Trajtimi i transformimit digjital përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, vendet nga Ballkani Perëndimor ndanë eksperiencat e tyre
Partnerët e projektit të ICEDA (Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale) në bashkëpunim me partnerin nikoqir të ICEDA-s Open Data Kosovo Kosovë, në kuadër të dialogëve rajonale për agjendën digjitale sot u mblodhën në Prishtinë për të diskutuar mbi temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”. Nesër mbahen dy sesione për këtë temë të cilat do të jenë publike, shkruan Portalb.mk.
Pjesëmarrësit nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ndanë eksperiencat e vendeve të tyre për sa i përket transformimit digjital përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur (PQH).
Ajo që u theksua është se vendet ballafaqohen me sfida kryesisht të ngjashme në këtë transformim të tyre, u diskutuan gjithashtu prirjet, prioritetet dhe veprimet të cilat duhet të ndërmerren për të pasur efekte më të shpejta dhe në dobi të qytetarëve, për t’u mundësuar atyre të jenë qytetar digjital më efikas.
Nga Maqedonia e Veriut, përfaqësuesi nga Fondacioni Metamorfozis ishte Milla Josifovska Danilovska, nga Portalb.mk gazetari Fisnik Xhelili dhe Darko Antic nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave. Ndërsa nga vendet tjera kishte përfaqësues të organizatave partnere dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore.
Lajmi i mirë gjatë diskutimit që u dha ishte se Qeveria e Kosovës në seancën e sotme e miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH), ku Kosova ishte vendi i vetëm mes fqinjëve që nuk kishte diçka të tillë.
This slideshow requires JavaScript.
Çfarë është Partneriteti për Qeverisje të Hapur?
Si një iniciativë globale, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është një partneritet i gjerë i përbërë nga entitete të nivelit kombëtar dhe lokal që punojnë së bashku për të krijuar plane veprimi me hapa konkretë – angazhime – për një spektër të gjerë çështjesh. Që nga viti 2011, ideja e PQH është që qeveria e hapur është më e qasshme, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe se përmirësimi i marrëdhënieve midis njerëzve dhe qeverisë së tyre ka përfitime afatgjata dhe eksponenciale për të gjithë.
Duke punuar në një kontekst më të gjerë të prapambetjes demokratike, mbylljes së hapësirës qytetare dhe rritjes së politikës autoritare dhe populiste, ky partneritet i pjekur i 78 anëtarëve kombëtarë që përfshin një numër në rritje të autoriteteve lokale dhe mijëra pjesëmarrës të shoqërisë civile, ka mundësuar bashkëkrijimin e mbi 4.000 reformave të hapura të qeverisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave treguan ndikim të madh.
Ballkani Perëndimor në Partneritetin për Qeverisje të Hapur
Ndër anëtarët kombëtarë të kësaj iniciative janë edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria (2011), Bosnja dhe Hercegovina (2014), Mali i Zi (2011), Maqedonia e Veriut (2011) dhe Serbia (2012), kurse Kosova është i vetmi vend që nuk është pjesë e këtij procesi pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u anëtarësuar, vetëm sot vendi miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH).
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është autoriteti i vetëm legjislativ midis vendeve të Ballkanit Perëndimor që është pjesë e kësaj iniciative globale dhe për herë të parë gjyqësori i Maqedonisë së Veriut u bë pjesë e Planit më të fundit Kombëtar të Veprimit për PQH (PKV), me qëllim të përmirësimit të hapjes dhe transparencës së tyre ndaj publikut.
Digjitalizimi si prioritet në planet kombëtare të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të Ballkanit Perëndimor
Me një fokus më të vogël apo më të madh, veçanërisht për ato plane që u zhvilluan në fillimet e pandemisë së Kovid-19, qeveritë e Ballkanit Perëndimor i kanë përgatitur PKV-të e tyre me digjitalizim në sektorë të ndryshëm të vendosur si prioritete.
Një nga komponentët kryesorë në PKV-në e fundit 2020-2021 të Shqipërisë është qeverisja digjitale e fokusuar në zgjerimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, zgjerimin e portalit të të dhënave të hapura dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike në qendrat për shërbimet e integruara dhe sportelet e shërbimit. Kur bëhet fjalë për pikën e parë, Shqipëria digjitalizoi së fundmi të gjitha shërbimet publike dhe kështu e përmbushi angazhimin e saj, por u përball me disa pengesa në praktikë, kryesisht sepse u mbyllën në mënyrë të papritur sportelet ku qytetarët mund të kërkonin mbështetje. Digjitalizimi i shërbimeve publike është kthyer në një pengesë për grupet e margjinalizuara me mungesë aftësish dhe të infrastrukturës digjitale siç theksohet nga anëtarë të caktuar të komunitetit rom. Për më tepër, për shkak të sulmeve kibernetike kohët e fundit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të Shqipërisë u detyrua të mbyllte shërbimet publike online dhe faqet e internetit të qeverisë.
Ndër të tjera, PKV për PQV 2021-2023 për Maqedoninë e Veriut përmban angazhime në lidhje me transparencën, llogaridhënien, proaktivitetin dhe gjithëpërfshirjen, parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë, ofrimin e shërbimeve publike, qasjen në drejtësi dhe mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike. Të gjitha këto angazhime përfshijnë një komponent të digjitalizimit ose transformimit digjital të fokusuar më së shumti në hartimin e zgjidhjeve dhe mekanizmave të reja inovative digjitale, të dhëna të hapura, ofrimin e më shumë shërbimeve elektronike, etj.
Në kuadër të PKV-së së njëjtë, Kuvendi vendos theks të madh në përmirësimin e infrastrukturës së tyre të TIK-ut, duke përmirësuar kështu qasjen e tyre për qytetarët. Ndër disa prej angazhimeve të Kuvendit në këtë drejtim janë edhe zhvillimi i disa platformave dhe zgjidhjeve digjitale (ueb-faqja e re e Kuvendit, portali online për të dhëna të hapura, platforma për propozime dhe iniciativa nga qytetarët drejt autoritetit legjislativ, zgjidhje softuerike për monitorimin e procesit legjislativ nga publiku, hapja e softuerit për arkiv elektronik për kërkim publik), prokurimi i pajisjeve të nevojshme digjitale (kamera me pajisje përcjellëse për transmetimin e seancave në internet, zgjidhje softuerike për të mundësuar përkthimin nga të folurit në tekst) dhe sigurimi i sigurisë digjitale përmes nënshkrimeve digjitale për deputetët dhe shërbimin parlamentar.
Gjyqësori i Maqedonisë së Veriut është gjithashtu një plan thelbësor i PKV-së, i cili i fokuson përpjekjet e tij në përmirësimin e portalit elektronik të gjykatës, sistemin elektronik të trajnimit bazë dhe të vazhdueshëm të gjyqtarëve, marrëdhëniet me publikun të gjykatave dhe cilësinë dhe disponueshmërinë e të dhënave dhe informacionit për funksionimin e Këshillit Gjyqësor.
Ashtu si dy vendet e mëparshme, PKV për PQH 2020-2022e Serbisë, gjithashtu e përmend digjitalizimin si pjesë e nismës së inovacionit teknologjik. Angazhimet për sa i përket teknologjisë dhe inovacionit duhet ta përmirësojnë hapjen dhe përgjegjshmërinë përmes promovimit të teknologjive të reja që ofrojnë mundësi për ndarjen e informacionit dhe pjesëmarrjen e publikut.
Ndërkohë, PKV-ja e re për Malin e Zi është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit dhe pritet t’u ofrojë qytetarëve qasje më të mirë në shërbimet publike, përfshirje më të madhe në krijimin e politikave për financimin publik, si dhe përfshirjen e grupeve të nënpërfaqësuara në krijimin e politikave. Gjithashtu pritet që PKV-ja të përfshijë aktivitete në përputhje me transformimin digjital brenda sektorit publik dhe shërbimeve elektronike. Kur bëhet fjalë për PKV-në e mëparshme 2018-2020 në një rast, zyrtari i lartë për hulumtime, Mekanizmi i Raportit të Pavarur për PQH, Andreas Pavlu tha se përpjekjet përmes këtij plani kanë ardhur me rezultate të kufizuara në fushat e mësipërme.
Pasi që Kosova nuk është anëtare e kësaj iniciative, situata në anën e tyre është pak më ndryshe kur bëhet fjalë për formalitetet, por përpjekjet e tyre për ta afruar qeverinë me popullin nuk mungojnë. Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës vendosi të nisë procedurat për anëtarësimin e tyre në këtë nismë shumëkombëshe, por mori përgjigje negative. Megjithatë, me ndihmën e Open Data Kosovo, Kosova ka krijuar platformën e saj informative që i ofron të gjitha dokumentet e rëndësishme dhe informacionet e tjera relevante në lidhje me përpjekjen e tyre të dytë për t’u bërë pjesë e iniciativës. Ata, po punojnë gjithashtu për krijimin e PKV-së së tyre 2022-2024, shtyllat kryesore të të cilit janë anti-korrupsioni, qeverisja digjitale, hapja e të dhënave dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje. Qeveria e Kosovës në seancën e sotme e miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH).
