OPINIONTË FUNDIT

Opinionisti komenton deklaratën e Ramës për Osmanin: PR apo informacion i rrezikshëm?

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Prishtinë për “kërcënimin” e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, ka ngjallur diskutime të shumta. Rama tha se Osmani nuk lejoi që prokurorët të hynin në zyrën e presidentit për të kërkuar prova, duke e paraqitur veprimin e saj si mbrojtje të institucionit.

Ky deklarim hap pyetje për natyrën e informacionit të zbuluar, nëntekstin politik të fjalëve të Ramës dhe ndikimin që mund të ketë në raportet mes Osmanit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti nga Shqipëria, Llesh Ndoj.

ImageLlesh Ndoj.Foto galeri
Sipas tij, në deklaratën ën fjalë, nuk ka sekret shtetëror këtu, kjo pasi theksoi se veprimtaria e Speciales në Kosovë nuk përbën informacion të klasifikuar.

“Nuk mendoj tashmë që përbën sekret, aq më tepër shtetëror, veprimtaria nga pozita supreme e Prokurorisë Special në Kosovë. Ata, dukshëm i kanë dhënë vetes një mbistatus tej Kushtetutes e ligjit mbi të cilin duhet (nuk po ndodh!) të kishin vepruar. Me presion e me njëanshmëri, me arrogancë e politikisht e kanë mbledhur çdo “fakt” të pa vlerë, edhe udhëve, duke i dhënë fuqi juridike në funksion politik.”.

Krahas kësaj, opinionisti beson se gjithë mesazhet e Ramës në Prishtinë ishin për PR dhe për rritje të reputacionit të Osmanit në Kosovë.

“Rama është mjeshtër i PR. Ai shfrytëzon çdo hapësirë dhe artikulon pastër e qartë gjithnjë.

Edhe kësaj radhe ai shfrytëzoi reagimin mbarëkombëtar shqiptar që kanë ngjallur akuzat e Dhomave Speciale duke i shtuar këtij reagimi edhe këtë fakt të ri, sipas tij. Nga ana tjetër, nuk e përjashtoj se dhënia e ngjyrave të “heroizmit” veprimeve të Presidentes Osmani, ka të bëj me rritjen e reputacionit të saj në situatën kur Kosova e ka në rend të ditës zgjedhjen e presidentit të republikës”, shtjelloi ai.

Tutje, Ndoj theksoi se deklarata e Ramës nuk do të dëmtojë marrëdhëniet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi Osmani mbetet një mbështetëse e qëndrueshme e agjendës së Kurtit dhe marrëdhëniet Rama-Kurti duket se po kalojnë fazën e tejkalimit të mosmarrëveshjeve të vogla.

“Së pari, Rama nuk u përtin debateve dhe gjithnjë del prej tyre jo i humbur, falë gojëtarisë dhe njohurive të shumta që i zotëron;

Së dyti, mendoj se Osmani, nuk është kundër Kurtit dhe besoj se është “kali i betejës” së Kurtit në këtë moment;

Së treti, Rama e Kurti po duket se qoftë edhe firmalisht, janë në fazën e tejkalimit të konflikteve banale (aq sa i njohim e dimë ne!) dhe duan apo u intereson hapja e një kapitulli të ri”.

Ndoj përfundoi duke ritheksuar “Shqipëria e Kosova, por edhe çeshtja shqiptare në tërësi, me Ramën e Osmanin (pas Rugovës) ka njohur lartësi të pa arritura më parë në arenën ndërkombëtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *