Musliu: Vetëvendosje e nxori nga varri Astrit Deharin për me nis fushatën zgjedhore
Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si ka përdorur rastin e Astrit Deharit në konferencën e së hënës.
Musliu ka akuzuar Vetëvendosjen për manipulim të rastit Dehari me qëllim nisjen e fushatës zgjedhore.
Sipas Musliut, kjo përpjekje nuk do të shpëtojë Vetëvendosjen nga ndëshkimi që, sipas saj, qytetarët do t’ia japin për dëmet që ka shkaktuar në Kosovë.
“Vetëvendosje, përmes Sami Kurteshit, e paska nxjerrë nga varri Astrit Deharin për të nisur fushatën zgjedhore. As Astriti, as Moni, as Arbeni nuk ju shpëtojnë nga ndëshkimi i qytetarëve për dëmin që ia keni bërë Kosovës. Pushtetin e keni, zbardheni rastin e mos lehni kot,” u shpreh Musliu.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, përmes një konference, më 12.08.2024, ka vrasja e Deharit është inskenuar me urdhër nga “maja e shtetit”, duke përkujtuar se në atë kohë president ka qenë Hashim Thaçi, ndërsa kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.
Konferenca, dëshmitë për rastin Dehari dhe pankartat kundër prokurorëve u vendosën para Prokurorisë Speciale.
Të pranishëm ishin prindërit e Astrit Deharit, bashkëshortja e tij dhe avokati Tomë Gashi.
Në mesin e shumë akuzave, Kurteshi ka thënë se të përfshirë në inskenim kanë qenë edhe Shërbimi Korrektues, Policia, Prokuroria dhe AKI-ja.
Përveç tyre ka akuzuar për përfshirje ish-ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe ish-Kryeprokurorin e Prizrenit, Sylë Hoxha, dhe rolin negativ siç konsideron ai, të disa mediave ‘në dezinformimin dhe manipulimin e rastit’./Telegrafi/