OPINIONTË FUNDIT

Mesazh i fortë nga NATO për Vuçiqin, eksperti i sigurisë flet për rrezikun dhe de-eskalimin

Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, ditë më parë ka folur rreth situatës së edhe për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nga gazetarët nëse ekziston rrezik për destabilizim në rajon, Rutte theksoi se aleanca po e ndjek nga afër situatën dhe se pret llogaridhënie nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me sulmin e ndodhur në Banjskë në vitin 2023.

Ai konfirmoi se NATO, përmes misionit të KFOR-it dhe angazhimeve të tjera në rajon, është e përfshirë drejtpërdrejt në monitorimin e zhvillimeve në Kosovë dhe më gjerë.

“Unë dhe aleanca jemi në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Po presim llogaridhënie për atë që ka ndodhur në Banjskë në vitin 2023 dhe për ngjarjet e tjera gjatë atij viti. I ndjekim nga afër zhvillimet dhe, përmes KFOR-it dhe aktiviteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, si në Bosnjë dhe Kosovë, jemi shumë të përfshirë”, deklaroi Rutte.

Një kërkesë të ngjashme për përcaktimin e përgjegjësisë për rastin e Banjskës, Rutte e kishte bërë edhe në fund të muajit janar.

Sulmi në Banjskë ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjes së armatosur u vranë edhe tre nga sulmuesit.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, i cili që nga ajo kohë ndodhet në Serbi dhe, sipas raportimeve, ende nuk është ndjekur penalisht.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë se Rutte ka dhënë mesazh të qartë për përgjegjësi shtetërore.

Sipas tij, ky është një sinjal de-eskalimi.

“Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për pritshmërinë e llogaridhënies nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me sulmin në Banjskë, është një mesazh i qartë politik dhe strategjik se stabiliteti në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit mbetet prioritet i arkitekturës euroatlantike të sigurisë.

Ky është një mesazh i qartë për përgjegjësi shtetërore. NATO kërkon qartësi dhe përgjegjësi, jo vetëm penale, por edhe politike, dhe kjo lidhet me parimin e parandalimit të incidenteve të armatosura që cenojnë stabilitetin ballkanik. Është një sinjal për de-eskalim. Deklarata synon të parandalojë precedentë të rrezikshëm. Çdo mungesë transparence apo hetimi të plotë mund të interpretohet si tolerim i strukturave paralele apo aktorëve të armatosur joformalë.

Gjithashtu, është një rikthim i vëmendjes te siguria kolektive. Prania e KFOR-it dhe roli i NATO-s në Kosovë nënkuptojnë se çdo destabilizim prek drejtpërdrejt kredibilitetin e sigurisë euroatlantike”, deklaron Softa.

ImageEksperti i sigurisë, Fatjon SoftaFoto galeri
Sipas tij, ekziston rrezik potencial për përsëritje të sulmit si në Banjskë, por ai përmend faktorë që ulin mundësinë e përshkallëzimit.

“Ekziston potencialisht një rrezik, pasi në mungesë të një procesi transparent hetimi dhe ndëshkimi, mund të kemi retorikë nacionaliste dhe instrumentalizim politik të ngjarjes.

Megjithatë, ka disa faktorë që e ulin mundësinë e përshkallëzimit, si:

prania e KFOR-it si faktor stabilizues;

interesi i BE-së dhe SHBA-së për të shmangur një krizë të re në Ballkan;

lodhja strategjike e aktorëve rajonalë nga konfliktet e hapura.

Rreziku më i madh janë tensionet hibride dhe incidentet e lokalizuara, sesa një konflikt i hapur”, shton eksperti i sigurisë.

Ai përmend anë pozitive dhe negative sesi mund të ndikojë presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë.

“Si ndikon presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë?

Pozitivisht, nëse:

nxit bashkëpunim gjyqësor dhe transparencë;

forcon koordinimin mes strukturave të sigurisë;

shton mbikëqyrjen ndërkombëtare për stabilitet.

Negativisht, nëse:

krijon narrativë të viktimizimit politik;

shton polarizimin e brendshëm në Serbi;

ndikon në ngadalësimin e dialogut Kosovë–Serbi.

Çështja e llogaridhënies nuk është vetëm juridike, por është një test për seriozitetin e angazhimit ndaj stabilitetit rajonal. Nëse ka transparencë dhe bashkëpunim, tensionet mund të menaxhohen dhe kontrollohen. Veriu i Kosovës mbetet një pikë sensitive në hapësirën e sigurisë ballkanike”, përfundon Softa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *