BERZH-i investoi 113 mln euro në Kosovë më 2024, 32 milionë më shumë se më 2023
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka njoftuar se në vitin 2024 ka investuar 113 milionë euro në Kosovë përmes 19 projekteve.
Kjo shifër sipas tyre ka tejkaluar shumën prej 81 milionë eurosh, të investuara në 16 projekte në vitin 2023.
Sipas BERZH-it 80 për qind e këtij investimi shkoi në projekte të gjelbra dhe pjesa më e madhe e tij u drejtua për sektorin privat.
Investimi thuhet se përfshiu huan më të madhe të Bankës në Kosovë, me vlerë 50 milionë euro.
“Investimi ynë në Kosovë vitin e kaluar theksoi përkushtimin tonë për të mbështetur rikuperimin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Projektet që ndërmorëm, veçanërisht në sektorin privat dhe ekonominë e gjelbër, do të kenë një ndikim të qëndrueshëm pozitiv në jetën e qytetarëve. Jemi krenarë që po kontribuojmë në përparimin e Kosovës dhe presim të vazhdojmë mbështetjen tonë në vitet në vijim”, citohet të këtë thënë shefi i BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko.
Shumica dërrmuese e këtyre projekteve – 17 nga 19 – sipas komunikatës përfshinin investime në sektorin privat. “Banka u përqendrua kryesisht në tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër, duke drejtuar 80 për qind të investimeve të saj në projekte të gjelbra. Në të njëjtën kohë, 11 projekte përfshinin një komponent gjinor, duke treguar përkushtimin e BERZH-it për të mbështetur barazinë gjinore në vend”, thuhet në komunikatë.
Në vitin 2024 thuhet se BERZH-i lidhi marrëveshjen për huan më të madhe ndonjëherë në Kosovë, duke ofruar 50 milionë euro për përmirësime të efiçiencës së energjisë për deri në 400 ndërtesa publike në vend (si dhe sigurimin e një granti investimi prej 7 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për ta bërë këtë projekt të madh më të përballueshëm). Këto masa të efiçiencës së energjisë thuhet se do të sjellin kursime mesatare prej 30 deri në 50 për qind, siç theksohet, duke reduktuar ndjeshëm emetimet e gazeve serrë.
“Një tjetër pikë e veçantë ishte investimi i rëndësishëm i BERZH-it në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë. Huaja sovrane e BERZH-it deri në 25 milionë euro do të përdoret për të ndërtuar dy impiante të reja trajtimi – një impiant modern dhe një impiant më të vogël duke përdorur zgjidhje natyrore – dhe për të zgjeruar dhe përmirësuar sistemin lokal të kanalizimeve, duke ofruar kushte më të mira higjienike për deri në 50,000 banorë në Podujevë”, thuhet në komunikatë.
Në përpjekje për të mbështetur sektorin privat, Banka gjithashtu thuhet se nisi një produkt për ndarjen e riskut të portofolit për të nxitur huadhënien për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Kosovë. “Në kuadër të kësaj nisme, BERZH do të garantojë deri në 50 për qind të riskut të kredisë, duke ndihmuar Raiffeisen Bank të çlirojë 25 milionë euro financim të ri për bizneset e vogla”, thuhet në njoftim.
Nisma të tjera të sektorit privat thuhet se përfshinin nisjen e Programit SME Go Green, investimet e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit në kuadër të Programit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër, si dhe projektet në kuadër të Programit të BERZH-it për Rindërtimin e SME-ve për të ndihmuar bizneset e vogla të investojnë teknologji që sjellin rezultate‑ më të mira.
“Përveç kësaj, BERZH gjithashtu asistoi qeverinë kosovare në zhvillimin e politikave duke ofruar këshilla, duke u angazhuar në dialog dhe duke kryer studime. Në veçanti, Banka mbështeti qeverinë duke kryer një studim para-investimi për krijimin dhe zhvillimin e shërbimeve të transportit publik në gjashtë qytete në kuadër të programit për Përmirësimin e Trafikut Urban në qendrat rajonale. Ky projekt synon të financojë blerjen e autobusëve të rinj elektrikë dhe investimin në infrastrukturën përkatëse”, ka njoftuar BERZH-i.
Në komunikatë thuhet se deri në fund të vitit 2024, investimi total kumulativ i Bankës në Kosovë që nga fillimi i operacioneve të saj në vitin 2008 kishte arritur 770 milionë euro