Sektori civil (nuk është) i përfshirë në bashkë-krijimin e PKV-së për PQH
Përderisa në disa vende sektori civil është kryesisht dhe drejtpërdrejt i përfshirë në përbërjen dhe zbatimin e PKV-së së vendeve të tyre, në disa vende ky sektor nuk është i përfshirë. Organizatat civile në Serbi nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në aktivitetet e PKV për PQH, por e ndjekin punën e Qeverisë dhe dorëzojnë raporte për aktivitetet e tyre, ndërsa në procesin e fundit të bashkë-krijimit të PKV-së në Maqedoninë e Veriut, 86% e pjesëmarrësve në proces ishin OJQ-të ndërsa pjesa e mbetur prej 14% vinin nga institucionet. Ky proces i bashkë-krijimit përbëhej nga 3 takime informative-edukative online, 12 takime online për identifikimin e nevojave dhe problematikave, analizë, prioritizim etj. dhe mbi 60 takime individuale. Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural si pjesë e rrjetit ICEDA kanë marrë pjesë me përkushtim në këtë proces dhe kanë arritur të ndërhyjnë në disa angazhime duke siguruar fokus në të dhënat e hapura, hapjen institucionale dhe transparencën dhe digjitalizimin e shërbimeve publike në fusha të ndryshme.
Maqedonia e Veriut është gjithashtu i vetmi vend me një platformë të projektuar posaçërisht për e-pjesëmarrjen e dedikuar për PQH që i lejon grupet e punës të krijojnë së bashku PKV-në, të informojnë dhe të informohen për procesin dhe progresin e secilit komponent të PKV-së. Kjo platformë synon të prezantojë në mënyrë interaktive dhe të detajuar procesin e realizimit të angazhimeve dhe arritjeve në kuadër të PKV-së aktuale, për të mundësuar monitorim të papanguar të zbatimit të tij. Për më tepër, ajo ofron një paraqitje vizuale të PKV-së dhe një përshkrim të statusit të zbatimit duke u bazuar në treguesit e suksesit të vendosur për çdo arritje të detyrimeve konkrete në një fushë specifike prioritare. Kjo platformë u krijua nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të Projektit për Pjesëmarrje Qytetare me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID).
Në Kosovë, Komiteti Koordinues Kombëtar për përgatitjen e PKV-së për PQH të Kosovës 2022-2024 përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qeveritare, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve tjera relevante. Open Data Kosovo si OJQ është anëtare e këtij komiteti dhe kontribuon në përgatitjen e PKV-së, ku ofron informacione për temat që kanë të bëjnë me Agjendën Digjitale.
Një nga vërejtjet e Andreas Pavlu për PKV-në malazeze 2018-2021 ishte se Mali i Zi i plotësonte standardet minimale në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe OJQ-ve. Lidhur me këtë, personi i kontaktit për PQH në Mal të Zi në Ministrinë e Administratës Publike, Marija Jankoviq, theksoi se ka shumë sfida në zbatimin e PKV-së për PQH, duke u shprehur se një nga sfidat është ekipi operacional dhe dinamika e takimeve të tij, dukshmëria dhe mënyra se si është bërë monitorimi i PKV-së së mëparshme. Ajo theksoi se mandati i ekipit operativ prej katër vitesh po përfundon dhe se Ministria ka filluar konsultimet se si duhet të duket ekipi i ri operacional, cila duhet të jetë struktura, detyrat e tij dhe si të krijohet një mjedis efikas për planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e efekteve të PKV-së. Jankoviq gjithashtu tha se Ministria e Administratës Publike po organizon një sërë takimesh konsultative me palët e interesuara për të përcaktuar detyrimet për ciklin e ardhshëm të zbatimit të PKV në Malin e Zi dhe për krijimin e PKV-së së re.
Ndikimi i Partneriteti për Qeverisje të Hapur në rajon
Anëtarësimi në këtë iniciativë dhe zbatimi i PKV për PQH nuk duhet të nënkuptojë thjesht “shënimin si i realizuar” në listën e aktiviteteve, por duhet të ndërtohet mbi punën e përbashkët të përkushtuar nga shumë aktorë, në mënyrë që përpjekjet të sjellin rezultate të prekshme që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe do të mundësojnë kapërcimin e hendekut mes tyre dhe institucioneve.
Serbia shënon 2 rezultate pozitive nga PKV-ja e finalizuar për PQH në fushën e digjitalizimit. Gjatë vitit 2021 ka përfunduar zhvillimi teknik i portalit për e-konsultime dhe portali tashmë është aktiv. Të gjithë qytetarët mund ta ndjekin dhe të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes publike. Një tjetër rast pozitiv ishte “Të mbroj” që është një sistem për raportimin elektronik, reagimin dhe monitorimin e dhunës që përfshin fëmijët, si dhe mbështetjen e viktimave, i cili është krijuar dhe ka filluar të zhvillohet.
Në vitin 2021, në konkurrencë me mbi 100 aplikacione për mjete inovative, angazhimi për komuna më transparente në Maqedoninë e Veriut e fitoi çmimin e tretë në nivel evropian për ndikimin në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe cilësinë e demokracisë. Angazhimi i shpërblyer është një grup mjetesh që janë krijuar dhe vënë në funksion në tre vitet e mëparshme, të cilat kanë kontribuar në përmirësimin e transparencës fiskale në nivel lokal, kanë mundësuar monitorimin e drejtpërdrejtë të seancave të 18 komunave, si dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në 24 komuna. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të angazhimit “Krijimi i mjeteve të reja për përmirësimin e transparencës financiare dhe llogaridhënies së njësive të vetëqeverisjes lokale”, bartës i të cilit është Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Me këtë rast, ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, deklaroi publikisht se njohja e këtyre rezultateve të treguara përmes këtij çmimi në Samitin Global është “njohje e vërtetë dhe e sinqertë e përpjekjes dhe partneritetit të përbashkët mes qeverisë, sektorit civil dhe komunitetit të donatorëve që ofron zgjidhje efektive dhe afatgjata për sfidat me të cilat përballet shoqëria”.
Përveç Maqedonisë së Veriut, me këtë çmim u nderuan edhe vende të tjera nga Ballkani Perëndimor. Në të njëjtën kategori, Serbia e mori vendin e dytë në nënkategorinë Evropa për shërbime publike ePAPER, ndërsa Shqipëria e fitoi vendin e dytë në kategorinë Çmime për inovacion lokale për PQH, nënkategoria: Evropa, për WhatsApp Counselor.
Raporti mbi rezultatet kalimtare të Malit të Zi 2018-2021 gjithashtu vë në dukje disa suksese në zbatimin e PKV-së për PQH, siç është zgjerimi i mjeteve për pjesëmarrjen online të publikut, përmirësimi i qasjes në informacionin e qeverisë dhe të dhënat e hapura, përmirësimi i transparencës buxhetore dhe kryerja e një studimi për mbrojtjen e informatorëve. Aktivitete të tjera përfshijnë prezantimin e dokumentit online për identifikim, mbledhjen e taksave përmes interneti dhe raportimin e tatimit përmes internetit, megjithatë, për shkak të paqëndrueshmërisë politike zbatimi është ngadalësuar dhe raporti thekson se “Megjithëse plani i veprimit përfshinte aktivitete potencialisht me ndikim rreth pjesëmarrjes online të publikut (Angazhimi 2), qasja në informacion (Angazhimi 3) dhe transparenca buxhetore (Angazhimi 6), përfundimi i kufizuar i tyre i ka penguar ata të arrijnë rezultate të dukshme ose ndryshime në praktikën e qeverisjes së hapur.”
Nesër dy panele diskutimi mbi këtë temë
Nesër po në temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”, do të ketë dy diskutime të cilat do jenë të hapura për publikun.
Në ngjarje do të shqyrtohet më thellë tema e Partneritetit të Qeverisjes së Hapur (PQH) në aspekt të Qeverisjes digjitale dhe do të përbëhet nga dy sesione për të shqyrtuar fushat kryesore në lidhje me transformimin digjital përmes PQH:
- Sesioni I: Digjitalizimi – Prioritet në Planet Kombëtare të Veprimit të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur të vendeve të Ballkanit Perëndimor (storje të suksesshme)
- Sesioni II: Politikat qytetare në qendër – Roli i sektorit qytetar në procesin e krijimit të Planeve Kombëtare të Veprimit të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur.
Ngjarja do të mbledhë përfaqësues të institucioneve relevante, shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Përveç pranisë fizike, ngjarja mund të ndiqet edhe drejtpërdrejt përmes platformës ZOOM, ose nëpërmjet faqes së projektit ICEDA në Facebook.
Çdo sesion do të mbledhë së bashku përfaqësuesit e qeverive lokale dhe rajonale, dhe të OJQ-ve, si dhe ata nga kjo fushë, për të ndarë dhe për të diskutuar jo vetëm përpjekjet e tyre individuale, por edhe për të ofruar një pasqyrë më të gjerë për sa i përket përpjekjeve që po bëhen në vendet e tyre në lidhje me këto tema.
Qëllimi i këtyre diskutimeve synon shkëmbimin e njohurive ndërmjet palëve të interesuara (institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile) nga Ballkani Perëndimor dhe për fillimin e një dialogu produktiv për punë më të mirë mbi problemet që lidhen me transformimin digjital përmes iniciativave globale si Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP).
Projekti “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për E-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, i njëjti promovon shërbime digjitale më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
- LEXO: Kosovë, u miratua Plani Kombëtar i Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur
Fisnik Xhelili Send an email 19:01, 13-12-2022