Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, pse bashkohet dhe përçahet opinioni për akte individuale
Ajo që ka rënë në sy është ndarja e opinionin publik lidhur me këtë akt, dhe sa ndikon kjo në marrëdhëniet mes qytetarëve të dy vendeve
Në emisionin e sotëm Shqipëria Live në Top Channel, u diskutua shuplaka e Jozit ndaj Gjestit gjatë spektaklit të Big Brother VIP.
Përtej ngjarjes, ajo që ka rënë në sy është ndarja e opinionin publik lidhur me këtë akt, dhe sa ndikon kjo në marrëdhëniet mes qytetarëve të dy vendeve.
Aktivistja Zhaklin Lekatari nënvizoi se asnjë individ nuk përfaqëson kombin me sjelljet e tij dhe se kjo gjë nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes dy kombeve.
Zhaklin Lekatari: Jozi nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ashtu si dhe Gjesti nuk përfaqëson qytetarët e Kosovës, kjo shuplakë nuk duhet të shërbejë si arsye për ndasi kombëtare, por si reflektim për të parë të mirat që na bashkojnë. I kam hasur komentet, por ajo që duhet të bëjmë është të mos ushqejmë më shumë gjuhën e urrejtjes, dhe mos ta kthejmë këtë në urrejtje fetare dhe kombëtare. Të gjitha llojet e dhunës janë të pajustifikueshme, është koha për të reflektuar e kuptuar se këto ngjarje nuk duhet të ofrojnë ndasi mes nesh. As ngjarjet politike, apo marrëdhëniet e dy liderëve të dy vendeve nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet që qytetarët kanë me njëri-tjetrin.
Julia Ilirjani u shpreh se veprimi i Jozit ndaj Gjestit, nuk ishte një akt kundrejt Kosovës, duke shtuar se jemi një komb.
Julia Ilirjani: Veprimi i atij djalit ndaj Gjestit, nuk ishte një veprim ndaj Kosovës. Ne gjithnjë kemi qenë një komb dhe do mbetemi të tillë. Këto duhet të mbeten brenda lojës. Nuk duhet të marrë përmasa që ne të diskutojmë kombet… Ne jemi një komb. Nuk duhet t’i diksutojmë këto fare. Gjuha e dhunës është bërë shumë prezente në jetën tonë.
Vserlo, ish-banori i BBVIP, ishte një prej atyre që i “vendosi kurorë” Jozit për veprimin e tij ndaj Gjestit. Ai u shpreh se fillimisht nuk e dëgjoi videon me audio dhe mendoi se situata nuk ishte serioze. Nga ana tjetër, ai shtoi se kërkoi nga publiku të kishin të njëjtin reagim, kur Gjesti e gjuajti me vezë në kokë.
Vserlo: Unë nuk dua të mbështes dhunën, fakti që vendosa një emoji mbi Jozin për veprimin e tij, kjo nuk ka vend e hapësirë për të kuptuar se po kemi të bëjmë me një akt ndaj Kosovës. Kam marrë një sërë mesazhesh nga ana e qytetarëve kosovarë pas këtij postimi që bëra. Të njëjtin akt dhune e kam përjetuar dhe unë në lëkurën time nga Gjesti. Ku ishin njerëzit që ta dënonin një gjë të tillë. Ngjarjet duhet të gjykohen njësoj. Jo, të vlejë më shumë kur ke fanbase më të gjerë, dhe kur ke të bësh me një person jo me aq fanbase, ngjarja të mos shihet si e rëndë. Reagimi im për Gjestin erdhi si një reagim mbi lojën e bërë në BBV4. Nuk kam fyer dhe ofenduar aspak Kosovën. As personale nuk e kam me Gjestin, por reagimet duhet të jenë të njëjta.
Venhar Isufi nga ana tjetër, pas ngjarjes bëri një reagim, ku shprehej se Gjesti ka treguar edukatën që kanë kosovarët.
“Gjestin nuk e njoh, por sipas asaj qe e kom pa neper video ka qene personi kyc qe e ka treguar mese shumti edukaten qe e kemi ne Kosovaret, e ky qe e nuk e njihte as shtetin e Kosoves, paska bere kete veprim qe e bejne vetem femijet, kjo tregon inatin qe personat me karakter te tille ne Shqiperi, e bejne ndaj nje personi te edukuar.”– shprehej ai.
Sot, ai tha se reagimi i tij nuk kishte lidhje me ndasinë si kombe mes Kosovës dhe Shqipërisë, por me individin, në këtë rast, me edukatën e Jozefin Markut.
“Pamje të rënda për t’u parë”/ Deklarata publike e familjes së Gjestit pasi u godit nga Jozi: Dhimbja që ndjejmë është e madhe
Venar Isufi: Unë e kam theksuar shumë mirë. Reagimi im nuk ka të bëjë me ndasi, ka të bëjë me veprime që janë bërë ndaj një shqiptari që ka ardhur nga Kosova në Shqipëri. Gjesti ka treguar edukatën e tij ndaj të gjithë atyre personave aty, e mbi të gjitha ndaj atij personi që ka bërë një veprim të rëndë në fund. Nuk kemi të bëjmë me ndasi, kemi të bëjmë me një gjest shumë të ulët që ka ndodhur. Unë e kam parë që ka patur dhe veprime të rënda ndaj Gjestit nga banorë të tjerë. Por Gjesti ka treguar se ai ka ardhur për të marrë pjesë në një reality-show dhe të tregojë veten dhe edukatën e tij. Në reagimin tim nuk ka gjuhë urrejtjeje. Është një tendencë për të treguar që paska idividë që duan të bëjnënë ndasi. Unë e kam theksuar se lidhet me individin.
Arbër Zeka, ish-banor dhe fitues i “Big Brother” ka deklaruar se asnjë nga banorët nuk përfaqëson një komb, por përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Ai shtoi se Jozi nuk është shembulli që duhet ndjekur nga fëmijët dhe të rinjtë.
Arbër Zeka: Përpjekja për të krijuar ndasi është një gabim trashanik. Aty janë banorë të barabartë dhe përfaqësojnë veten. Aty përfaqësojnë vetëm edukatën dhe kulturën e tyre familjare. Uroj që dy familjet, veçanërisht familja e Gjestit të rruajë qetësinë dhe të kalojë këtë moment të vështirë. Por edhe familja e Jozit duhet të jetë prekur, sepse ndodhi diçka që nuk duhet të ndodhë në një ekran televizioni. Asnjë nga banorët aty nuk përfaqëson asgjë dhe janë vetëm lojtarë, përfaqësojnë veten. Nuk duhet të lidhet me formatin ku ndodhi ngjarja, një format që ka treguar vlera dhe i ka përcjellë në ekranin e çdo shqiptari. Ne nuk kemi si të ndahemi, janë disa parime që përcaktojnë kombin, dhe ekziston vetëm një gjuhë shqipe që i bashkon shqiptarët, ekziston një flamur, për të cilin kanë vdekur dhjetëra njerëz. Unë e kam ndjerë këtë përpjekje për të krijuar ndasi dhe më ka acaruar shumë. Jozi nuk është shembull për t’u ndjekur me një akt të rëndë që ka bërë.