TË FUNDIT

Kurti takoi në Davos homologun e tij lituanez, e falënderoi për kontributin përmes KFOR-it dhe EULEX-it

Takimet bilaterale në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i vendit, Albin Kurti, i vijoi me kryeministrin e Lituanisë, Gintautas Paluckas.

Duke e uruar fillimisht homologun e tij për detyrën dhe fitoren në zgjedhjet e fundit, Kurti shprehu edhe falënderimin ndaj shtetit mik të Lituanisë për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, përmes kontributit në misionin e KFOR-it dhe EULEX-it, bashkë edhe me përkrahjen ndaj vendit tonë në aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, transmeton KosovaPost.

Gjersa e falënderoi për mbështetjen në procesin e integrimit evropian dhe për përpjekjet tona për përparim në këtë rrugëtim, kryeministri ceku edhe se, Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nevojiten hapa të rëndësishëm tutje.

Më tej, ai e njoftoi kryeministrin Paluckas me rritjen ekonomike e avancimin demokratik, që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit, dëshmuar edhe nga rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekse ndërkombëtare.

Në takim u diskutua dhe mbi gjeopolitikën dhe situatën e sigurisë në rajon dhe Evropë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta. Me këtë rast, kryeministri Kurti shprehu dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe theksoi që Republika e Kosovës është rreshtuar me partnerët ndërkombëtarë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin Paluckas për takimin dhe bisedën në shërbim të thellimit e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve e bashkëpunimit dypalësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *