Reshjet e shiut, situatë e rënduar në Shkodër dhe Lezhë
Vijon të jetë problematike situata në Shkodër e Lezhë si pasojë e motit të keq me reshje të dendura shiu.
Nëpërmjet një njoftimi për media, Bashkia Shkodër bën me dije se në 24 orët e fundit, sipërfaqja e tokës së përmbytur është rritur me 250 hektarë, duke shkuar në total 3020 hektarë tokë nën “pushtetin” e ujit.
Sipas njoftimit, banesa me prezence uji oborre e stalla, në total janë 155, nga të cilat 2 me prezencë uji brenda në banesë në fshatin Obot.
“Rruga e Obotit është e pakalueshme, ku niveli i ujit ka shkuar në 1.5 metër, ndërsa mund të aksesohet vetëm me mjetet e kalueshmërisë së lartë ushtarake. Aktualisht në terren janë 4 të mjete të kalueshmërisë së lartë, 2 varka e 15 efektivë të Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftim.
Po ashtu edhe rruga Darragjat-Shirq është e pakalueshme në vendin e quajtur Urrelat, ku uji ka shkuar në lartësinë 1.6 metër. Të dislokuara në terren janë 2 mjete, 1 varkë dhe 11 efektivë të Forcave të Armatosura.
“Ujësjellësi Oblika 1 dhe Oblika 2 momentalisht janë jashtë funksionit, ndërsa në fshatin Obot ka rreth 100 banesa me prezence të lartë uji në oborre. Në Bërdicë janë 450 ha tokë të përmbytura, në Rrethina e Livadë 20 ha dhe 5 banesa nën ujë, ndërsa nuk ka energji elektrike në të gjithë njësinë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Po ashtu, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe në Qarkun e Lezhës, duke bërë që nën ujë të raportohen 570 hektarë tokë.