Uta Ibrahimi ia dhuron Kurtit librin për fëmijë “Uta në Sharr”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur alpinisten e njohur, Uta Ibrahimi, për të cilën shprehu mirënjohje dhe respekt për sukseset e saj ndërkombëtare.
Sipas një komunikate për media, Kurti e përgëzoi Ibrahimin për arritjet e saj dhe përfaqësimin e denjë të Kosovës në nivel global, duke i uruar gjithashtu fat dhe suksese në ngjitjen e saj të radhës.
Gjatë këtij takimi, Ibrahimi ia dhuroi Kurtit librin e saj për fëmijë, “Uta në Sharr”, një ngjarje që përshkruan eksperiencat e saj në natyrën e paharrueshme të Malit Sharr.
Uta Ibrahimi është gruaja e parë shqiptare që ka arritur të ngjitet në majën më të lartë të botës, Everest.
Ajo gjithashtu është alpinistja e parë nga Ballkani që ka ngjitur 13 nga 14 majat mbi 8000 metra, të njohura si çatitë e botës.
Aktualisht, Ibrahimi është në përgatitje për ngjitjen e majës së Kanchenjungës, e cila është maja e tretë më e lartë në botë.