Problemi është vet BE-ja! Pas vizitës së Sorensen, kërkohet qasje më dinamike dhe trajtim i barabartë në procesin e dialogut
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, ka qëndruar dje për vizitë në Kosovë.
Ai është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare.
Emisari evropian për dialog, ka thënë se prioritet për të do të jetë të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, janë vetë palët që pastaj do të vendosin për kompromise potenciale.
“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen, gjatë deklarimit për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Presidentja gjatë takimit deklaroi se “Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”.
Edhe kryeministri Kurti, sikurse presidentja Osmani, gjatë takimit me Sorensenin kanë kërkuar që blloku evropian të heqë masat kufizuese, që i cilësoi si të padrejta”.
Të njëjtën gjë kërkuan edhe krerët e partive opozitare.
Rugova: Pres qasje më dinamike dhe më pro aktive nga lidershipi i ri i BE-së dhe vetë Sorensen
Analisti politik, Naser Rugova në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se nga Sorensen pres që të jetë më dinamik do të jetë më i kujdesshëm, më racional dhe më praktik, se paraardhësit e tij.
Sipas tij, pikat nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit duhet të zbatohen.
“E vlerësoj si një qasje të kujdesshme dhe me takt të një diplomati ndërmjetësues në një çështje tepër senzitive. Pas dështimeve të paraardhësit të tij, Sorensen do të jetë më i kujdesshëm, më racional dhe më praktik. Pres qasje më dinamike dhe më proaktive nga lidershipi i ri i BE-së dhe vetë Sorensen.
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, në një mënyrë, kanë përfshirë kërkesat e palëve dhe janë sintetizuar si marrëveshje kompromisi. Si të tilla, ato pika të marrëveshjes duhet të implementohen, dhe do të ishte e pakuptimtë për palën kosovare të mendojë për kompromise të tjera. Thjesht, duhet zbatuar marrëveshjet e pranuara me garanci ndërkombëtare”, shpjegon ai.
Ahmeti: Nëse BE-ja nuk reflekton mbi procesin e dialogut, atëherë potencialisht pritjet për progres në dialog janë të vogla
Lidhur me këtë edhe analisti Hidajet Ahmeti, shprehet se dialogu nënkupton kompromis nga të dyja palët, por logjika e dialogut duhet të zhvillohet brenda standardit të njëjtë.
Sipas tij, palët në dialog duhet të trajtohen të barabarta dhe me legjitimitet ndërkombëtar, e jo të shkohet me logjik diskriminuese ndaj palës së Kosovës.
Dialogu nënkupton kompromis nga të dyja palët, por logjika e dialogut duhet të zhvillohet brenda standardit të njëjtë. Zoti Sorensen është një person që përfaqëson BE-në, por problemi nuk është personi, por vetë BE-ja, e cila vazhdimisht ka vepruar me standarde të dyfishta në procesin e dialogut. Nëse BE-ja nuk reflekton mbi procesin e dialogut, atëherë potencialisht pritjet për progres në dialog janë të vogla.
Palët në dialog duhet të trajtohen si dy shtete të barabarta dhe me legjitimitet ndërkombëtar, dhe jo të veprohet me logjikën diskriminuese ndaj palës kosovare. Dialogu mund të nënkuptojë kompromise, por jo kompromise që dëmtojnë substancën e shtetësisë, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, shpjegon ai.
Në fund, thotë Kosova duhet të pranojë marrëveshje e cila është me Kushtetutë të Kosovës, dhe jo të tejkalohet juridiksionin i shtetit të Kosovës.
“Shteti i Kosovës duhet të pranojë çdo marrëveshje, e cila në thelb është brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës. Çdo përpjekje për të tejkaluar juridiksionin e shtetit të Kosovës nuk justifikohet në asnjë mënyrë”, përmbyll ai.
Vlen të përmendet se, takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.