Reagon ish ushtari i UÇK-së Gafur Dugolli nga Kosova që në kohën e BDI-së ishte arrestuar në Maqedoni
Ish ushatri i UÇK-së nga Kosova, Gafurr Dugolli ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ku ka treguar historinë e tij se si edhe ai në vitin 2016-të kur në pushtet ishte BDI-ja, është arrestuar në Maqedoni me kërkesë të Interpolit serbë.
Dugolli në reagimin e tij kërkon që këto raste të mos politizohen nga subjektet politike shqiptare në RMV, dhe kërkon që politika të jetë e unifikuar dhe mos përfitojnë pikë politike siç po ndodh aktualisht me rastin e Blerim Ramadanit, ish ushtar i UÇK-së nga Kosova që para disa ditësh u arrestua në Maqedoni.
Ai kërkon që Ramadani të lirohet menjëherë.
Në vazhdim ua përcjellim të plotë reagimin e tij:
Me rastin e fundit të ndalimit të ish-ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), i cili ndalim është bërë në bazë urdhër arrestit të lëshuar nga interpol Serbia, disa miq më njoftuan se mu ka përmendur emri im të pakten në një studio televizive në Kosovë duke plasuar informata të pasakta rreth ndalimit tim në vitin 2016. Pas kësaj jam interesuar të njoftohem më shumë edhe me zhvillimet që po ndodhin në RMV rreth këtij rasti.
Me këtë rast reagoj si në vijim:
– Në vitin 2016, duke shkuar në ambasadën e ShBA në Maqedoni, jam ndaluar nga autoritetet kufitare të Maqedonisë së Veriut, me urdhërarrest të Interpol Serbia, dhe më pas jam mbajtur në paraburgim për 8 ditë, e jo për 24 orë siç ka deklaruar në një TV të Kosovës një analist!
-Pas 8 ditëve jam liruar në procedurë të rregullt, dhe më vonë Gjykata Supreme e RMV ka mbyllur në tërësi rastin tim, me arsyen se rasti im nuk është problem i RMV!
-Si ish ushtar i UÇK – së bëj apel si në Kosovë e veçanërisht tek partitë politike shqiptare në RMV, që për raste të tilla ku kërkohet mbrojtje e vlerave të UÇK -së, të tejkalohen dallimet politike dhe faktori politik shqiptar të jetë unik! UÇK-ja dhe historia e saj e lavdishme duhet të na bashkojë e jo të na ndajë!
-Këto urdhëarreste nuk është duke i zbatuar asnjë shtet demokratik me vlera euroatlantike andaj bëj apel që edhe RMV si shtet anëtar i NATO-s dhe mik i Kosovës të mos zbatojë urdhërarreste të tilla sepse ato janë ngritur me akuza false dhe me qëllime politike për të denigruar ish luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi!
Shpresoj që autoritetet e RMV të lirojnë Blerim Ramadanin sa më shpejt dhe njëkohësisht të marrin vendim që mos të përsëriten raste të tilla në të ardhmen!