POLITIKA

Vuçiqi nxit frikë: Serbët në Kosovë sonte i pret një natë e vështirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se u kërkon shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen dhe të shtensionojnë situatën.

“U bëj thirrje serbëve në veri [të Kosovës] që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.

Në veri të Kosovës, disa serbë lokalë ngritën barrikada dhe bllokuan rrugë qysh të shtunën pasdite.

Ata morën këtë vendim pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Vuçiq tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evroianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.

“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat”, tha ai.

Vuçiq porositi serbët në veri se sulmet mbi misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të BE-së, EULEX, “nuk guxojnë të ndodhin”.

Ai tha se ka marrë garanci nga KFOR-i dhe Evropa se “nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër demonstruesve”.

“Një natë e vështirë na pret, kemi garanci nga KFOR-i se nuk do të ketë veprime të dhunshme. Shpresoj të kemi garanci nga KFOR-i, nga Evropa, se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve. Shpresojmë që kështu do të shkojë. Ne vazhdojmë të flasim me ta, kjo është puna jonë. Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin ”, tha Vuçiq.

“Do të vazhdojmë të bisedojmë me ta”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat në veri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar bënë po ashtu thirrje për çmontimin e tyre. /REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *