“Kam frikë për të ardhmen e fëmijëve” – Kosova prin në rajon me nivelin e metanit në ajër
Në të kaluarën i hapte dritaret çdo mëngjes për ta ajrosur shtëpinë. Por, Izet Grajqevcit, 53- vjeçarit nga Obiliqi, një gjë e tillë vetëm se do t’ia vështirësonte qëndrimin në shtëpinë e tij, sidomos gjatë stinës së dimrit. Kjo për shkak të ajrit të ndotur dhe smogut të dendur.
Me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, ai jeton në një banesë afër termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Obiliq, ku cilësia e ajrit është e ulët për shkak të ndotjes nga termocentralet dhe deponive të mbeturinave që ndodhen afër shtëpisë së tij.
Realiteti me të cilin po përballet çdo ditë brengos Izetin për të ardhmen e familjes së tij.
“Shqetësohem për dy vajzat që duhet të rriten këtu, në këtë ajër të ndotur. Erën e tij të keqe e nuhasim edhe kur i thajmë rrobat. Nëse do të kisha mundësi, sonte do të shpërngulesha diku”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se opsion janë edhe qytetet në pjesën perëndimore të Kosovës, larg termocentraleve të KEK-ut.
Ai thotë se vuan pasojat nga ajri i ndotur tash e 12 vjet.
“Shpesh ndihem i lodhur dhe me plogështi, kjo ka filluar që nga viti 2013. Kam pasur edhe probleme me frymëmarrje. Kur kam qenë në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare më kanë thënë të kujdesem që të mos dal jashtë shumë, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes”, thekson ai.
Kështu, për t’iu shmangur ajrit të ndotur, ai mban dritaret e shtëpisë të mbyllura dhe nuk del nga shtëpia kur nuk e ka të domosdoshme.
Problemi i ajrit të ndotur prek një numër të madh të qytetarëve në Kosovë, sidomos në zonat urbane, ku statistikat tregojnë për nivele të larta të gazrave të dëmshme në ajër.
Matjet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës shpërfaqin nivele të larta të substancave të rrezikshme për shëndetin, siç është dyoksidi i karbonit, monoksidi dhe gazrat serrë.
E krahas këtyre ndotësve, në Kosovë ekziston një tjetër armik i fshehtë e kërcënues për shëndetin publik, e që është metani. Ky gaz, i padukshëm dhe pa erë, lirohet nga deponitë e mbeturinave, termocentraleve dhe burimet e tjera ndotëse.
Kështu thuhet në të dhënat e raportit të fundit të Bankës Botërore për ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova renditet e para në rajon për nivelin më të lartë të metanit në ajër, për kokë banori në zonat urbane.
Pse Kosova po prin me nivelin e metanit në ajër?
Profesori për Edukim Mjedisor, Zeqir Veselaj, thotë se arsyet kryesore pse Kosova po prin në Ballkanin Perëndimor në këtë drejtim, janë keqmenaxhimi me deponitë e mbeturinave, zjarret në pyje, përdorimi i thëngjillit për ngrohje dhe termocentralet e Obiliqit.
Ai shton se një faktor tjetër shqetësues është edhe numri i madh i veturave të vjetra që qarkullojnë në Kosovë.
“Ndikim në ndotjen e ajrit ambiental urban ka edhe sektori i transportit, me afërsisht gjysmë milioni vetura e makineri në rrugët e Kosovës”, thekson ai për Radion Evropa e Lirë.