Ish-shefi i kompanisë shtetërore të naftës në Ukrainë: Nëse Rusia vijon sulmet energjetike, do të ketë rritje çmimesh në të gjithë globin
Ish-shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës në Ukrainë, ka paralajmëruar një rritje dramatike të çmimeve evropiane të energjisë, nëse Rusia vijon shkatërrimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Andriy Kobolyev, një ish-kreu i Naftogaz, tha në një intervistë me ‘The Guardian’ se Rusia po përpiqet të zhvillojë një luftë globale energjetike dhe Ukraina është pjesë e asaj lufte.
Sipas tij, nëse tregjet perceptojnë se Rusia po e fiton atë luftë, pasojat do të jenë shumë serioze.
“Do të shihni një rritje të çmimeve në të gjithë globin”, tha Kobolyev.
Ai tha se nuk do të kishte asnjë kuptim që të mbajmë më konferenca për rindërtimin e Ukrainës derisa Ukraina të furnizohet me armë për të shpëtuar infrastrukturën e saj energjetike nga vala e sulmeve nga dronët Shahed të prodhuar nga Irani dhe bombat.
Javën e kaluar një sulm masiv me raketa dhe dron shkatërroi një nga termocentralet më të mëdhenj të Ukrainës dhe dëmtoi të tjerë, si pjesë e një fushate të rinovuar ruse që synon infrastrukturën energjetike.
Impianti Trypilska, i cili ishte furnizuesi më i madh i energjisë për rajonet e Kievit, Cherkasy dhe Zhytomyr, u godit shumë herë, duke shkatërruar transformatorin, turbinat dhe gjeneratorët dhe duke e lënë centralin në flakë.
Kobolyev, një nga specialistët e energjisë të Ukrainës dhe shefi ekzekutiv i Naftogaz për shtatë vjet deri në vitin 2021, ka luftuar akuzat e korrupsionit në Ukrainë që ai pretendon se janë të motivuara politikisht.
Ai tha se ndikimi në çmimet e energjisë nga sulmet ruse do të ishte i dyfishtë, një rritje e mundshme e kërkesës ukrainase për gaz dhe energji elektrike në Evropë dhe një përgjigje e përgjithshme e tregut ndaj gjasave që Vladimir Putin të fitojë luftën në Ukrainë.
“Nëse tregjet evropiane të energjisë fillojnë të besojnë se rusët po e fitojnë këtë luftë, kjo do të ketë një efekt negativ dramatik në çmimet e energjisë”.
Kobolyev tha gjithashtu se dëmi i shkaktuar në rrjetin energjetik të Ukrainës ishte shumë më i gjerë se sulmet ruse në dimrin 2022-2023.
“Duket sikur rusët kanë rritur intensitetin dhe kanë ulur numrin e objektivave që po përpiqen të godasin. Duke qenë më intensiv dhe më i fokusuar, ka sjellë dëme më të mëdha”, tha ai.
Ndryshe nga dimri i parë i sulmeve, kur Rusia shënjestroi rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Ukrainës, sulmet e fundit janë përpjekur të shkatërrojnë kapacitetin e prodhimit në shkallë të gjerë, veçanërisht kapacitetin e gazit dhe qymyrit të përdorur kur kërkesa kalon mbi ngarkesën bazë.
“Ne do të shohim ndërprerje të mëdha, ky është realiteti dhe kjo është për shkak se ne nuk kemi akses në mbrojtjen ajrore dhe avionët luftarakë për të luftuar bombat e tyre rrëshqitëse”, paralajmëroi ai.
Ai tha se nuk do të zbulonte shkallën absolute të dëmit pasi është i klasifikuar ushtarakisht “por ne aktualisht po përballemi me një krizë shumë më të madhe sesa Ukraina një vit më parë. Problemi është aq kritik për ekonominë tonë saqë ka nevojë për zgjidhje që tani”.
“Zgjidhjet janë të dyfishta. Së pari, duhet të ketë furnizim të menjëhershëm të komponentëve të mbrojtjes ajrore dhe municioneve për të mbrojtur sistemin. Së dyti, ne duhet të zhvillojmë një sistem të ri gjenerimi të shpërndarë dhe të mbrojtur në të gjithë vendin, që duhet të zëvendësojë gjenerimin balancues të shkatërruar. Kështu që tani është koha për të krijuar një gjeneratë më të vogël të gjelbër të diversifikuar ose të shpërndarë në Ukrainë, sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër. Shumë prej këtyre stacioneve do të duhet të mbrohen me bunkerë betoni’, ka treguar ai.
Më tej, Andriy Kobolyev hodhi poshtë kritikat e SHBA për sulmet e Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
“Atyre njerëzve që guxojnë të thonë se Ukraina po përdor drone për të sulmuar infrastrukturën energjetike në territorin rus, unë do t’u përgjigjesha se po zhvillohet një luftë energjetike”, u shpreh ai.
Kobolyev po lufton akuzat se i ka paguar vetes një bonus që ishte më shumë se maksimumi i lejuar ligjor për një punonjës të ndërmarrjes shtetërore. Ai tha se bonusi u ra dakord me bordin mbikëqyrës pasi fitoi një vendim masiv arbitrazhi prej 4.6 miliardë dollarësh kundër Gazprom.
Disa importe relativisht të vogla të energjisë elektrike nga Evropa po ndihmojnë për të mbuluar deficitin e Ukrainës, sepse kërkesa është e ulët gjatë pranverës.