Reagon zv/ministri i Arsimit: Libra të gjuhës shqipe do të ketë
Pas një dite përplot reagime dhe kritika ndaj deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës, ku thotë se “nuk do të ketë libra për gjuhët e huaja”, e cila rezultoi me kërkim falje nga ana e saj pasi siç tha, “deklarata është formuar keq“, ka reaguar edhe zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, transmeton TV21.
Reagimin e tij e ka dërguar partia Alternativa, ndërkaq në të sigurohet se “libra të gjuhës shqipe do të ketë”.
Aliu madje thotë se deklarata e ministres, është “dezinformim i qëllimshëm për të krijuar huti”.
“Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tani më janë përgatitur dhe janë distribuuar tekstet shkollore për lëndën e Gjuhës shqipe për arsimin fillor sipas konceptit të ri për arsimin fillor, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Janë në proces tekstet për klasën e shtatë, meqë këtë vit duhej të vazhdohej me konceptin e ri, ndërkaq klasa e tetë dhe e nëntë vazhdojnë sipas programit të vjetër dhe librat janë, sipas programeve ekzistuese.
Kjo ka të bëjë me tekstet shkollore për lëndën e Gjuhës shqipe“, ka thënë zv/ministri i Arsimit.
Aliu thotë se janë të pa vërteta deklarimet e më hershme, nga ana e ish ministrit i cili deklaronte se janë siguruar të gjitha librat për të gjithë lëndët e arsimit fillor dhe se të njëjtët janë shpërndarë nëpër shkolla.
“Kjo është e pa vërtetë. Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës sot po bëhen përpjekjet maksimale që deri në fillim të vitit shkollor të sigurohen pjesa më e madhe e teksteve shkollore që janë miratuar nga Komisioni nacional i librave, por akoma nuk janë të gjithë librat. Kjo është e vërteta sa u përket teksteve shkollore“, ka thënë më tej Aliu.
Sipas tij, libra të Gjuhës shqipe do të ketë, punohet që të sigurohen edhe tekstet e tjera që janë në procedurë.