OPINIONTË FUNDIT

As emër, as marrëveshje: Pse po vonohen kandidaturat për president?

“Figurë konsensuale” – këto mund të jenë fjalët që i bëjnë bashkë të gjitha partitë politike në Kosovë kur bëhet fjalë se kush duhet ta mbajë pozitën e presidentit të shtetit në pesë vjetët e ardhshëm. Por, këtu përfundon gjithçka.

Partitë nuk po dalin hapur me idetë e tyre se kush është personi i denjë për atë pozitë, dhe po presin ftesën e njëra-tjetrës për t’i nisur diskutimet.

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se partitë opozitare i sheh në pozitë shumë të pafavorshme, sepse pavarësisht kuorumit që kërkohet për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti e ka shumicën e konsiderueshme – 57 vota në Kuvend.

Megjithatë, ajo beson që procesi do të zhvillohet relativisht qetë, “sepse askush nuk dëshiron zgjedhje të reja, as Vetëvendosje dhe as partitë opozitare”.

Çfarë thonë partitë?

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë për REL-in se për partinë që përfaqëson ajo, prioritet këto ditë kanë pasur konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, ndërsa tani në radhë është miratimi i Buxhetit të shtetit për vitin 2026.

Sipas saj, nga java e ardhshme nisin diskutimet “për proceset e reja”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputeti Artan Behrami thotë se në momentin që pranojnë ftesë nga LVV-ja apo nga partitë tjera, janë të gatshëm të diskutojnë për emrin që “personifikon unitetin e qytetarëve”.

“Qëndrimi i partisë është që ne duhet t’i nënshtrohemi një dialogu politik me partitë tjera politike, dhe nga ai diskutim, nga këto kompromise dhe dialog, do të dalë edhe presidenti ose presidentja”, shprehet ai për Radion Evropa e Lirë.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të siguronte nga një qëndrim prej deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në këtë drejtim.

Kreu aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha ditë më parë se u është ofruar partive të mëdha opozitare shqiptare për bashkëpunim në këtë çështje, mirëpo e ka parë që nuk kanë vullnet.

“Nëse opozita do të mund ta prezantonte një kandidat të vetin, ose mua, ose cilindo kryetar partie, një figurë, dhe ta mblidhte votën, do ta kishim një balancim të pushtetit. Unë nuk jam kandidat, sepse nuk kam bazë kandiduese, duhen 30 nënshkrime”.

Dhe, ashtu është. Duhet të sigurohen të paktën 30 firma të deputetëve që një emër të kandidohet për president, ndërsa duhen siguruar dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për ta fituar atë pozitë.

Kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Bekim Jashari, nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, është përmendur në të kaluarën si kandidat potencial për president, mirëpo ky propozim nuk është jetësuar kurrë.

ImageLegjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.Foto galeri
Dilemat për Osmanin

Presidentja aktuale, Osmani, është kritikuar nga partitë opozitare se ka qenë e afërt me LVV-në. Ato kanë thënë se ajo nuk përfaqëson figurë unifikuese, pa përmendur diçka konkrete.

Në anën tjetër, Osmani ka thënë se i duhet një mandat i dytë për t’i vazhduar “punët e mira” që ka thënë se i ka nisur.

Emrin e saj për mandatin e parë e pati çuar përpara LVV-ja. Këtë herë, partia në pushtet nuk po e përmend asnjë emër.

“Unë jam e bindur që, në bazë të mandateve që i kemi, në bazë të përgjegjësve ndaj shtetit dhe institucioneve, ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe që mundemi, që të ofrojmë alternativën më të mirë dhe të mbështesim atë alternativë”, thotë Nagavci për REL-in.

Emini beson se arsyeja e mosdaljes me një emër ka të bëjë me kalkulimet strategjike të LVV-së.

“Duke e zvarritur procesin, dhe duke mos dalë me emër konkret, LVV po blen kohë. Sa më shumë afrohet afati, aq më pak hapësirë ka opozita për t’u organizuar dhe për të dalë me një alternativë të unifikuar”.

ImageOsmani dhe Kurti garuan me një listë të vetme më 2021. Osmani u bë presidente, Kurti kryeministër.Foto galeri
A duhet t’i jepet Osmanit një mandat i dytë?

Deputeti Behrami beson që jo.

“Personalisht, mendoj që zonja Osmani më shumë mund t’i kontribuojë opozitës si antipod i Qeverisë Kurti, sesa si presidente e Republikës së Kosovës”.

Emini thotë se performanca e Osmanit duhet të shihet nga dy dimensione. Në rrafshin e brendshëm, ajo përmend kufizimet që ia përcakton Kushtetuta e Kosovës këtij roli, si dhe zhgënjimin që mund të ketë ekzistuar për qasjen e saj në kohë krizash politike, ndërsa në nivelin ndërkombëtar vlerëson se Osmani ka qenë dukshëm më e suksesshme.

“Pra, duke qëndruar vetëm te figura e saj, pa e krahasuar me kandidatë të tjerë, që për momentin nuk ekzistojnë, mund të thuhet se ajo duhet marrë merita për rolin aktiv në nivel ndërkombëtar. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme për faktin që Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për një diplomaci të sofistikuar për të naviguar një rend botëror të vështirë”.

Pavarësisht rolit ceremonial presidencial, mospërmbushja e afateve i kushton shtetit.

Nëse Kosova nuk e ka emrin e ri për pozitën e presidentit deri më 4 mars, atëherë duhet t’i organizojë zgjedhjet e reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Sikur të mos mjaftonin dy palë sosh që u organizuan gjatë vitit të kaluar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *