“Lista e zezë” e SHBA-së/ Prej Gjevgjelisë e deri tek njeriu i parë i Prokurorisë Speciale – Kush është Katica Janeva?
Nga një prokurore nga Gjevgjelia deri të njeriu i parë i Prokurorisë Speciale. Në vitin 2015, shpresat e politikanëve vendas dhe faktorit ndërkombëtar, për sundimin e ligjit në vend u mbështetën në punën e Katica Janevas. Por rasti “Reket” e futi atë në burg, ndërsa zhgënjimi për punën e saj akoma mbetet. Janeva tani përfundoi në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit. Ajo sa ishte drejtuese e Prokurorisë Speciale, në mënyrë jomodeste theksoi faktin se institucioni që ajo drejton e ka mbështetjen të Brukselit edhe të Uashingtonit, shkruan Alsat.
“Falënderoj të gjithë faktorët politikë dhe faktorët ndërkombëtarë që qëndronin pas zgjedhjes sime si Prokurore Speciale”, kishte thënë Janeva në vitin 2015.
Përderisa ekzistonte, PSP-ja shpesh merrte mbështetje nga vendet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara në formën e trajnimeve për prokurorë dhe hetues. Për shkak të kësaj, Janeva ka theksuar disa herë se punon në mënyrë autonome.
“Unë nuk jam mashë e askujt. Prandaj krenohem me autonominë dhe dua ta ruajë atë. //Jam krenare me një institucion që është ndërtuar në këto dy vite si institucion me besueshmëri të lartë”, ishte shprehur Janeva në vitin 2018.
Shtatë vjet pas deklaratës së Janevës, rreth 2% e qytetarëve i besojnë sistemit të drejtësisë në vend. Zyrtarët e lartë të SHBA-së edhe sot theksojnë se presin rezultate nga dhjetëra miliona dollarët e investuar në fushën e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç bënë shtatë vjet më parë kur e prisnin këtë nga Janeva.
“Pata rastin të takoj zonjën Janeva dhe ekipin e saj. Puna e saj është jetike për sundimin e vërtetë të ligjit, llogaridhënien dhe një sistem të pastër drejtësie në këtë vend – diçka që është absolutisht thelbësore nëse Maqedonia do të arrijë qëllimet e saj euro-atlantike, në mënyrë që të arrijë qëllimin e saj për të qenë anëtare e BE-së dhe NATO-s, diçka që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur prej kohësh”, kishte thënë Viktoria Nuland – ish ndihmës sekretare amerikane e shtetit.
Në arsyetimin e një dite më parë Departamentit Amerikan i Shtetit theksoi se veprimet e Katica Janevës dhe Stevço Jakimovskit, minuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike në vend. Baza për futjen e Janevës në listën e zezë është se gjatë kohës së saj në krye të Prokurorisë Speciale, ajo ishte e përfshirë në veprime korruptive, si dhe ka përdorur ndikimin dhe pushtetin politik për përfitimin e saj personal./ Alsat.mk