sferat e ndikimit me Rusinë, për ta ndarë pasurinë e Ukrainës mes saj dhe SHBA-ve, por lufta nuk po ndalet edhe pse D. Trump premtoi se do ta ndalet ketë luftë mbrenda dy muajve. Kjo natyrisht përbën rrezik edhe për Kosovën sepse Ë. Putin gjithmonë është thirrur në të drejtën e serbëve për të vendosur se duan të jenë pjesë e Serbisë, ashtu siç nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATOS në vitin 1999 dhe bombardimin e Serbisë”, thekson analisti Zejnullah Jakupi.

Jakupi shprehet se BE në vazhdimësi ka treguar mungesë uniteti, dhe kjo ka përbërë rrezik na vazhdimësi për situatën e sigurisë.

“Gjithashtu, BE nuk e ka krijuar unitetin as brenda vetvetes. Pra, në raste kur SHBA ua lë në dorë NATO-në Evropianëve dhe nuk perfshihet në aleancë atëherë evropianët duhet t´i përveshin mëngët për të forcuar NATO-n duke e bërë një komandë të përbashkët, por natyrisht BE akoma nuk e ka krijuar unionin e saj politik për ta patur forcën e saj ushtarake me një komandë të unjësuar. Dhe për tu krijuar kjo duhet të krijohet Unionin i Shteteve të Bashkuar të BE-së e që deri tani ka dështuar që kur ish – kancelari gjerman Helmut Kohl i dështoi projekti dhe Franca në atë kohë nuk ishte dakord që të gjitha ushtritë e shteteve të BE-së të kishin forcën EUFOR”.

“Pra, në rast konflikti në Ballkan për momentin kujdeset vetem NATO dhe në Kosovë KFOR. Natyrisht se Kosova është e sigurtë ashtu siç është Bosnja Hercegovina dhe besohet se nuk do të lejohet që Serbia dhe Rusia të luajnë lojën provokuese për të eskaluar situatën, në këtë pikë NATO ka deklarar se është e gatshme të reagoj sepse sigurimi i stabilitetit në Ballkan është detyrë dhe përgjegjësi e saj”, përfundon analisti Zejnullah Jakupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *