Lidhjet e ngushta të Ramës me Thaçin, por jo me Kurtin, “zbulohen” arsyet/ Ja ‘synimet’ e kryeministrit Rama për Kosovën
Raportet në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, tash e një kohë janë të “ftohura” dhe siç duket nuk ka ndonjë përmirësim të dukshëm.
Kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar fare pas rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë, zgjedhje këto që kanë nxjerrë fitues me 42.30 për qind, Lëvizjen Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin.
Në anën tjetër, gjersa Rama nuk “bëri zë” pas rezultateve, ai nuk ka nguruar të shkruajë në përkrahje për ish- presidentin Hashim Thaçin. Pas vizitës së këtij të fundit në Kosovë për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij, Rama ka reaguar duke publikuar fotografinë e Thaçit dhe në postimin e tij ka shkruar “burrë” dhe ia ka bashkangjitur një emoi të shqiponjës.
Lidhjet e ngushta me Thaçin dhe jo me kryeministrin Kurti, njohësit e çështjeve politike thonë se janë për shkak të interesave të përbashkëta Rama- Thaçi, ndërsa një mos urim për Kurtin dhe fitoren e tij, ata e shohin si shpresë për mos formimin e qeverisë nga Kurti, por nga opozita.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtar, Enver Bytyçi, thotë se Rama nuk e uroi Kurtin as për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe kjo tregon hendekun mes tyre.
“Detyrë” nga Beogradi?
Sipas tij, tradita e mungesës së përshëndetjeve dhe madje komunikimit mes Ramës dhe Kurti ka vijuar edhe me rastin e fitores së zgjedhjeve të fundit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në protokollet e qeverisë shqiptare, teorikisht dhe sipas rregullit, qëndron detyrimi që çdo homolog i Republikës së Shqipërisë të përshëndesë dhe të urojë homologun e tij të Republikës së Kosovës për ngjarje të rëndësishme, si për festat kombëtare, fitoret në zgjedhje dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Ky detyrim për të dy shtetet tona është jo vetëm diplomatik e politik, por edhe kombëtar, moral, etik dhe estetik. Në rastin e festës kombëtare të Kosovës të 17 vjetorit të pavarësisë ne nuk pamë një letër përshëndetëse të kryeministrit Rama për kryeministrin Kurti, çka ndodhi mes dy presidentëve, zonjës Osmani dhe zotit Begaj. Kjo tregon hendekun që ekziston midis parimeve që ndjek dhe mbron kryeministri i Kosovës me ato të kryeministrit të Shqipërisë, ose e kundërta. Kam një farë ndjenje se Rama nuk e uroi pavarësinë e Kosovës me letër urimi për kryeministrin, sepse këtë detyrë ka marrë ai nga Beogradi. Por tradita e mungesës së përshëndetjeve dhe madje komunikimit midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit ka vijuar edhe në rastin e fitores së zgjedhjeve të fundit nga ana e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit”, deklaron Bytyçi.
Mungësën e përshëndetjes për Kurtin, Rama mund ta arsyetoj me idenë se ai nuk mund ta krijojë i vetëm qeverinë e ardhshme, thotë Bytyçi, gjersa shton se mund të ketë përpjekje që të krijohet një qeveri e opozitës së Prishtinës dhe Beogradit (përmend Listën Serbe).
“Besoj se duhet parë në disa këndvështrime ky qëndrim i kryeministrit të Shqipërisë: Rama shpreh hapur pakënaqësinë e fitores së Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Mund ta justifikojë mungesën e përshëndetjes për Kurtin me idenë se ai nuk mund të krijojë i vetëm qeverinë e ardhshme. Më saktë mund të jetë ne pritje të realizimit të ndonjë kurthi, që të krijohet vakuum institucional në Kosovë, me qëllim që të përfitojë miku dhe vëllai i tij në Beograd. Ose mund të jetë duke bërë përpjekje që të krijojë një qeveri të opozitës së Prishtinës dhe Beogradit, ku kam ndërmend Listën Srpska. Gjithçka mund të ndodhë e mund të pritet prej Edi Ramës. Kujto faktin se gjithçka pritet të bëjë Serbia kundër Kosovës dhe prano faktin se e njëjta gjë pritet edhe prej Edi Ramës. Nga ana tjetër, Rama më duket se ka harruar prej kohësh se ka një shtet të Kosovës. Sepse është i fokusuar në protestat e studentëve në Beograd. Jo se frikësohet që studentët e Shqipërisë të bëjnë atë revoltë që ndodh në Beograd kundër Aleksandër Vuçiq. Por se ka frikë se rrëzohet Aleksandri dhe më pas i vjen radha Edit. Lutet që së paku të mos ndodhë rrëzimi i presidentit serb para 11 majit, kur në Shqipëri bëhen zgjedhjet parlamentare.”, shprehet profesori.
Ideja e ndarjes së Kosovës nuk ka gjasa të realizohet me Albin Kurtin, thotë Bytyçi, prandaj sipas tij, këtë mund ta realizojë vetëm Hashim Thaçi.
“Por ka edhe diçka tjetër. Ka filluar të shfaqet narrativa, sipas së cilës “bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 ishin të padrejta, pasi ato u imponuan për të mbyllur skandalin Leëinski-Clinton”! Kjo do të thotë se rrezikon të shfaqet ideja e ndarjes së Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Dhe këtë ndarje mund ta realizojë vetëm Hashim Thaçi. Rama llogarit se me Albin Kurtin nuk ka gjasa ta realizojë këtë projekt të Serbisë. Prandaj dhe përkrah vazhdimisht zotin Thaçi dhe sulmon ose hesht edhe për fitoren e Albin Kurtit”, shton Bytyçi.
Ai lidhjet e Ramës dhe Thaçit, i konsideron të hershme, gjersa shton se kush e ndihmon Ramën është “burrë” e kush nuk e ndihmon atëherë është “paburrë”.
“Lidhjet e Edi Ramës dhe të Hashim Thaçit janë lidhje të hershme. Që kur Edi ishte ministër i Kulturës e sidomos pasi ai mori Partinë Socialiste. Të dy këta jo vetëm kanë lobuar për njëri-tjetrin brenda të dy vendeve dhe jashtë tyre, por edhe kanë sponsorizuar financiarisht fushatat elektorale të njëri-tjetrit. Por më shumë ka dhënë Thaçi për Ramën, sesa ka dhënë Rama për Thaçin. Më pas, për faqen e zezë të të dyve, ata u bënë bashkë në aleancë edhe me presidentin e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe të gjitha iniciativat e Serbisë kundër Kosovës, deri te Open Balkan. Nëse ju kujtohet e gjithë retorika e kundërshtive për Open Balkan është zhvilluar midis zotit Rama dhe zotit Kurti. Presidenti Thaçi qëndroi neutral, sepse në kushte normale nuk mund të merrte në dorë iniciativat diplomatike. Por ama as kundërshtoi, as nuk kishte gjë në dorë që ta pranonte Open Balkan. Për të gjitha këto arsye Hashim Thaçit zoti Rama i thotë “Burrë”! Albin Kurtin e konsideron “të paburrë”! Kjo diferencë në qëndrime, sjellje, etikë, dhe mosrespektim të protokolleve shtetërore, lidhet me një prej çmenduritë e kryeministrit të Shqipërisë, çmendurinë e idolit për të qenë në pushtet. Me çdo mjet dhe me çdo kusht! Kush i ndihmon në këtë ambicie, ai është “Burrë”. Kush nuk i ndihmon, atëherë e konsideron “të paburrë”! Ideja fikse e kryeministrit shqiptar të sotëm është tipike si ajo e diktatorëve: – Ose je me mua, ose je kundër meje. Dhe nëse je me mua, atëherë je i shkëlqyer. Nëse je kundër, atëherë je kënetë!”, përfundon Bytyçi.
Kryeministri Edi Rama, e ka përmendur Hashim Thaçin jo pak që nga arrestimi i tij në Hagë. Së fundmi, në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Edi Rama, ka kërkuar edhe lirimin e tij, pas mesazhit të të dërguarit të SHBA-ve për Misione Speciale, Richard Grenell, i cili kishte kërkesë të njëjtë.
Shpresa e Ramës te Opozita
Analisti politik Faton Mehmeti, thotë se Rama dhe Thaçi kanë të njëjtën gjenezë.
Sipas tij, Kurti nuk e ka mbështetur Ramën për korrigjimin e ndarjen e Kosovës.
“Pothuajse të njëjtën frymë, të njëjtën gjenezë kështu që janë të njëjtit krah, majtist pavarësisht që Thaçi nuk e ka pranuar këtë publikisht për shkak të reagimit që do të kishte në Kosovë, por gjithsesi ai mbetet majtist prandaj me Edi Ramën kanë pothuajse të njëjta pikëpamje, shto këtu faktin që të dytë kanë qenë pjesëmarrës të idesë serbo- ruse të ndarjes së Kosovës, kjo edhe i ka forcuar edhe më shumë lidhjet e tyre. Ndërsa, me Kurtin edhe ai është majtist, por është majtis më i mirëfilltë, më njeri që e vënë në pah interesin kombëtar, është më patriot se Edi Rama, nuk lëshon pe për çështjet kombëtare dhe nuk i vendos të parat çështjet personale, gjë që ndodh e kundërta me Edi Ramën që interesat e tij janë primare para interesave kombëtare. Fakti që Edi Rama ka divergjenca të mëdha me Kurtin, Kurti nuk e ka mbështetur në idetë e tij për korrigjimin e ndarjen e Kosovës, gjë që i ka penguar jashtëzakonisht shumë Edi Ramës dhe Hashim Thaçit që ta çojë përpara këtë ide, prandaj edhe është prolonguar që njerëz si Kurti, edhe nga LDK nuk ka pas mbështetje për këtë ide, prandaj është prologuar”, deklaron Mehmeti.
Mos urimin e Ramës ndaj Kurtit, Mehmeti e sheh si shpresë e kryeministrit shqiptar që opozita të jetë një dhe Kurti të mos jetë kryeministër.
“Sa i përket mos urimit, është për faktin që Edi Rama shpreson shumë që opozita do të jetë një dhe do ta formojnë qeverinë, kështu që ende nuk e sheh Kurtin si fitues, sipas mendimit të tij dhe idesë së tij Kurti nuk do të jetë kryeministër, ai ka shumë gjasa që të jetë sekser apo ndërmjetësues mes opozitës që të formojnë një koalicion vetëm për t’ia pamundësuar Kurtit që të jetë kryeministër”, përfundon Mehmeti.