Mali i Zi “zbulon” nëse do t’i bashkohet bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes- Ja si qëndrojnë marrëdhëniet me Kroacinë
Mali i Zi “zbulon” nëse do t’i bashkohet bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes- Ja si qëndrojnë marrëdhëniet me Kroacinë
18 marsi është dita kur Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci e nënshkroi këtë deklaratë së bashku me homologun nga Shqipëria, Pirro Vengu dhe atë kroat, Ivan Anushiq.
“Duke u bazuar në vlerat tona të përbashkëta, në orientimet e njëjta gjeostrategjike dhe në angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve tanë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, tha Maqedonci pas nënshkrimit të deklaratës.
Sipas tij, të tri shtetet do të punojnë që të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, do të angazhohen që të luftojnë kërcënimet hibride si dhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
“Ky bashkëpunim nuk është kërcënim për askënd, por një angazhim shtesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova është më e fortë, rajoni më i sigurt dhe paqja më e qëndrueshme”, u shpreh Maqedonci.
Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet.
Në anën tjetër, Mali i Zi nuk është ftuar që të bëhet pjesë e deklaratës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, ata “nuk janë në dijeni” që Malit të Zi i është ofruar të nënshkruajë këtë deklaratë.
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, thotë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë bërë këtë bashkëpunim si akt dashamirësie ndaj Kosovës.
Sipas tij, ky bashkëpunim është edhe një nevojë për të vënë njëfarë balance borcash brenda rajonit.
“Shqipëria e Kroacia, duke qenë anëtare të NATO-s, nuk besoj se kishin ndonjë nevojë të veçantë të bashkëpunojnë jashtë kësaj aleance, prandaj e marrë këtë si një akt dashamirësie ndaj Kosovës dhe kërcënimeve që i vijnë dita ditës nga fqinji verior. Po ashtu, do ta shikoja këtë edhe si një nevojë për të vënë njëfarë balance forcash brenda rajonit, pas situatës më të re gjeopolitike, për të balancuar me kërcënuesin e paqes në Ballkan, por jo për të kërcënuar dikë. Dihet se kemi të bëjmë me shtete që kurrë nuk kanë synuar territore të huaja”, shprehet Camaj.
Mali i Zi me Kroacinë i kishin përkeqësuar marrëdhëniet pas miratimit të Rezolutës për Jasenovcin në Parlamentin malazez, në qershor të vitit 2024.
Një muaj më vonë, Kroacia shpalli person të padëshirueshëm, Andrija Mandiqin, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Milan Knezheviqin, deputet, dhe Aleksa Beçiqin, zëvendëskryeministër, për shkak të asaj që u cilësua si “veprim i qëllimshëm për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë”.
Në dhjetor 2024, Kroacia bllokoi mbylljen e një kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, që lidhej me politikën e jashtme të sigurisë dhe të mbrojtjes.
I pyetur nëse Mali i Zi do t’i bashkohet këtij bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri- Kroaci dhe mos mund të ndikojnë marrëdhëniet me Kroacinë në këtë bashkëpunim, Camaj nuk përjashton një bashkëpunim të tillë.
Sipas tij, çështjet e hapura midis Malit të Zi dhe Kroacisë do të marrin pak kohë për t’i sjellë në nivelin e duhur.
Por, sipas tij, mungon vullneti.
“Sipas deklarimeve të politikë-bërësve në këtë shtet, nuk ka hetërmbetje, por në këtë moment, as që pritej një gjë e tillë për shkak të raporteve që ka Kroacia me një pjesë të shumicës parlamentare. Sidoqoftë, raportet e mirë e të çelëta që ka Mali i Zi me NATO-n, si edhe bashkëpunimi në kuadër të KFORIT, nuk përjashtojnë një bashkëpunim të tillë në të ardhmen. Mendoj se rripi Adriatik-Jon duhet të lidhet në çdo mënyrë, madje edhe ushtarakisht, pa marrë para sysh se në cilat aleanca tjera ndërkombëtare mund të ndodhen, apo të mos ndodhen shtetet e këtij rajonit. Siç e ceka, ka çështje të hapura midis këtyre dy shteteve dhe do të marrin pak kohë për ti sjellë në nivelin e duhur, por nëse nuk mungon vullneti, besoj se do të kapërcehen. Për momentin ka mungesë vullneti në të dyja anët. Ajo që duhet zgjidhur sa më parë lidhet me çështjet e trashëguara nga lufta e fundit, e që lidhen me krimet dhe me kufirin”, përfundon Camaj.
Kujtojmë se Mali i Zi është anëtar i NATO-s, njësoj si Kroacia dhe Shqipëria.