TË FUNDIT

Emilia Rexhepi: Nuk lejojmë askënd të na mohojë

Veprimtarë dhe intelektualë boshnjakë nga Gora kanë reaguar ndaj kryetares së NDS, Emilia Rexhepi, për siç thuhet, mohimin e vazhdueshëm të boshnjakëve nga Gora, duke thënë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe se ajo mund të bartë përgjegjësi ligjore për deklarime të tilla.

“Rexhepi shpesh i ka mohuar boshnjakët e Gorës gjatë mandatit të saj katërvjeçar. Demantimi i fundit publik ka ndodhur në emisionin “Poglavlje” në RTK2, në të cilin ajo ka thënë “se dikush që nuk është boshnjak” (duke iu referuar deputetes Duda Baljes) po e përdor çështjen e komunave për pozitë”, thuhet në reagim.

Veprimtarët dhe intelektualët boshnjakë përkujtojnë se në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Emilia Rexhepi kërkoi vota ndërsa në listën zgjedhore të NDS-së (Partia e re Demokratike) ishin disa kandidatë nga Gora.

“A do të thotë kjo se ajo i njeh boshnjakët nga Gora vetëm nëse ata mbështesin partinë e saj? Republika e Kosovës është shtet demokratik në të cilin çdo individ duhet të respektojë bindjet dhe ndjenjat kombëtare të çdo qytetari. Paralajmërojmë Emilia Rexhepin se mund të mbajë përgjegjësi para ligjit për deklarata të tilla. Boshnjakët janë një kategori kushtetuese dhe kështu do të jenë gjithmonë.

Pas gjithë asaj që kemi kaluar, nuk do të lejojmë askënd të na mohojë, më së paku ata që gjatë viteve 1990 ishin në anën e politikave që kontribuuan drejtpërdrejt në vuajtjet e boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Emilia Rexhepi është personi i fundit që mund të flasë për origjinën e dikujt, veçanërisht për atë boshnjake. Boshnjakët në Gore nuk e mohojnë veten – ata e respektojnë njëri-tjetrin!

U bëjmë thirrje të gjithë boshnjakëve në Kosovë dhe në rajon që të na bashkohen dhe të dënojnë deklarata të tilla, të cilat synojnë të përçajnë trupin kombëtar boshnjak. Një gjë është e sigurt – boshnjakët e Gorës janë krenarë për identitetin e tyre por edhe sfidues.”

Kujtojmë, kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), njëherësh deputetja e zgjedhur Duda Balje pati deklaruar se themelimi i një komune me shumicë boshnjake është e ligjshme dhe se nuk ka për qëllim ndarje monoetnike, por përmirësimin e jetës së komunitetit boshnjak në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *