BDI dhe opozita përplasen pas një deklarate të Vuçiq për Albin Kurtin dhe Ali Ahmetin që u citua në media
BDI dhe opozita përplasen pas një deklarate të Vuçiq për Albin Kurtin dhe Ali Ahmetin që u citua në media
Afrim Gashi, kryetari i Alternativës, partisë përbërëse të koalicionit opozitar të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut tha se beteja politike atje “është bërë më e qartë”.
Gashi e rreshtoi në njërën anë Ali Ahmetin, kryetarin e partisë më të madhe të shqiptarëve në RMV (BDI) dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kundërshtarë të bashkuar të koalicionit të tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka mbështetur këtë koalicion, raporton Gazeta Express.
“Prej sonte beteja jonë politike është bërë edhe më e qartë. Pyetja e zgjedhjeve të 8 majit do të jetë: “A jeni me Vuçiqin e Serbisë e Ali Ahmetin apo jeni me opozitën e bashkuar shqiptare – Lidhja Europiane për Ndryshim dhe Albin Kurtin?” Më pastër se kaq nuk mund të bëhej. Njësoj edhe më lehtë për të vendosur”, shkroi ai në Facebook.
Gashi kështu mori shkas nga një deklaratë e cituar në media, ku thuhet se Vuçiq ka thënë se se Kurti “dëshiron ta sundojë edhe Maqedoninë e Veriut”.
“Po, seriozisht, ai dëshiron ta mposhtë Ali Ahmetin dhe BDI-në për të sunduar në Maqedoni pas zgjedhjeve të majit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Arbër Ademi nga BDI, pas këtyre deklaratave shkroi se Ali Ahmeti e ka mposhtur Vuçiqin me luftë, “bashkë me Hashimin, Ramushin, Kadrinë, Rexhepin, Adem e Hamzë Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin”, duke e akuzuar presidentin e Serbisë se është angazhuar të ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare në RMV.
“VMRO nuk po kursen asgjë nga lidhjet e veta Serbo-Ruse për ti dal në ndihmë derivateve të BDI-së në opozitën e frymëzuar nga Mickoski. Në këtë kontekst angazhohet edhe Vuçiqi, miku personal i Mickoskit, që të ndërhyjë në zgjedhjet në Maqedoni. Vuçiqin, ithtarin e Millosheviqit, Ali Ahmeti e ka fituar në luftë bashkë me Hashimin, Ramushin, Kadrinë, Rexhepin, Adem e Hamzë Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin. Frontin e forcave pro europiane nuk e ndal asnjë lidhje maqedono-serbo-ruse në ndihmë të derivateve të BDI-së!”, shkroi ai.