Kjo verë do jetë e tmerrshme në Maqedoninë e Veriut, ndryshimet klimatike do e bëjnë efektin e tyre
Këtë verë na pret një vapë e tmerrshme dhe thatësirë, ndërsa ndryshimet klimatike po përkeqësohen si pasojë e pakujdesisë së njeriut, si më përgjegjësi për emetimin e gazrave serë. Ndonëse sipas kalendarit sapo ka filluar, që tani po e ndjejmë verën me vrull të plotë dhe për shkak të temperaturave të larta në vend që në fillimin e saj u shpall faza portokalli e rrezikut. Vapa do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë rekomandime për atë se si qytetarët mund ta mbrojnë shëndetin e tyre, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Temperaturat këtë qershor janë edhe më të larta se mesatarja shumëvjeçare e temperaturave mesatare. Sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), ky muaj është më i ngrohtë se ai i vitit 2023 dhe 2022, por me temperatura pak më të ulëta se qershori i vitit 2021. Në Shkup temperatura më e lartë e matur në 19 ditët e fundit ka qenë 38 gradë Celsius, në Shtip 37,8, në Demir Kapija 39,1 dhe në Manastir 36,4 gradë Celsius.
Sipas hulumtimeve të Sektorit të Meteorologjisë pranë Drejtorisë së Punëve Hidrometeorologjike, në 20 vitet e fundit temperaturat mesatare kanë qenë vazhdimisht më të larta se mesatarja shumëvjeçare, ndërsa temperaturat më ekstreme në qershor janë matur në vitin 2007, kur në Demir Kapija janë regjistruar 43,1 gradë Celsius, 42,6 në Gjevgjeli, ndërsa në Shkup 41,4 gradë Celsius. Hulumtimet e fundit për rajonin e Shkupit tregojnë se nga dhjetë vitet e fundit, vetëm viti 2011 ka qenë përjashtim në njëzet vitet më të ngrohta për periudhën 1951-2020.
Nga Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike thonë se vendi po përballet me ndikime klimatike më të drejtpërdrejta nga veriu me klimë kontinentale, nga jugu me klimë mesdhetare, ndërsa në rajonet e larta malore ka ndikim klimatik malor, që është arsyeja e karakteristikave të ndryshme klimatike që mund të vihen re në vendin tonë.
Sipas parashikimit sezonal të Drejtorisë së Punëve Hidrometeorologjike, kjo verë do të jetë jashtëzakonisht e nxehtë. Në të gjithë territorin e vendit ka një probabilitet shumë të lartë që temperaturat t’i tejkalojnë vlerat mesatare afatgjata, që mund të arrijnë deri në tre gradë Celsius pothuajse në çdo pjesë të vendit.
Devijimi më i madh pozitiv i temperaturës së ajrit nga mesataret shumëvjeçare për këtë sezon pritet të ndodhë në muajin korrik. Në këtë muaj, këtu, por edhe në të gjithë rajonin juglindor të Evropës, reshjet pritet të jenë nën mesatare, përveç pjesëve malore, ku ka shumë gjasa që të ketë reshje të dendura.
“Këtë verë ka mundësi që të kemi periudha jashtëzakonisht të nxehta dhe të thata, si dhe mundësi për devijime negative të theksuara nga vlerat e zakonshme mesatare të temperaturës, si dhe mundësi për reshje. Herë pas here mund të mbisundojnë variacionet subsezonale, të cilat nuk janë të parashikueshme për një kohë të gjatë para”, thonë nga DPHM-ja.
Një nga treguesit më të shpeshtë të ndryshimeve klimatike është tejkalimi i vlerave ekstreme të temperaturës, ndërsa nga Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike parashikojnë se trendi i rritjes së temperaturës do të vazhdojë, duke pasur parasysh se përqendrimet e gazrave serrë janë më të larta se më parë. Ato janë arsyeja kryesore e rritjes së temperaturës në nivel global, e cila nga ana tjetër kontribuon në shkrirjen e akullnajave dhe në ngritjen e nivelit botëror të detrave për të paktën 20, por ka mundësi edhe deri në 60 centimetra. E gjithë kjo ka një ndikim të pashmangshëm në ekosistemet e ndryshme, disponueshmërinë e burimeve ujore, prodhimin e ushqimit, shëndetin e njeriut.
“Në rajonin e Evropës ndryshimet klimatike do t’i zmadhojnë dallimet ekzistuese rajonale në aspektin e burimeve natyrore si disponueshmëria e ujit, diversiteti i botës bimore dhe shtazore. Do të ketë edhe një rrezik më të lartë nga përmbytjet dhe erozioni. Rajonet malore do të përballen me shkrirje të akullnajave, zvogëlim të mbulesës së dëborës dhe me zhdukjen e specieve të caktuara. Në Evropën Jugore do të përshkallëzohet edhe më shumë rritja e temperaturave dhe thatësira, duke ndikuar kështu në disponueshmërinë e ujit, potencialin hidrologjik, turizmin veror dhe prodhimin e ushqimit.
Pritet që ndryshimet klimatike ta rrisin rrezikun nga valët e të nxehtit, si dhe nga zjarret e shpeshta në pyje”, thotë Aleksandra Stevkov, udhëheqëse e Departamentit të Klimatologjisë dhe Ndryshimeve Klimatike pranë Drejtorisë së Punëve Hidrometeorologjike.