POLITIKATË FUNDIT

LVV-ja e akuzon PDK-në për ndërhyrje në NPB: Policia ra pre e Komunës, dikush duhet të mbajë përgjegjësi

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur se aksionarët e kësaj partie në ndërmarrje publike janë penguar që t’i vizitojnë këto të fundit.

Shefi i asamblistëve të LVV-së Gëzim Sveçla tha se ata janë penguar edhe fizikisht që të hyjnë në Ndërmarrjen Publike Banesore e në ndërmarrje të tjera nuk kanë gjetur as personat përgjegjës.

Kurse asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Arianit Beqiri, i punësuar edhe si asistent në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ka kërcënuar me përgjegjësi juridike ata që ia mohuan atij dhe dy të tjerëve hyrjen në objektin e Ndërmarrjes Publike Banesore të hënën.

Për këtë situatë, ai ka thënë sot se “s’ka diskutim” që dikush duhet të japë llogari. Ai ka akuzuar Komunën e Prishtinës dhe Policinë e Kosovës për zaptim të objektit të NPB-së.

“Mbledhjen e kemi thirrur për ditën e djeshme, por dhjetë minuta para se të futemi në mbledhje, një email identik i dal nga zyrat e LDK-së ka shkuar te të gjithë aksionarët e zgjedhur të datës 8 qershor. Nuhi Halimi, kryesues i Bordit të NPB-së, kandidat për asamble i PDK-së, dje bashkë me anëtarët e PSD-së të instaluar nga Dardan Molliqaj në NPB, na kanë ndaluar me forcë hyrjen në ndërtesë”, ka thënë ai.

“Po atë ditë, dje në mëngjes, drejtori për siguri në Komunën e Prishtinës i dërgon një letër Policisë së Kosovës me pretekstin se mund të ketë tentim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në objektet e ndërmarrjeve publike”, ka vijuar Beqiri. “Policia ka rënë në lajthitje nga Komuna e Prishtinës. Në vend që të asistonte kundër pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, ata asistuan në zaptimin e ndërmarrjes. Ndryshe PDK-ja nuk di. Ose janë hajna ose banditë, ose dyja këto bashkë”, akuzoi Beqiri PDK-në.

Arianit Beqiri është zgjedhur më 8 qershor njëri nga tre aksionarët e rinj komunalë të NPB-së. Por, të hënën atij dhe dy aksionarëve të tjerë të zgjedhur në Kuvendin Komunal nga opozita në Prishtinë, nuk u është lejuar hyrja në objekt. /eo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *