Kërcënimet me bomba intensifikohen në Maqedoninë e Veriut, kërkohen masa urgjente
Institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të ndërmarrin masa të shpejta dhe efikase për zbardhjen e alarmeve për vendosje të bombave në shkolla, por edhe në objektet tjera në Shkup, pasi kërcënimet e tilla pavarësisht se kanë rezultuar të rreme, paraqesin rrezik për përshkallëzim të situatës, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë, raporton REL.
Të martën, paralajmërime për vendosje të bombave morën Ministria e Punëve të Jashtme, dy qendra tregtare, disa objekte rezidenciale, stacione policore dhe shumë shkolla të mesme. Këto paralajmërime u bënë nëpërmjet postës elektronike.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski këto kërcënime i ka quajtur “akte monstruoze” dhe pjesë të luftës kibernetike, por i ka garantuar qytetarët për sigurinë e tyre.
Ai ka thënë se organet e sigurisë në bashkëpunim me faktorët relevantë ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka për t’i zbardhur këto kërcënime, që, sipas tij, nuk janë të pranishme vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vende tjera të rajonit.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me shërbimet partnere të vendeve tjera, por edhe me NATO-n po punon në mënyrë intensive. Po bëhen analiza mbi prejardhjen e kërcënimeve bazuar në protokollet për veprim, pa improvizime”.
“Të gjitha kërcënimet vijnë nga jashtë, por akoma nuk mund të saktësohet vendi prej nga dërgohen. Ato janë rezultat i luftës hibride dhe ndaj tyre janë të ekspozuara edhe vendet tjera. Mbetet ta vazhdojnë betejën, por është me rëndësi që qytetarët tanë të mos përfshihen në to pasi ato kërcënojnë sigurinë. Aktualisht, ajo është stabile dhe qytetarët mund të ndihen të sigurt”, ka deklaruar Kovaçevski.
Më 5 dhjetor, Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup ka ngritur padi penale për veprën “terrorizëm” ndaj një personi të mitur, pasi ai kishte pranuar në Polici se në muajin tetor ka kërcënuar me bomba katër shkolla të mesme. Megjithëkëtë, me këtë rast nuk është zgjidhur ky problem pasi sipas ekspertëve, me gjasë bëhet fjalë për një person që kërcënimet i ka bërë i nxitur më tepër nga kureshtja,ashtu edhe siç janë vlerësimet e para të organeve të ndjekjes.
Zllate Dimovski, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërhyrja e institucioneve duhet të jetë e shpejtë pasi kërcënimet për vendosje bombash mund të përkeqësojnë gjendjen nëse ato përfshijnë edhe ambientet e hapura.
“Nëse nuk reagojmë shpejt do të vijmë në një situatë kur kërcënimet mund të zgjerohen dhe të përfshijnë edhe ambientet e hapura apo hapësirat ku gjatë ditës kemi më shumë lëvizje të njerëzve si nëpër rrugë, sheshe bulevarde, ura dhe zona tjera. Në situata të këtilla kontrollet do të ishin më të vështira, do të bllokohej qarkullimi i njerëzve, frika do të ishte më e lartë, por edhe frika për ndonjë veprim që vërtet mund të përbëjë rrezik për sigurinë”, thotë Dimovski.
Sipas tij, e gjithë kjo është si rezultat i paaftësisë së institucioneve për të zbulimin e autorëve të këtyre kërcënimeve, pavarësisht se lufta kibernetike përfshin një rajon më të gjerë.
Ai supozon se pas kësaj qëndrojnë struktura që nuk e duan paqen dhe stabilitetin e vendit dhe që qytetarët të mos ndihen të sigurt.
“Këtu mund të bëjnë pjesë edhe struktura tjera radikale që nuk duan një rajon të sigurt, por edhe struktura të caktuara politike”, thotë Zllate Dimovski, njohës i çështjeve të sigurisë.
Nikolla Dujovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Universitetin Evropian në Shkup është më konkret në vlerësimin e tij duke apostrofuar Rusinë si autore të kërcënimeve të tilla.
“Këto kërcënime hibride janë pjesë e luftës hibride, të cilën Rusia po e zhvillon në këtë pjesë të Botës. Në këtë askush nuk duhet të ketë dilema. Pjesën më të madhe të këtyre kërcënimeve unë i shoh si pjesë të luftës të cilën Rusia e zhvillon kundër vendeve anëtare të NATO-së. Mundësia që të dihet se nga cili vend i Rusisë dërgohen këto kërcënime është e barabartë me zero”, thotë Dujovski.
Kërcënimet kanë nisur që më 26 nëntor fillimisht në autobusët urbane, pastaj në dy shkolla të mesme për t’u zgjeruar më pas në të tuhasje në gjitha shkollat e Shkupit duke shkaktuar kaos në mësim, por edhe frikë në mesin e nxënësve dhe të popullatës në përgjithësi.
Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.
Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë.
- LEXO: Kovaçevski: Kjo është luftë hibride, është pothuajse absolutisht e pamundur të zbulohet se nga vijnë kërcënimet për bomba
- LEXO: Edhe raportimet e sotme për bomba janë të rreme, vlerësoi MPB-ja
- LEXO: Spasovski: Kërcënimet e sotme me bomba janë shembull tjetër i kërcënimit hibrid
- LEXO: Alarmet e sotme për bomba në disa shkolla të Shkupit dhe në Bankën Popullore ishin të rreme
F1 C Send an email 20:36, 13-12-2022